Detaje të reja janë zbuluar nga atentati i katër ditëve më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri B.S. Hetimet kanë zbuluar se disa ditë përpara ngjarjes, dy vëllezërit Nikolla dhe E.A dyshohet se kishin vendosur një kamerë në afërsi të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të tij.
Rreth katër ditë më parë, në afërsi të burgut të Drenovës u konstatua një kamerë e vendosur në një nga plepat përgjatë rrugës që të çon drejt institucionit. Sipas burimeve, pas informacionit të marrë nga Komisariati i Korçës, policia bëri të mundur zbulimin e pajisjes dhe identifikimin e personave që dyshohet se e kishin instaluar.
Nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe E.A, të cilët dyshohet se e kishin vendosur kamerën për të vëzhguar lëvizjet në zonë. Sipas hetimeve, qëllimi ishte monitorimi i B.S, për ta sulmuar në momentin kur ai do të shkonte për të takuar vëllain e tij, S.S, i cili po vuan dënimin për plagosjen me thikë të N.A në një berberhane. Dyshohet se veprimi lidhet me synimin për hakmarrje ndaj B.S.
N.A u arrestua pak minuta pasi qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj B.S në Pogradec. Ndërkohë, në pranga ra edhe D. P, ndërsa në kërkim janë shpallur E.A dhe M.B.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit të ndodhur në Pogradec, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e M.B dhe E.A.
Lini një Përgjigje