Revolucioni si rreth vicioz

1 Korrik 2026, 11:30Blog Nga Altin Ketro

Që të analizosh thirrjet e protestuesve në bulevard për dorëheqjen e pakushtëzuar të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij, të shoqëruara me kërkesa për ndryshime rrënjësore që prekin deri në strukturën kushtetuese të shtetit shqiptar, duhet të hysh domosdoshmërisht në një territor të mbushur me supozime dhe skenarë hipotetikë, shpesh më shumë imagjinarë sesa politikë.

Së pari, dorëheqja e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij nuk nënkupton automatikisht rrëzimin e Partisë Socialiste nga mazhoranca parlamentare. Në një skenar normal institucional, PS do të mund të mandatonte një tjetër kryeministër nga radhët e saj. Por, sipas logjikës së artikuluar nga protestuesit, ose më saktë nga zëdhënësit e vetëshpallur të tyre, problemi nuk duket të jetë thjesht Rama apo individë të caktuar, por vetë ekzistenca e Partisë Socialiste. Dhe, në të njëjtën frymë, edhe e Partisë Demokratike, si dy forca që për 36 vite kanë dominuar skenën politike shqiptare.

Dakord. Le t’i fshijmë nga skena politike “armiqtë PS dhe PD”. Dhe le të supozojmë se në fushë mbetet vetëm partia e protestuesve, si dhe partitë e Qorit, Lapajt, Shehajt apo profesor Pilinçit.

Në këtë realitet të ri, pushtetin do ta merrte ajo që mund ta quajmë “Partia e Bulevardit”, ose, po të doni, “Partia e Flamingove”, “Partia Shqipëria e Re” apo çfarëdo emri tjetër po aq simbolik.

Por logjika e këtij revolucioni nuk ndalet këtu. Sapo të fshiheshin dy partitë e mëdha, logjikisht do të fshiheshin edhe strukturat ekzistuese të shtetit, sepse ato janë produkt i tyre. Si rrjedhojë, e gjithë administrata publike do të konsiderohej e delegjitimuar.

Kësisoj do niste “rifillimi i madh”, që do të nënkuptonte largimin me një të rënë të lapsit të qindra mijëra punonjësve dhe zëvendësimin e tyre me “njeriun e ri”, të pastër, të virtytshëm e të pagabueshëm. Aq të kulluar, sa nuk do t'u gjendej as edhe rasti i vetëm kur kanë hedhur mbeturina në rrugë, e jo më një shkelje penale.

Natyrisht, një spastrim i tillë masiv do të përplasej menjëherë me procese gjyqësore dhe dëmshpërblime që shkojnë në qindra milionë euro. Por për “Shqipërinë e Re” kjo nuk do të përbënte problem, sepse misioni është më i madh se kostoja. Edhe nëse kjo do të thoshte ndërprerje negociatash me Bashkimin Europian apo përplasje me standardet e administratës publike.

Pasi administrata të ishte “pastruar”, do të niste faza tjetër, e cila do të ishte goditja e “kulakëve të rinj” të vitit 2026, të njohur ndryshe si oligarkë. Për ta do të vendoseshin regjime të ashpra fiskale, në stilin e taksave të jashtëzakonshme të vitit 1946, me synimin për t’i larguar nga ekonomia.

Pas tyre radha do t’u vinte investitorëve të huaj. Me ndryshime drastike taksash dhe pasigurie të shtuar, shumë prej tyre do të tërhiqeshin. Por kjo, sipas logjikës revolucionare, nuk ka peshë, pasi qëllimi është “pastrimi”, e jo funksionimi normal i ekonomisë.

Një nga sektorët më të goditur do të ishte ndërtimi. Asnjë leje e re nuk do të jepej, me arsyetimin se tregu është i ngopur. Edhe nëse kjo do të paralizonte një zinxhir të tërë ekonomik, nga materialet te punësimi, për revolucionarët kjo nuk do të konsiderohej kosto, por princip.

