Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë zbardhur vendimin e plotë unifikues i cili sjell një kthesë në kriteret e caktimit të masave të sigurimit personal në Shqipëri.
Përmes këtij vendimi, Gjykata e Lartë ka ndryshuar pjesërisht praktikën e vjetër të vitit 2011, duke vendosur standarde të reja që mbrojnë lirinë e individit dhe kufizojnë përdorimin automatik të masës “arrest në burg”.
Ndryshimi i praktikës gjyqësore bazohet në tre parime kryesore që gjykatat duhet të zbatojnë tashmë në mënyrë të detyrueshme:
Ky vendim unifikues erdhi gjatë shqyrtimit të rastit të shtetasit Begtash Zeneli, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 7 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Megjithëse Prokuroria kërkoi me ngulm “arrestin në burg”, Gjykata e Apelit vendosi “arrest në shtëpi” duke marrë parasysh moshën e tij 63-vjeçare, faktin që ishte i rehabilituar ligjërisht dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të bashkëshortes.
Gjykata e Lartë, pasi analizoi rekursin e prokurorit, vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit në shtëpi”. Kolegjet vlerësuan se rrezikshmëria e veprës, megjithëse e lartë, nuk mundet apriori të mbizotërojë mbi rrethanat specifike njerëzore të të dyshuarit, nëse nuk provohet rreziku konkret i ikjes apo përsëritjes së krimit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se ky ndryshim është i domosdoshëm për të përafruar drejtësinë shqiptare me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Sipas vendimit, “arresti në burg” duhet të mbetet gjithmonë si “ultima ratio” (masa e fundit), pasi prezumimi duhet të jetë gjithmonë në favor të lirisë.
Ky vendim, i cili është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare, pritet të ketë një efekt të menjëhershëm në të gjitha sallat e gjyqeve në vend, duke rritur standardin e arsyetimit për çdo kufizim të lirisë personale.
Lini një Përgjigje