Përtej sheshit: Çfarë i mungon Revolucionit të Flamingove?

1 Korrik 2026, 08:55Blog Artan Nati

Revolucioni i flamingove nisi si një spektakël estetik me ngjyra rozë, flamuj, performanca artistike, fotografi për rrjetet sociale dhe premtimi se politika shqiptare do të hynte më në fund në epokën e protestës krijuese. Por me kalimin e kohës, revolucioni filloi të ngjante më shumë me një tufë flamingosh që rrotullohen rreth të njëjtit liqen, pa gjetur kurrë forcën për të fluturuar drejt destinacionit. Historia tregon se një rezistencë civile nuk është një spektakel i zgjatur, por një makineri politike dhe shoqërore e organizuar me përpikëri. Ajo kërkon strategji, disiplinë, rrjet organizativ dhe mbi të gjitha aftësinë për të ndryshuar raportet e besnikërisë brenda vetë sistemit që synon të sfidojë. Në Shqipëri, shpesh u krijua iluzioni se mjafton të mblidhen mijëra njerëz në një shesh dhe pushteti do të fillojë të dridhet. Askush nuk zgjohet një mëngjes dhe zbulon se miliona qytetarë kanë vendosur spontanisht të ndryshojnë historinë. Pas çdo revolucioni të suksesshëm fshihet një organizim i gjatë, i lodhshëm dhe pothuajse i padukshëm. Problemi i "Revolucionit të Flamingove" është se shpesh ngatërroi koreografinë me strategjinë. U investua shumë tek simboli dhe shumë pak tek infrastruktura e rezistencës. U prodhuan slogane, por jo rrjete. U organizuan marshime, por jo mekanizma të qëndrueshëm të mosbindjes civile. U krijuan video virale, por jo struktura që mund t'i mbijetonin javës së parë të lodhjes.

Nga këndvështrimi statistikor, Revolucioni i flamingove mund të ketë qenë pranë asaj që studiuesit e rezistencës civile e konsiderojnë një "masë kritike" mobilizimi. Ky vlerësim lidhet me analizat empirike që kanë vërejtur se shumë lëvizje të suksesshme kanë arritur të përfshijnë rreth 3.5% të popullsisë. Megjithatë, ky nuk është një ligj i historisë, por një prirje statistikore që funksionon vetëm kur shoqërohet me organizim, strategji dhe objektiva të qarta. Sheshi u mbush, rrjetet sociale u ndezën, dronët prodhuan pamje spektakolare dhe mediat ushqyen për ditë të tëra idenë se historia po trokiste në derë. Por politika nuk është matematikë, aq më pak magji. Numrat nuk rrëzojnë qeveri, organizimi po. Jehona mediatike nuk ndërton institucione, strategjia po. Një protestë mund të jetë e madhe, por një lëvizje bëhet e fuqishme vetëm kur arrin të krijojë aleanca, të prodhojë besim dhe të ofrojë një alternativë të besueshme. Ndoshta gabimi më i madh ishte bindja se turma ishte vetë programi. Sikur prania në shesh të zëvendësonte platformën politike, koordinimin dhe objektivat konkrete. Një lëvizje qytetare nuk fiton vetëm duke thënë "jo", ajo duhet të dijë të shpjegojë qartë edhe "po"-në e saj, çfarë kërkon, si do ta arrijë dhe me kë synon ta ndërtojë ndryshimin. Një bashkërendim më i gjerë me aktorë të tjerë shoqërorë, me organizatat e shoqërisë civile, grupet profesionale, sindikatat dhe forcat e reja politike mund ta kishte zgjeruar bazën e mbështetjes dhe do t'i kishte dhënë lëvizjes një identitet më gjithëpërfshirës. Revolucionet qytetare nuk fitojnë kur marshojnë vetëm, ato fitojnë kur arrijnë të krijojnë një koalicion sa më të gjerë shoqëror. Po aq e rëndësishme do të kishte qenë edhe ruajtja e një profili të qartë politik dhe qytetar. Çdo lëvizje humbet besueshmëri kur perceptohet se po tërhiqet nga zëra ekstremë ose nga axhenda që e largojnë nga kauza e saj fillestare. Një protestë që synon të bashkojë qytetarët duhet të kujdeset vazhdimisht që të mos identifikohet me qëndrime apo retorika që polarizojnë opinionin publik. Në të njëjtën kohë, lëvizja mund ta kishte bërë më të qartë vizionin e saj për zhvillimin ekonomik të vendit. Kundërshtimi i politikave të qeverisë nuk do të thotë domosdoshmërisht kundërshtim i investimeve të huaja. Përkundrazi, një mesazh i qartë në favor të investimeve serioze, transparente dhe në përputhje me interesin publik do të shmangte keqkuptimin se protesta ishte kundër zhvillimit ekonomik si i tillë. Një sfidë tjetër ishte edhe perceptimi se në protestë po përziheshin ndikime dhe agjenda të ndryshme politike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sa më shumë që një lëvizje lejon të krijohet përshtypja se po flasin shumë zëra me objektiva të ndryshëm, aq më e vështirë bëhet të bindë shumicën e qytetarëve se përfaqëson një kauzë të qartë dhe të pavarur. Në fund, Revolucioni i Flamingove na kujtoi edhe një herë një të vërtetë të vjetër të politikës se protestat mund të mbushin sheshet, por vetëm organizimi mbush boshllëkun midis zemërimit dhe ndryshimit. Historia nuk pyet sa njerëz dolën në rrugë për një pasdite, ajo pyet çfarë ndërtuan ata pasi u zbraz sheshi.

