Pas protestës së madhe të diasporës së Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi në bulevard, ku Muli kishte dhënë njerëzit e vet, priste që Rama të sulmonte djemtë e Londrës. Por sot nuk ndodhi. Në vend të tyre ai u mor prapë me blogerët e protestës.
– Pse na injoron ne ky? – i tha Lelos. – Nuk e kuptoj çfarë qëllimi ka? Mendon vërtet se ato janë më të forta se ne?
– Ai ka frikë algoritmin, – i tha Lelo.
– Ku bie algoritmi? – i tha Muli. – Në kufi me Algjerinë?
– Jo, jo, nuk është shtet, është një yçkël interneti, nuk ta shpjegoj dot.
– Po si paska frikë yçkla interneti e nuk ka çunat e Londrës? S’po merret me këto k... që postojnë foto me buzë të fryra. Ata me derra muskujsh.
– Po të thashë që e ka me internetin, nuk e ka me ne.
– Po interneti nga cili shtet varet? – i tha Muli. – A varet nga SHBA?
Ne kemi LaCivita-n po të jetë puna aty.
– Jo, jo, nuk varet i gjithi nga ata, – i tha Lelo. – Nuk ta shpjegoj dot se dhe ai është pak demokratik.
– Paska shku bota për lesh me një fjalë, – tha Muli. – Rama duhet të merret vetëm me ne. Vetëm kështu ka kuptim kjo punë. Ai duhet të na sulmojë ne për protestën. Ne duhet t’i themi: i ke orët e numëruara.
– Po ja, janë ato parullat kundër Doktorit, – i tha Lelo. – Nuk po i heqim dot.
– Ato i fut Rama, – tha Muli. – Është e qartë, e ka thënë Doktori. S’e luan topi.
– Epo, deri sa t’i heqim ato, ai ka punë me algoritmin, – tha Lelo. – Pastaj mund t’i lërë mënjanë blogerët e të merret me ty.
Lini një Përgjigje