Eleni Foureira rrëfen pse e fshehu origjinën shqiptare: Kisha frikë se nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta

1 Korrik 2026, 09:01Lifestyle TEMA
Eleni Foureira rrëfen pse e fshehu origjinën shqiptare: Kisha

Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira ka folur hapur për herë të parë mbi frikën që ndiente në fillimet e karrierës për të zbuluar publikisht origjinën e saj, duke pranuar se kishte frikë se kjo mund t’i mbyllte dyert në industrinë e muzikës në Greqi.

E ftuar në emisionin “The 2Night Show”, Foureira tregoi se ishte rritur me bindjen se origjina e saj shqiptare mund ta pengonte të kishte të njëjtat mundësi si të tjerët. “Kur rritesh, kjo frikë të futet brenda. Mendoja se nëse thosha se jam nga Shqipëria, nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta. Ky ishte realiteti që përjetoja,” u shpreh ajo.

Këngëtarja kujtoi edhe momentet e vështira që përjetonte familja e saj, duke treguar se nëna shpesh qante për komentet dhe paragjykimet që përballej vajza e saj. “Nëna ime më përqafonte dhe qante duke më thënë: “Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë””, rrëfeu Foureira.

Ajo shtoi se mbështetja e njerëzve pranë saj e ndihmoi të vazhdonte rrugën në muzikë, derisa publiku e vlerësoi për talentin dhe jo për origjinën. Gjatë intervistës, artistja ndau edhe historinë e njohjes me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botía. Ajo tregoi se e pa për herë të parë rreth dhjetë vite më parë, kur ai, asokohe pjesë e Olympiacosit, kishte shkuar në lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të skuadrës.

“Kur e pashë, mendova: ‘Sa i pashëm është, mos është aktor apo model?’. Nuk e dija fare kush ishte,” tha ajo me humor. Më pas, Botía i dërgoi një mesazh në Instagram, ku e përgëzonte për performancën. Foureira iu përgjigj dhe prej aty nisi historia e tyre e dashurisë. “Filluam të flisnim, dolëm bashkë dhe gjithçka nisi natyrshëm. Në nëntor festojmë 10 vjet bashkë,” zbuloi këngëtarja. Çifti kanë një djalë, Hermesin, i lindur në shkurt të vitit 2023, dhe vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të njohura të showbiz-it grek.

Lini një Përgjigje