Një nga paradokset më interesante të "Revolucionit të Flamingove" ishte shpejtësia me të cilën ndryshoi fjalori politik. Zërat që në fillim shfaqeshin kritikë ndaj investimeve amerikane ose skeptikë ndaj kapitalit të huaj, papritur filluan të flisnin për partneritet strategjik, aleancë me Perëndimin dhe domosdoshmërinë e investimeve të huaja. Sikur dikush të kishte ndërruar skenarin në mes të shfaqjes, ndërsa aktorët vazhdonin të luanin pa e kuptuar se publiku kishte vënë re ndryshimin. Edhe parulla "Rama në burg, Berisha në burg", megjithëse tingëllon simetrike dhe prodhon duartrokitje në shesh, ngre një pyetje më të thellë. Në një shtet demokratik, drejtësia nuk funksionon me parulla dhe as me lista dëshirash të protestuesve. Burgu nuk është program politik dhe as slogan elektoral. Nëse kërkesa kryesore e një lëvizjeje reduktohet në përcaktimin paraprak të fajtorëve, atëherë rreziku është që të zëvendësohet besimi tek institucionet me një formë tjetër gjykimi politik. Demokracia nuk matet me numrin e njerëzve që duan dikë në burg, por me aftësinë e institucioneve për të garantuar një proces të drejtë dhe të pavarur. Ndërkohë, me kalimin e kohës, protesta filloi të tërhiqte zëra, grupe dhe narrativa gjithnjë e më të ndryshme. Kur një lëvizje nuk përcakton qartë kufijtë e saj politikë dhe qytetarë, ajo rrezikon të bëhet një magnet për çdo pakënaqësi, pavarësisht nëse ajo lidhet apo jo me kauzën fillestare. Në një hapësirë të tillë mund të bashkëjetojnë nacionalistë, globalistë, konservatorë, revolucionarë, populistë dhe aktivistë me axhenda krejt të ndryshme. Rezultati është se askush nuk e kupton më se cili është mesazhi qendror. Nga një protestë me një kauzë të vetme, ajo filloi të ngjante me një panair idesh, ku secili ngrinte pankartën e vet dhe secili fliste për një revolucion tjetër. Dikush protestonte kundër korrupsionit, një tjetër kundër kapitalizmit, një tjetër kundër globalizmit, ndërsa të tjerë sillnin kauza që kishin pak ose aspak lidhje me arsyen fillestare të mobilizimit. Sa më shumë shtoheshin zërat, aq më pak dëgjohej mesazhi. Në atë pikë, Revolucioni i Flamingove nisi të marrë pamjen e Kullës së Babelit. Të gjithë flisnin njëkohësisht, por gjithnjë e më pak e kuptonin njëri-tjetrin. Kur një lëvizje flet me dhjetëra gjuhë politike, rrezikon të mos bindë askënd. Historia biblike na kujton se Babeli nuk u rrëzua sepse i mungonin punëtorët, por sepse humbi gjuhën e përbashkët. Edhe protestat qytetare nuk dështojnë domosdoshmërisht nga mungesa e njerëzve. Ato shpesh dobësohen kur humbasin koherencën, disiplinën dhe një vizion të përbashkët. Në fund mbetet vetëm zhurma, ndërsa ndryshimi vazhdon të presë përkthyesin e tij.

