G7 me sytë nga Trump, çfarë fshihet në marrëveshjen me Iranin?

15 Qershor 2026, 22:40Bota TEMA
G7 me sytë nga Trump, çfarë fshihet në marrëveshjen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur sot në Evian të Francës për samitin e G7, ku pritet të diskutohet një sërë çështjesh globale, përfshirë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe tregtinë ndërkombëtare.

Trump deklaroi se është “i forcuar” nga marrëveshja e arritur me Iranin, e cila sipas tij do të çojë në “hapjen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit duke filluar nga e premtja e ardhshme. Teksti i marrëveshjes ende nuk është bërë publik dhe liderët e G7 pritet të informohen mbi detajet gjatë takimeve në samit.

Presidenti amerikan mbërriti fillimisht në Gjenevë dhe më pas me helikopter në Evian, ku u prit nga protokolli i presidencës franceze në Royal Hotel Evian. Më vonë ai zhvilloi një takim privat me presidentin francez Emmanuel Macron.

Sipas Trump, marrëveshja me Teheranin do të publikohet pas së premtes, kur në Gjenevë pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit. Ai theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të jetë “plotësisht e hapur” në atë moment.

Nga ana e tij, Macron ka deklaruar se një forcë shumëkombëshe mund të ndihmojë në pastrimin e minave dhe garantimin e sigurisë në zonë, ndërsa ka përmendur mundësinë e dislokimit të aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle”, në varësi të zhvillimeve diplomatike.

Ndërkohë, vendet e G7 kanë theksuar dallimet e tyre mbi përfshirjen në konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa në axhendën e samitit mbeten gjithashtu lufta në Ukrainë dhe tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, Trump ka paralajmëruar edhe mundësi tarifash ndaj Francës lidhur me taksat mbi kompanitë teknologjike amerikane, ndërsa Macron ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga legjislacioni evropian.

Samiti i G7 pritet të vijojë në ditët në vijim me takime mes liderëve botërorë dhe diskutime mbi sigurinë globale dhe stabilitetin ekonomik.

Lini një Përgjigje