Në këtë pikë ekonomia do të hynte në ngadalësim të thellë, me të ardhura më të ulëta, presion fiskal dhe rrezik për kolaps. Por në narrativën revolucionare këto do të ishin thjesht sakrifica të nevojshme.

Më pas do të vinin listat e zeza, ku do të mbizotëronin emrat e “tradhtarëve”, “të korruptuarve” dhe “të vjetërve”, të cilët do të ndëshkoheshin penalisht menjëherë nga sistemi i ri, si masë mbrojtëse ndaj “kundërrevolucionit”.

Në fund të këtij zinxhiri Shqipëria do të gjendej e izoluar nga Bashkimi Europian, me ekonomi të dobësuar, me investime të tkurrura dhe me pasiguri të thellë institucionale. Por, sipas logjikës së brendshme të këtij projekti, ky do të ishte thjesht çmimi i domosdoshëm i “revolucionit të pastër”.

Nuk e di nëse mbështetësit e një transformimi të tillë do të jetonin gjatë në këtë klimë apo do të kërkonin një jetë më të mirë diku tjetër. Por një gjë është e qartë pa pasur nevojë për shumë analizë, se vendit do t’i duheshin vite të tëra, ndoshta dekada, për t’u rimëkëmbur.

Dhe kështu, në mënyrë të përmbledhur, e shoh unë përfundimin e thirrjeve revolucionare jo si një pikë mbërritjeje, por si fillimin e një cikli që ripërsërit vetveten. Sepse çdo “Revolucion 1.0”, i ndërtuar mbi premisën e pastrimit total dhe rindërtimit nga themelet, në mënyrë të pashmangshme prodhon pasojat e veta, duke sjellë përjashtime, konflikte, kolaps institucional dhe ekonomik.

Pikërisht këto pasoja bëhen më pas argumenti për një “Revolucion 2.0”, i cili lind me të njëjtën retorikë shpengimi dhe me të njëjtën logjikë shkatërrimi. Kështu, çdo revolucion që premton zgjidhjen përfundimtare të gjithçkaje përfundon duke u bërë vetë problemi që kërkon të rrëzohet, ndërsa vendi futet në një rreth vicioz ku logjika politike nuk gjen më dalje, por vetëm rikthim të së njëjtës dinamikë.

4 Komente

  1. C
    Cili

    Che Guevara! Dmth Shqipëria si Cuba. Ky është përfundimi. Po kush Che? Gashi apo Progni? Qënëri hesapi.... . Si përfundim Che vritet.... . E vret CIA... Mbase nuk përfundon kështu filmi shqiptar.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tarras Lala

      Kta lloi fekalesh jan pirth tē lirohesh me njē fjal kta jan njē top i madh MUTI.

      Përgjigjjuni
      1. E
        Esat

        Autori nuk duket se kupton ironinë e artikullit të tij. Nëse Revolucionet version 1 dhe 2 janë rreth vicioz sepse nuk sugjerojnë alternativa, cilat alternativa të status quo (version 35 vjeçar) sugjeron autori? Ky argument, është ekzaktesisht ai i Ramiz Alisë dhe Byroisteve. "Ja e përmbyset Partinë e Punës, kush do të marrë pushtetin 'pede'-ja?" Protestuesit mbase nuk kanë ndonjë ide se kush duhet të qeverisë, apo si duhet bërë shteti i ri. Ama ata kanë shumë të drejtë të vënë në dukje kush e ka mbushur kupën dhe nuk duan që kriminelë ordinerë të drejtojnë shtetin e tyre. Nëse nuk kanë vizion për qeverisjen e ardhshme, të paktën kanë kurajë të kërkojnë drejtësinë e sotme. Kjo kurajë po u mungon shumë opinion-bërësve dhe kritizereve.

        Përgjigjjuni
        1. H
          Haka Tekizoti

          Po, ç'merreni me këta plehra. Injoranca nuk ka brija më të mëdhenj se këta të këtyre.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje