Ecuria e protestave qytetare, të cilat kulmuan me bllokimin e aksit rrugor drejt Aeroportit të Rinasit, kanë qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH. Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me dinamikën e këtyre tubimeve, reagimin e forcave të rendit dhe kërkesat politike të demonstruesve.
Duke analizuar aksionin e paparalajmëruar të protestuesve për të bllokuar rrugën drejt aeroportit, Luarasi vlerësoi mosndërhyrjen e forcave policore për përshkallëzimin e situatës, pavarësisht pasojave te qytetarët e tjerë.
“Mendoj se aty mund të jenë edhe fëmijët e mi, ndonëse mund të logjikosh që nuk është e drejtë që ti t’u ndërpresësh udhëtimin grupeve të tjera shoqërore si turistë dhe qytetarë,” theksoi deputetja, duke shtuar se ajo e ka çmuar faktin që policia nuk ndërhyri.
Ajo pranoi se në këtë lëvizje ka individë me mendime të kundërta, duke përfshirë grupime me qasje të ndryshme fetare apo gjeopolitike që qëndrojnë krah për krah, dhe nënvizoi faktin se “arsye për të protestuar ka”.
Deputetja socialiste vuri në dukje se protesta duhet të tejkalojë thirrjet kundër figurave aktuale politike, si “ik Rama” apo “ik Berisha”, dhe të prodhojë një lidership të ri me emra konkretë. Sipas saj, institucionet nuk mund të reagojnë ndaj një lëvizjeje pa përfaqësim të qartë.
Duke ngritur pyetjen se kush janë figurat si Arlind Qori, Agron Shehu apo Adriatik Lapaj, ajo argumentoi se ndryshimet politike kërkojnë struktura të definuara.
“Duhet të dalin kandidatura të tjera. Reagimi i institucioneve bëhet pasi del një grup me emra konkretë. Nuk funksionon në asnjë demokraci ik ti dhe nuk dihet se kush vjen. Në momentin që kristalizohen grupet ka më pas dhe reagim të institucioneve.”, tha Luarasi.
Një pikë tjetër e trajtuar gjatë emisionit ishte zbehja e kauzës fillestare mjedisore. Luarasi deklaroi se institucionet nuk e kanë më të qartë se cila është kërkesa reale e protestës, pasi theksoi se ndonëse ajo nisi për mbrojtjen e flamingove dhe Zvërnecit, tashmë nuk flitet më për to.
Megjithatë, ajo theksoi se aparati shtetëror ka reaguar ndaj padrejtësive specifike, duke iu referuar incidentit fillestar që shërbeu si shkëndijë e tubimeve:
“Protesta filloi me atë skenën që dikush u tërhoq zvarrë nga policia private, por edhe nga indiferenca e policisë. Pamë një dite më pas një shtet që reagoi duke hequr licensat e rojes private, zinxhirin komandues të policisë se Vlorës.”
Sa i përket projektit të debatuar turistik, deputetja theksoi domosdoshmërinë e bërjes publike të çdo detaji, duke evidentuar se ka një pjesë të komunitetit lokal që e mbështet këtë zhvillim.
“Ka dhe grupe që duan atë investim. Ka shumë njerëz në Vlorë që e duan atë investim, por duan transparencë dhe Qeveria duhet të jetë transparente,” përfundoi Luarasi.
Numri i informacionit te kesaj debiles me tituj shkencore eshte 0900xxxxxx ---shifrat e tjera i ka Tao Tao !!!!!