Ministri Salla: Markata e Peshkut në Vlorë, një investim për modernizimin e peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu

30 Qershor 2026, 19:01Ekonomia TEMA
Ministri Salla: Markata e Peshkut në Vlorë, një investim për

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, inspektuan sot Markatën e Peshkut në Vlorë, ku u finalizua kalimi i saj në pronësi të Bashkisë Vlorë, duke i hapur rrugë vënies në funksion të një infrastrukture moderne në shërbim të sektorit të peshkimit.

Gjatë vizitës, Ministri Salla e cilësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm për modernizimin e peshkimit, formalizimin e tregut dhe zhvillimin e ekonomisë blu, duke theksuar se Markata do të krijojë kushte bashkëkohore për grumbullimin, ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e produkteve të peshkimit sipas standardeve të Bashkimit Europian.

E integruar me Portin e Peshkimit dhe Portin e Ri Tregtar të Vlorës, Markata e Peshkut shtrihet në një sipërfaqe prej 1,300 m² dhe përfshin 15 dhoma frigoriferike. Ajo do të funksionojë sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke garantuar siguri ushqimore, formalizimin e tregut, rritjen e kapaciteteve të grumbullimit dhe ruajtjes së produkteve, si dhe krijimin e kushteve për eksport të drejtpërdrejtë drejt tregut europian.

Gjatë inspektimit, Ministri Salla bëri të ditur se investimi prej 1.5 milionë eurosh, i financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të modernizojë të gjithë zinxhirin e sektorit të peshkimit.

“Është një investim që Ministria e Bujqësisë ka financuar me 1.5 milionë euro për të siguruar mbarëvajtjen e sektorit të peshkimit, për ta sjellë në një ambient të sigurt, për ta magazinuar në dhoma frigoriferike dhe për eksport, sepse ne do të marrim edhe certifikatën për eksport,” u shpreh Ministri Salla.

Ministri theksoi se me vënien në funksion të kësaj markate, peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të investojnë individualisht në ambiente magazinimi apo certifikime, pasi e gjithë infrastruktura e nevojshme do të ofrohet në një qendër të vetme.

“Të gjithë peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të kenë një ambient të tyre për të siguruar një sipërfaqe të caktuar apo certifikime. Të gjitha produktet e tyre do t’i sjellin këtu. Kemi 15 dhoma frigoriferike për çdo biznes dhe sektor. Është një ambient i ri ku 28 anije peshkimi do të kenë mundësinë të depozitojnë produktet e tyre dhe më pas t’i eksportojnë ose t’i tregtojnë në tregun vendas,” deklaroi ai.

Sipas Ministrit Salla, investimi krijon kushte moderne për ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e produkteve të peshkimit, duke rritur konkurrueshmërinë e sektorit dhe duke përmbushur standardet e kërkuara për eksport.

 

Lini një Përgjigje