Grupi i Polifonisë i TKOB mban koncert në Itali

30 Qershor 2026, 09:13Kulturë TEMA
Grupi i Polifonisë i TKOB mban koncert në Itali

Iso-polifonia, zëri i lashtë i Shqipërisë, kaloi kufijtë për të jehuar në Itali.

Grupi i Polifonisë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të TKOBAP mori pjesë në Piccolo Opera Festival 2026, ku prezantoi pasurinë e jashtëzakonshme të iso-polifonisë shqiptare, të shpallur Pasuri Botërore nga UNESCO.

Koncerti solli një repertor këngësh tradicionale shqiptare, përfshirë “Vajzë e valave”, “Tundu bejk e bardhë”, “Atje te ura mbi lumë” dhe “Janinës ç’i panë sytë”. Organizatorët falënderuan edhe famullinë e Brazzano-s për bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti kulturor.

Koncerti u prit si një prezantim i rëndësishëm i kulturës muzikore shqiptare në një skenë ndërkombëtare, duke theksuar vlerën dhe veçantinë e iso-polifonisë në trashëgiminë botërore. Aktiviteti u zhvillua në Kishën Santo Stefano Protomartire në Giassico (Cormòns), ku tingujt autentikë të traditës shqiptare u bënë pjesë e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar që promovon muzikën vokale dhe traditat e popujve.

Ashtu si laitmotivi qe mban festivali, “Ku ka pasion, aty është energjia jonë”, ashtu dhe trupa e TKOBAP prezantoi me pasion dhe energji, Shqipërinë, në Gorizia.

Ky ishte një tjetër udhëtim i trashëgimisë sonë kulturore, që dëshmon se iso-polifonia shqiptare vazhdon të bashkojë kultura dhe të emocionojë publikun kudo në botë.

Piccolo Opera Festival do të vijojë deri më 5 korrik. Tema e këtij viti është “Libertà” (Liria) dhe programi përfshin opera, projekte të reja dhe shfaqje në vende jotradicionale si kështjella, teatro të hapura dhe hapësira historike në Gorizia, Nova Gorica, Trieste dhe zonat përreth.

Sipas organizatorëve, festivali synon të bashkojë artin me hapësirat kulturore të rajonit. A.K./TemA

Lini një Përgjigje