Veza dhe pulat e revolucionit që kërkon dhunë

1 Korrik 2026, 10:15Blog Nga Ylli Manjani

Ka disa komentues që thonë me një qetësi të habitshme: “Hë mo, me vezë i gjuajtën. S’bënë gjë!”

Po mirë, çfarë duhet të ndodhë që të pranohet se kemi të bëjmë me dhunë? Të hidhen bomba? Të ketë viktima? Apo dhuna fillon të quhet e tillë vetëm kur është tepër vonë për ta ndalur?

Kjo është logjika më e rrezikshme që po normalizohet në debatin publik. Dhuna nuk matet me llojin e objektit që mban në dorë agresori. Dhuna matet me aktin e sulmit ndaj një tjetri.

E kuptoj se në një mjedis ku katër nga pesë fjalë janë sharje, bëhet e vështirë të dallosh dhunën verbale. E kuptoj edhe se në një klimë ku flitet më shumë për vdekje sesa për jetë, intimidimi, linçimi publik dhe bullizmi kolektiv duken si pjesë normale e peizazhit.

Por ekziston një kufi që nuk ka nevojë për interpretim.

Kur ndjek fizikisht një njeri dhe e godet me sende që mban në dorë, ajo quhet dhunë fizike. Nëse sendi është më i rrezikshëm, pasoja bëhet më e rëndë. Kur përdoren armë, futemi në sferën e krimit. Kështu funksionon shkalla e dhunës.

Prandaj, gjuajtja me vezë, me shishe apo me ujë nuk është humor. Nuk është performancë. Nuk është protestë artistike. Është dhunë fizike. Më e lehtë se format e tjera, por sërish dhunë.

Përballë dhunës, shteti ka detyrimin të reagojë. Disa persona u shoqëruan në polici dhe, deri këtu, nuk ka asgjë jashtë ligjit. Përkundrazi, problemi ishte diku tjetër: policia reagoi pasi ndodhi sulmi, jo për ta parandaluar atë. Pra ishte korrekte në procedurë, por jo aq efektive në përmbushjen e misionit të saj kryesor: parandalimin.

Madje, po bëhet shqetësuese paaftësia për të ndalur në kohë edhe sulmet ndaj pronës private. Kjo krijon një ndjenjë pasigurie që mund t’i shtyjë njerëzit drejt vetëmbrojtjes dhe, në fund, drejt vetëgjyqësisë. Historia ka treguar se aty fillojnë tragjeditë.

Por më e çuditshmja është logjika morale që po ndërtohet.

Nëse je protestues, paske të drejtë të dhunosh.

Nëse je polic, zyrtar apo thjesht një qytetar që gjendet aty, nuk paske të drejtë as të mbrohesh, as të reagosh.

Ky standard nuk është demokraci. Është privilegj i dhunës.

Shoqëria nuk mund të funksionojë mbi këtë parim.

Rregulli është i thjeshtë dhe i vjetër sa vetë qytetërimi: po shave, do të shahesh; po dhunove, do të përballesh me forcën e ligjit; po vrave, do të dënohesh. Nuk ka rëndësi nëse e quan veten protestues, revolucionar apo aktivist. Ligji nuk pyet për sloganin që mban në dorë.

Që nga parimi i Talionit e deri te shteti modern i së drejtës, një gjë nuk ka ndryshuar: dhuna sjell reagim. Ndryshimi është se shteti modern përpiqet ta zëvendësojë hakmarrjen me ligjin. Pikërisht për këtë ekziston policia dhe drejtësia.

Detyra e shtetit është të pengojë përplasjen e njeriut me njeriun.

Sepse kaosi i përplasjes mes njerëzve është forma më e egër e dhunës. Edhe kur shteti gabon me disproporcionalitet, ai mund të kontrollohet, të gjykohet dhe të dënohet. Kaosi nuk dënohet dot. Ai paguhet me plagë, me jetë dhe me shkatërrimin e besimit shoqëror.

Prandaj, nëse duam të shmangim atë pikë pa kthim, duhet të refuzojmë normalizimin e çdo akti dhune, sado i vogël të duket.

Veza e hedhur nga “pulat e revolucionit” nuk është ushqim. Është simboli i një kulture politike që kërkon të zëvendësojë argumentin me poshtërimin, debatin me sulmin dhe ligjin me turmën.

Dhe historia na ka mësuar se revolucionet që fillojnë me vezë, rrallë mbarojnë vetëm me to.

9 Komente

  1. C
    Cfurku

    Ylli, veza ka nje formë të përsosur, veç se del nga bytha e pulës. ~~~~~~~~~~~~~~~~~

    Përgjigjjuni
    1. P
      Petro

      Braaaavo Manjan!!

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sakte

        Me se e sakte

        Përgjigjjuni
        1. N
          Nul Moka

          Dikur ne kohen e Enverit, tifozet problematik ne stadium, i mernin dhe i dergonin mbrapa malit te Dajtit dhe i leshonin te ktheheshin ne kembe ne Tirane...... Ndersa sot i ndalon policia protestuesit dhunues, i dergon ne nje komisariat ne Tirane, aty shkojne turmat e protestuesve, dhe policia nga frika i nxjerr jashte.... Po, dergoji ne Burrel ata qe arreston dhe kur te shkojne protestuesit, thuaj, nuk e di ku ndodhen. Ktu nuk jane......

          Përgjigjjuni
          1. P
            Plehre komuniste

            Eshte veper penale dhe duhen denuar keta rrugaçe. Te godasesh me veze nuk qenka krime. Te kerkoshe vdekje me litar nuk qenka krime. Te beshe thirrje per dhune nuk qenka krime. Te kerkoshe rrezimin e qeverise me dhune nuk qenka krime . Desha te pyese keta plehra ndyresira rrugesh çfare eshte krime per ju... Nuk jam votues i PS dhe nuk me ha palla per politiken. Nese Rama nuk i ndalone keta plehra duhet te hapi rruge , ne PS ka me mijra intelektual.

            Përgjigjjuni
            1. 9
              96x96 hlc96

              Sipas b...lepiresit Manjani gjuajtja me veze ndaj makinave apo depudeteve eshte dhune ndaj policia ka te drejte,madje edhe detyre qe jo vetem ti arrestoje por edhe ti dhunoj e terheqe zvarre.Po mire more Ydhi cfare duhet te bejne keta ptotestues ,shumica e te cileve kane me pak vite jete se sa ka Rama ne pushtet duke vjedhur ? Apo duhet te presin sa te rritet Zaho dhe te trashegoi pushtetn e babit,parate e vjedhura te babit ,pronat e grabitura te babit si dhe bythelerpiresit e babit. Po keta te rinj -siç, thishte Migjemi- kur heu, kur kane me u qeshe,apo duhet me pare te vdesin?

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje