Muli i shqetësuar nga vetëshpallja e Gones kryeministër

15 Qershor 2026, 20:40Antena TEMA

Sot Muli ishte i shqetësuar nga disa video që shpërndante Gonia ku “populli” i jepte dorën, bënte foto dhe i thoshin se do ta kenë kryeministër.

Kjo e mërziti shumë dhe thirri Lelon se si mund t'u përgjigjeshin këtyre videove.

-Mendoj mos t'u përgjigjemi, tha Lelo, se ata janë aktorë që i paguan Gonia. Ashtu e ka stilin ai, me lekë.

-Puna është që e shikojnë demokratët që shkojnë te Foltorja e më thonë pse të mos e bëjmë dhe ne me Doktorin këtë.

-U thuaj, Doktori është kryeministër prej vërteti, jo në foto, s'ka nevojë të bëjë foto.

-E di, e di, por u duket padrejtësi e madhe që ata mbushin sheshin, kurse Gonia vetëshpallet kryeministër.

-Nuk është vetëm Gonia, i tha Lelo. Deri tani janë dhjetë kryeministra. Vetëm se ata të tjerët nuk kanë lekë të bëjnë video duke i uruar populli.

Bile në protestë ka dhe tre Mesi të vetëshpallur, që njerëzit besojnë tek ata.

-E kuptova, tha Muli, por duhen sqaruar këto gjëra, se na mërziten njerëzit.

-Po i sqaruam, tha Lelo, do të thotë që njohim kandidaturat e tyre dhe duhet t'i përfillim, pastaj t'i fusim në lista. Më mirë t'i injorojmë. Rreziku që unë shikoj nuk është Gonia. Kam frikë se do fillojnë dhe ndonjë nga tanët që shkon në protestë t'i duket vetja kandidat për kryeministër dhe të na ikë nga partia si ajo Neomalsorja.

-Pse dhe ajo për të qenë kandidate për kryeministre iku?

-Patjetër, i tha Lelo.

-Nga ne s'ka kush ikën, tha Muli. Ky Belua ka qejf shumë, por e ndjen frikën, nuk ikën. Nuk është i sigurt që po iku e zgjedhin kandidat për kryeministër. Vetëm po iku Ivi Kaso. Ai më duket i menduar thellë këto ditë.

-Për këtë rri vigjilent, i tha Lelo. Të tjerat rregullohen.

Lini një Përgjigje