Çdo pranverë, ujërat e Detit të Zi pësojnë një transformim spektakolar, duke kaluar nga ngjyra e thellë indigo në një nuancë të ndritshme bruz. Fenomeni natyror, i dukshëm edhe nga hapësira, shkaktohet nga lulëzimi masiv i kokolitoforëve, alga mikroskopike njëqelizore të mbuluara me pllaka të karbonatit të kalciumit, të cilat shpërndajnë dritën e diellit dhe i japin detit ngjyrën karakteristike blu-jeshile.
Më 22 qershor 2026, sateliti PACE i NASA-s fotografoi Detin e Zi në kulmin e këtij lulëzimi, ndërsa një astronaut në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor kishte dokumentuar të njëjtin fenomen edhe më 27 maj, me shirita ngjyrë bruz që shtriheshin përgjatë Bosforit dhe ndiqnin rrymat detare. Përtej pamjes mahnitëse, fenomeni ka tërhequr interesin e shkencëtarëve. Një studim i botuar në revistën shkencore Diversity nga Instituti Shirshov i Oqeanologjisë zbulon se në vitet 2022 dhe 2023 lulëzimi i kokolitoforëve zgjati shumë më tepër se zakonisht, duke vazhduar deri në korrik, ndërsa normalisht përfundon në mesin e qershorit.
Sipas studiuesve, kjo u shkaktua nga një kombinim faktorësh, përfshirë erërat e dobëta, një termoklinë më të cekët dhe një çekuilibër të lëndëve ushqyese në ujë. Mungesa e erërave të forta bëri që shtresa sipërfaqësore e ujit të mbetej e qetë dhe e ndriçuar, duke krijuar kushte ideale për zhvillimin e algave. Një rol të rëndësishëm luajti edhe përbërja kimike e ujit. Në korrik të vitit 2022, reshjet e dendura transportuan sasi shtesë fosfori në zonat bregdetare, ndërsa nivelet e ulëta të azotit favorizuan rritjen e specieve Gephyrocapsa huxleyi, kokolitoforit dominues në Detin e Zi. Në kulmin e lulëzimit u regjistruan mbi nëntë milionë qeliza për litër ujë.
Shkencëtarët theksojnë se këto organizma luajnë një rol të rëndësishëm në ciklin global të karbonit. Kokolitoforët thithin karbon nga uji për të formuar pllakat e tyre të karbonatit të kalciumit dhe një pjesë e këtij karboni depozitohet në fund të detit kur organizmat vdesin. Megjithatë, procesi i formimit të këtyre pllakave çliron gjithashtu dioksid karboni, çka mund të ulë aftësinë e oqeanit për të përthithur CO₂ nga atmosfera. Studiuesit e konsiderojnë Detin e Zi një laborator natyror për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në ciklin e karbonit. Analiza e të dhënave të 25 viteve të fundit tregon se lulëzime kaq të gjata janë regjistruar vetëm në vitet 2022 dhe 2023.
Megjithëse autorët nuk e cilësojnë këtë si një trend të qëndrueshëm, ata paralajmërojnë se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në shpeshtësinë e fenomeneve të tilla. Nëse ngrohja globale favorizon shtresat sipërfaqësore më të qëndrueshme të ujit, lulëzimet e kokolitoforëve mund të bëhen më të zakonshme, duke ndryshuar mënyrën se si oqeanet përthithin dioksidin e karbonit nga atmosfera. Shkencëtarët theksojnë se monitorimi afatgjatë mbetet thelbësor për të kuptuar nëse këto ndryshime janë të përkohshme apo sinjalizojnë një transformim më të gjerë të ekosistemeve detare.
Lini një Përgjigje