Largimi i shkrimtarit Ismail Kadare nga Shqipëria komuniste në 25 tetor 1990, ishte një ndër ngjarjet e rëndësishme me ndikim në përshpejtimin e rënies së diktaturës komuniste. Dy vjet pas rënies së regjimit, Kadare do të kthehej në Shqipëri më 6 maj 1992.
Për shumicën ishte një ngjarje e madhe dhe si të tillë do ta paraqiste në seancën parlamentare të asaj dite, deputeti demokrat Azem Hajdari. Ai propozoi që parlamenti të organizonte një pritje të dedikuar për shkrimtarin e madh shqiptar me përmasa ndërkombëtare. Por jo të gjithë deputetët ishin në të njëjtin mendim me Hajdarin. Për disa prej tyre nuk konsiderohej ngjarje por mundësi për kthim në atdhe të secilit shqiptar.
Kur sapo kishte nisur rendi i ditës, salla e parlamentit pluralist do të përfshihej nga ky debat i papritur. Ajo që duhej të ishte një procedurë protokollare apo një gjest nderimi ndaj figurës kryesore të letrave shqipe, u shndërrua në një arenë me dritëhije, ku u shpërfaqën mllefet e vjetra, xhelozitë politike dhe qasjet e ndryshme ndaj intelektualëve që guxuan të sfidonin regjimin komunist. TemA sjell transkriptin e plotë dhe autentik të atij debati.
E mërkurë, 6 maj 1992, ora 11:45
Azem Hajdari – Jo për diskutim, por kam një propozim.
Është kënaqësi e madhe që sot në aeroportin e Rinasit ulet shkrimtari i madh Kadare. Mendoj që, nga një përfaqësues i tri grupet të dalin ta presin, t'ia bëjmë nderin si duhet këtij shkrimtari të madh. Do të jetë në nderin e këtij Parlamenti demokratik.
Abdi Baleta – Unë mendoj se Parlamenti nuk duhet të merret me gjëra të tilla. Qytetarët shqiptarë tashmë janë të lirë të shkojnë e të vijnë. Mirë se të vijnë! Në protokoll nuk do të fusim as shkrimtarë, as artistë. Ka mënyra të tjera për t'i respektuar ata.
Llazar Lëngu – Kam mendimin se propozimi i zotit Hajdari është me vend. Ismail Kadareja është pa dyshim figura më e shquar e kombit shqiptar e këtij shekulli. Dhe unë mendoj se nuk e cenon nderin e Parlamentit një pritje dinjitoze ndaj Kadaresë, përkundrazi, dinjiteti i Parlamentit do të ngrihet më shumë. Kam mendimin që të hidhet në votë.
Pjetër Pepa – Më duket se nuk bëjmë mirë kur shtrojmë probleme të tilla, sepse ky rast, po të ishte kështu, do të kishte nevojë për diskutim. Unë mendoj, siç tha dhe zoti Baleta, që ai është i mirëpritur në tokën e tij, ashtu siç iku kur e pa të arsyeshme dhe nuk ka pse të bëhet një problem parlamentar për një rast si ky. Ta presin miqtë e tij që e duan, do ta presim të gjithë, ndoshta mund të jem unë ose zoti Baleta, këtu nuk ka pse të kërkohen grupe parlamentare për të pritur një njeri që kur e pa të arsyeshme iku, madje ndoshta ishin ditë më të vështira për këtë popull dhe për këtë vend dhe tani të dalim e t'i bëjmë një pritje që propozohet.
(Duartrokitje nga galeria)
Marash Ibraj – Mbështes propozimin e zotit Hajdari. Mendoj se Kadareja është i mirëpritur dhe i dashur jo vetëm për shokët e tij e për miqtë, por për gjithë kombin shqiptar. Kadareja na nderon me ardhjen e tij.
Skënder Gjinushi – Dëshiroj të them se nuk ia vlen seanca plenare të bëjë vlerësimet dhe biografinë e Kadaresë, se do të bëjmë të kundërtën e asaj që propozonte zoti Hajdari. Nga grupi ynë, zoti Laço, i cili është dhe shkrimtar, ka dalë ta presë, Dritëro Agolli ka vajtur nga socialistët, grupi i PD-së që është i vonuar, le të caktojë një.
Tomor Malasi – Unë mund të shtoj këtë tjetrën që Parlamenti s’rezervon pritje zyrtare. Ne nuk kemi asnjë autorizim, asnjë ligj, asnjë normë që zyrtarisht të presim një person privat. Do ta konsiderojmë në këtë rast një person privat. Kush dëshiron nga të gjithë deputetët, me atë dëshirën e mirë për të respektuar shkrimtarin e shquar shqiptar, të dalë ta presë, nuk ka asnjë pengesë, përkundrazi, jemi të gjithë të gatshëm t'i bëjmë nderimet që meriton.
TemA
Lini një Përgjigje