Studiuesi Irakli Koçollari i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, ndau me publikun një sërë faktesh, dokumentesh dhe interpretimesh historike që lidhen me figurat dhe ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Nga dosjet e shërbimeve sekrete te Ali Pashë Tepelena, Kim Philby dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë, Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik, Koçollari solli një panoramë të gjerë të historisë.
Ali Pashë Tepelena, mes dokumenteve dhe miteve historike
Koçollari u ndal gjatë edhe te figura e Ali Pashë Tepelenës. Ai foli për pasurinë e jashtëzakonshme të pashait, dokumentet që iu sekuestruan pas vrasjes dhe mënyrën se si u administrua thesari i tij. Historiani analizoi gjithashtu mënyrën se si Ali Pasha është përshkruar nga autorë të huaj si Alexandre Dumas duke komentuar pretendimet dhe polemikat që kanë shoqëruar figurën e tij.
Letra për Titon dhe planet për eliminimin e Enver Hoxhës
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte rrëfimi për një letër që, sipas Koçollarit, i ishte dërguar Titos nga Nako Spiro. Historiani tha se në këtë dokument kërkohej eliminimi i Enver Hoxhës, i konsideruar si pengesa kryesore për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Ai solli edhe detaje për raportet mes Titos dhe Stalinit në lidhje me Shqipërinë.
UDB-ja dhe veprimtaria kundër shqiptarëve
Në intervistë u trajtua edhe roli i UDB-së dhe strukturave të shërbimeve sekrete jugosllave ndaj shqiptarëve. Koçollari foli për metodat e ndjekjes, infiltrimit dhe operacionet që, sipas tij, u zhvilluan për dekada kundër shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Arvanitasit në Greqi dhe identiteti i tyre
Historiani preku edhe çështjen e arvanitasve në Greqi. Ai foli për numrin e tyre, historinë, kontributin në shtetin grek dhe mënyrën se si identiteti i tyre është trajtuar ndër vite. Sipas Koçollarit, dokumentet historike tregojnë një rol shumë më të madh të arvanitasve në historinë e Greqisë sesa pranohet zakonisht.
Dokumente që ndryshojnë mënyrën si lexohet historia
Gjatë bisedës, Koçollari theksoi se shumë prej dokumenteve që ka studiuar në arkiva vendase dhe të huaja ofrojnë një këndvështrim tjetër për ngjarje dhe personazhe të rëndësishme historike. Ai u shpreh se historia duhet parë përmes dokumenteve dhe jo miteve, duke ftuar publikun të njohë faktet që, sipas tij, kanë mbetur për shumë vite jashtë vëmendjes./dritare.net
Intelektual, patriot dhe burrë i rrallë shteti.