Sot Lelos i ndodhi një ngatërresë e madhe. Tek një nga grupet e WhatsApp-it të protestës, ai propozoi që protesta të ketë një zëdhënës. Madje dha dhe arsyet përse duhet bërë kjo. Mesazhi përfundoi tek shqiptarja.com dhe kjo shtoi polemikat në grup se kush ka spiunuar. Për të zbuluar të infiltruarit në rolin e hetuesit u një gazetar i BIRN, meqë merren me investigime.
I mërzitur nga kjo, Lelo po diskutonte me Mulin, përse duhej patjetër zëdhënësi nga PD.
-E vërteta është se Shqipëria e re, nuk është shpikje e revolucionit flamingo, i tha Lelo. Shqipëria e re është shpikje e Lulit më 2017. Por meqë atëherë nuk funksionoi, ne po e ritestojmë në revolucion. E përbashkëta e dy revolucioneve jam unë si zëdhënës, edhe i Republikës së re, edhe i Shqipërisë së re.
Ndaj nuk ka kuptim të tërhiqemi nga diversione të tilla. Flamingot duhet të pranojnë se paraardhësi i tyre ka qenë Luli, pavarësisht se tani ka shtegtuar.
-E vërtetë, tha Muli, por mos ma përmend atë Lulin. Më mirë merre vetë përsipër Republikën e re, se t’ia lësh atij. Ose po të vjen turp ty, e marr vetë përsëri, se unë jam marrë me të. Ndryshimi ishte se Republika e re lindi nga çadra, kurse Shqipëria e re nga kafazi i flamingove.
-Jo, desha të them që këta të flamingove thjesht po na kopjojnë ne dhe kanë në favor këto vajzat blogere të Instagram-it. Ne atëherë këto na vinte turp t’i thërrisnim në çadër.
-Ne blogere dinim zonjën Karo, tha Muli, nuk dinim këto të tjerat, se këto nuk kanë bërë parashikime moti. Atëherë blogere bëheshin këto që jepnin motin.
-Po pra, tha Lelo. Ndaj duhet të mos kemi komplekse. Duhet të propozojmë zëdhënësin e protestës. Le të jetë ndonjë nga këto blogeret.
-Po ato dinë të dalin në foto, tha Muli, por jo të lexojnë. Duhet ndonjë që di shkrim e këndim.
-S’ka gjë se përdorin emoji, tha Lelo. S’ka nevojë të dalin të lexojnë. I postojnë komunikatat.
-Ashtu po, tha Muli. Ashtu i kuptoj dhe unë me shenja.
Lini një Përgjigje