Në fund të fundit, fati i "Revolucionit të Flamingove" nuk do të vendoset nga numri i flamujve me flamingo rozë, as nga fotografitë ajrore që pushtojnë rrjetet sociale dhe as nga duartrokitjet e një pasditeje proteste. Ai do të matet nga një pyetje shumë më e thjeshtë dhe shumë më e vështirë: çfarë Shqipërie propozon të ndërtojë pasi të shuhet zhurma e sheshit? Një lëvizje qytetare nuk mund të mbijetojë vetëm me kundërshtimin ndaj një qeverie. Ajo duhet të ofrojë një vizion të besueshëm për shtetin që dëshiron ta zëvendësojë. Shqipëria nuk ka nevojë për një kult të ri individi që zëvendëson kultin e vjetër, por për një kulturë të re institucionesh ku ligji vlen më shumë se lideri, procedura më shumë se parrulla dhe kushtetuta më shumë se karizma. Nëse flamingot duan të fluturojnë përtej kënetës politike shqiptare, duhet të ulin kokën mbi tavolinën e punës dhe të shkruajnë një program serioz. Jo një manifest me slogane romantike, por një projekt të detajuar për një Shqipëri europiane: si do të funksionojë drejtësia, si do të mbrohet prona, si do të garantohet konkurrenca e lirë, si do të kufizohet pushteti i qeverisë, si do të forcohen pushtetet vendore, si do të mbrohen liritë individuale dhe si do të ndërtohen institucione që nuk varen nga humori i kryeministrit apo i opozitës së radhës. Evropa nuk fillon me flamurin blu dhe dymbëdhjetë yjet. Ajo fillon aty ku qytetari është më i rëndësishëm se partia, prona më e shenjtë se klientelizmi, kontrata më e fortë se telefoni politik dhe institucioni më jetëgjatë se çdo lider. Pikërisht aty matet dallimi midis një republike moderne dhe një republike që vazhdon të qeveriset nga emrat, jo nga rregullat. Përndryshe, Revolucioni i Flamingove rrezikon të mbetet vetëm një kapitull tjetër në librin e gjatë të protestave shqiptare me shumë ngjyra, shumë emocione, shumë metafora dhe shumë fotografi, por pak institucione. 

 

3 Komente

  1. S
    Shqiptar

    Pirdh se lirohesh! Aty se merr vesh i pari të dytin e ti bën leksjon,jan gomer dhe injorant përfshi njerëz të dështuar në jetë.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Napoleon

      3,5 PERQIND E KUJT POPULLSIE THUA ZOTROTE,DUKE FUTUR KOQEVARET E ALBINBYTHES,MAQEDONASIT E VLENIT TE MICKOVCIK APO ATA TE MALIT TE ZI APO ATA TE GERRQISE A I FUTE DHE ITALIANET.....SHQIPETARE SHQIPERIE MUND TE KENE QENE JA TE THEMI 10 MIJE NE DITEN ME NUMURIN ME TE MADH TE PROTESTUESVE KESHTU HAJT NATEN.....

      Përgjigjjuni
      1. D
        Doda

        Nuk i kuptoi mediat qe i japin rendesi kesaj proteste qe eshte e pavlere dhe e kote te shpenzosh energji kohe

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje