Nisin sot aplikimet për kompensimin e TVSH-së, si mund të përfitojnë fermerët

1 Korrik 2026, 09:25Sociale TEMA
Nisin sot aplikimet për kompensimin e TVSH-së, si mund të

Nisin sot aplikimet për përfitim të kompensimit të TVSH-së te fermerët, nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizëm i certifikuar.

Në total sipas të dhënave të administratës tatimore, numri i fermerëve të pajisur me NIPT është 113 mijë e 470.

Pas aplikimit, masa e kompensimit të TVSH-së për fermerët do të llogaritet direkt nëpërmjet vlerës së autofaturave që përpunuesi apo grumbulluesi ka lëshuar për fermerin, si blerës i produkteve bujqësore.

Skema për aplikimin e përfitimit të TVSH-së te fermerët do të jetë e ngjashme me aplikimet e kompensimit për arsimin e fëmijëve, pas zbritjes së shpenzimeve në DIVA.

Sipas një udhëzuesi të publikuar nga administrata tatimore fermerët e pajisur me NIPT, fillimisht duhet të identifikohen në e-Filing tek menuja “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”.

Pas hyrjes në e-Filing fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.

Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri.

Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht vetë shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit të kompensimit 10%.

Po ashtu, sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë.

Sipas tatimeve, kërkesa do të marrë statusin “ Në proces ”. Përgjigjen e kërkesë fermeri e gjen te menuja “ Të dorëzuara ”. Me kërkesë të Administratës Tatimore mund të bashkëngjitet edhe dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.

Theksojmë se fermeri për përfituar kompensimin, duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH- së. Qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH.

Në vend fermerët që shesin produktet e tyre bujqësore/blegtoralë, nuk bëhen automatikisht subjekt i TVSH-së (pra nuk regjistrohen për TVSH) nëse qarkullimi i tyre vjetor është deri në 10 milionë lekë. Nëse qarkullimi kalon 10 milionë lekë, fermeri duhet të regjistrohet si subjekt i TVSH-së (tatimpagues i zakonshëm).

Nëse fermeri do të rezultojë të jetë i regjistruar me TVSH, aplikimi i tij në këtë rast do të bllokohet. Aplikimi do të bllokohet edhe për rastet kur fermeri nuk zgjedh faturat e shfaqura në sistem, nuk jep të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN, nëse rezulton me status pasiv në tatime apo aplikon pas përfundimit të afatit.

Qëllimi i kësaj skeme është të rimbursojë TVSH-në 10% që fermeri ka paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke nxitur formalizimin e transaksioneve në sektor.

Prej vitit 2019 deri në dhjetor 2021 TVSH-ja për inputet bujqësore ka qenë zero. Nga 1 janari 2022 pas miratimit të ndryshimeve fiskale hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore.

Megjithatë Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit më herët ngriti shqetësimin se rreth 70% e qumështit të shitur te përpunuesit bëhet pa autofaturë./Marrë nga Monitor

Lini një Përgjigje