Ka revolucione që bëhen për bukën. Ka revolucione që bëhen për lirinë. Ka edhe revolucione që bëhen për… flamingot.
Këta të fundit madje po mbushin edhe të dyzetat. Të rrojnë sa malet!
Në fakt, për hir të së vërtetës, flamingot nuk janë banorë të Nartës. Nuk janë as të Zvernecit. Madje, po ta shohësh mirë, nuk janë rezidentë askund. Janë shpendë shtegtarë. Vijnë, bëjnë ca foto panoramike, hanë ndonjë karkalec, pushojnë pak dhe ikin. Njësoj si turistët që zbresin nga charter-i: “Nice place”, bëjnë dy selfie dhe vazhdojnë rrugën.
Pra, flamingot në Nartë janë turistë. Me sqep.
Natyrisht që duhet të mbrohen. Askush normal nuk do t’i prishë habitatin një specieje të rrallë. Ambientalistët kanë plotësisht të drejtë kur kërkojnë kujdes për lagunën.
Por nga kjo deri te përfundimi se nuk duhet t’u shërbejmë njerëzve turistë për hir të flamingove turistë, ka një kënetë të tërë logjike për të kaluar.
Në fund të fundit, a nuk mund t’u shërbejmë të dyve?
Njeriu mund të pijë kafen duke parë flamingon. Flamingoja mund të hajë karkalecin duke parë njeriun. Askush nuk del i humbur.
Madje, po ta mendosh ftohtë, ata që duan të ndërtojnë një resort në Zvernec nuk kanë asnjë interes t’i zhdukin flamingot. Përkundrazi.
Një resort pa flamingo është si një hotel në Maldive pa det. Kush do paguante më shumë për një dhomë me pamje nga… një parkim?
Flamingot janë marketing falas. Janë dekor natyror. Janë “pesë yje” që nuk paguhen me rrogë.
Ironia është se armiqtë më të mëdhenj të flamingove nuk po rezultojnë ata që duan të investojnë pranë tyre, por ata që i duan aq shumë, sa nuk pranojnë të afrohet askush tjetër pranë tyre.
Një dashuri e tillë të kujton atë njeriun që e mban lulen nën kavanoz, që të mos e prekë askush. Pas ca ditësh nuk ka më as lule.
Po hyjmë kështu në të dyzetat e revolucionit të flamingove.
Vetëm se ka një problem të vogël.
Thuhet se këtë vit flamingot vetë nuk erdhën.
Ka mbetur një pelikan kaçurrel, ca rosa të egra, një lagunë e bukur dhe një rrethim prone që pret të zhvillohet. Këtë e pashë vetë..
Në Tiranë dhe veçanërisht në rrjete sociale, revolucioni vazhdon me entuziazëm, ndërsa objekti i revolucionit, flamingo pra, ka marrë pushimet diku tjetër.
Pak a shumë si protestat për mbrojtjen e dikujt që ka ikur prej kohësh.
Në bulevard vazhdojnë të festojmë të dyzetat revolucionare, me arkivole njerësisht në krah.
Bota ka halle të tjera. Plaku Trump vazhdon t’i tregojë globit se çfarë territori do të marrë nesër. Edhe FIFA i hoqi Amerikës edhe kartonin e kuq, me ndërhyrjen e plakut Trump, duke e kthyer në qendër të futbollit botëror. Fuqitë e mëdha po vizatojnë harta të reja me laps. Ne
Kurse ne…
Ne vazhdojmë të ruajmë me heroizëm flamingot turistë nga turistët njerëz. Shohim ëndrra me UÇK, me tradhëtarë që i japim toka Trumpit… Dhe pastaj bindim veten se, po t’i shkojë dikujt të madh ndër mend Zverneci, ne do t’i themi me vendosmëri: “Jo!”
Ha!
Ha-ha!
Në rregull…
Le ta besojmë edhe këtë.
Është, në fund të fundit, një tjetër specie e rrallë shqiptare: optimizmi revolucionar.
Super!
Manjan,si gjithnje nje super shkrim,qan dhe qesh njeriu,nuk jep dot mendjen e tij atyre koke bosheve