Vendimi i sotëm i Edi Ramës për të shpallur Ikbale Berishën, një fanatike fetare pro-iraniane nga Kosova, si “non grata” në Shqipëri, ka shtuar dyshimet e Mulit se Rama e ka bërë këtë ngaqë Ikballja e ka mbiemrin Berisha.
– Rama kërkon të njollosë Doktorin prap tek amerikanët, – i tha Lelos. – Do t’u thotë atyre që këta me mbiemër Berisha janë pro Iranit në Shqipëri. Hajde t’ua sqarosh atyre tani se vërtet kanë mbiemrin njësoj, po nuk janë kushërinj.
– Besoj që s’e ka menduar kaq thellë, – tha Lelo. – E ka bërë më shumë se është pro Iranit, se sa që ka mbiemrin Berisha.
– Mundet, – tha Muli, – por aty lajmi del me mbiemër Berisha dhe të huajt mendojnë që dhe Doktori është pro Iranit. D.m.th. ne i bëjmë protestat, ne lodhemi, meritat i merr Irani. Madje dhe mbiemrin e Doktorit e merr Irani.
– Unë më shumë shikoj anën pozitive të problemit, – tha Lelo. – Kur dëgjojnë demokratët që dhe Shqipëria shpall njerëz “non grata”, u bie shqetësimi për “non grata”-n e Doktorit se u duket gjë koti. Se ata mendojnë se kjo është kompetencë vetëm e SHBA.
– Doktori tani e zgjidhi, – tha Muli, – s’kanë arsye të shqetësohen. Kurse Ikballja nuk merr dot vizë për në Shqipëri. Por meqë në Morinë nuk kontrollohen pasaportat, ajo mund të hyjë e të dalë sa herë të dojë. Se ajo dhe plazhin e veshur e bën, nuk e dallon dot.
– E vetmja gjë që mund të tallin është të thonë që ka dy Berisha “non grata”: një në SHBA, një në Shqipëri. Dhe njerëzit të mendojnë se ky njeriu “non grata” në Shqipëri është Doktori, meqë e dinë që në SHBA ia kanë hequr. Vetëm këtë rrezik shikoj, – tha Lelo.
Lini një Përgjigje