
Nga Jovana Kërstiq, REL
Tërheqje politike apo taktikë për të qëndruar në pushtet? Kjo është pyetja që pason deklaratën e Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë, para mijëra mbështetësve të tij të mbledhur të shtunën në një tubim në qendër të Beogradit.
Vuçiq u tha atyre se do të jetë president i shtetit "vetëm edhe për disa javë".
Nëse kjo ndodh, ai do të tërhiqej më pak se një vit para përfundimit të mandatit të tij presidencial në maj të vitit 2027. Vuçiq është zgjedhur dy herë president i Serbisë dhe, meqë Kushtetuta serbe nuk lejon mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte përsëri për këtë post.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai paralajmëron tërheqje.
Në publik, ai ka ofruar dorëheqje në situata krizash më të vogla dhe më të mëdha politike.
Tani, për një vit e gjysmë, ai është përballur me njërën nga krizat më serioze, në valën e protestave që kërkojnë ndaljen e korrupsionit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Deri më tani, ai i ka refuzuar thirrjet për zgjedhje. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dushan Spasojeviq, vlerëson se në deklaratën e tij të fundit mund të lexohet synimi për kalimin në postin e kryeministrit të Serbisë.
“Ardhja e tij eventuale në pozitën e kryeministrit vetëm do ta vendoste, në kuptimin kushtetues, aty ku ai tashmë është - si figura kryesore politike që merr të gjitha vendimet në vend”, tha Spasojeviq për Radion Evropa e Lirë.
Spasojeviq konsideron se ka disa “kalkulime politike” që mund ta kenë shtyrë Vuçiqin të paralajmërojë dorëheqjen.
“Njëra është se ai nuk mund të kandidojë më për president dhe duhet të kandidojë për një pozitë tjetër. Në këtë rast, mbajtja eventuale e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën kohë do t’i mundësonte atij të merrte pjesë plotësisht në fushatë”, thotë Spasojeviq.
Në tubimin në Beograd, Vuçiq u tha anëtarëve të partisë së tij se do t’i ndihmojë të fitojnë besimin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë, ai nuk tha se kur do të shpallen këto zgjedhje, as në çfarë mënyre planifikon të përfshihet në garën zgjedhore.
“Një llogari tjetër mund të jetë se Vuçiq konsideron se kandidati i SNS-së [Partia Progresive Serbe] do ta ketë të vështirë të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe se po krijon paraprakisht një lloj tërheqjeje strategjike, për të kaluar në një funksion më të fuqishëm kushtetues”, vlerëson profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Spasojeviq.
Në deklaratat e tij gjatë muajve të fundit, Vuçiq nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit në postin e kryeministrit.
Pyetjeve të REL-it për këtë çështje nuk iu përgjigjën as partia e tij, SNS, e as Presidenca serbe.
Që nga nëntori i vitit 2024, Vuçiq po përballet me protesta masive antiqeveritare. Lëvizja studentore, e cila i udhëheq këto protesta, e akuzon pushtetin në Serbi për korrupsion dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Me këtë, ai u dërgon mesazhin se vazhdon të jetë aktori që e përcakton dinamikën e proceseve - se, për shembull, mund të propozojë shpalljen relativisht të shpejtë të zgjedhjeve parlamentare, pastaj mund t’i përshpejtojë zgjedhjet presidenciale, ose t’i bashkojë apo t’i ndajë ato”, thotë Spasojeviq.
Protestuesit në Serbi kanë kërkuar nga Vuçiqi t’i respektojë kompetencat e tij kushtetuese si president i shtetit.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, pushteti ndahet në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa funksioni i presidentit është kryesisht protokollar.
Ndër të tjera, presidenti e përfaqëson Serbinë brenda dhe jashtë vendit, komandon ushtrinë, shpall ligjet, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, si dhe jep falje dhe dekorata.
Protestuesit antiqeveritarë e kanë akuzuar disa herë Vuçiqin për tejkalim të këtyre kompetencave, ndërsa për këtë kanë tërhequr vërejtjen edhe organizata të shumta joqeveritare në Serbi.
Ky lider populist dhe SNS-ja janë boshti i pushtetit që nga viti 2012. Gjatë kësaj periudhe, Vuçiq ka qenë zëvendëskryeministër, më pas kryeministër, ndërsa nga viti 2017 është president i Serbisë.
“Pushteti i tij që nga viti 2012 ka ndryshuar në atë mënyrë që, me kalimin e kohës, ai është bërë gjithnjë e më pak i varur nga aktorët e tjerë dhe politikisht gjithnjë e më i fuqishëm”, thotë profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Dushan Spasojeviq.
Ai beson se, në këtë kuptim, dorëheqja e Vuçiqit nuk do të ndryshonte asgjë thelbësore.
“Më duket se kjo është nisje e planit Putin-Medvedev, ose e veprimeve që ish-lideri malazez Millo Gjukanoviq i ka bërë disa herë”, shtoi Spasojeviq.
Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, është në pushtet që nga viti 1999. Për t’i shmangur kufizimet kushtetuese për qëndrimin në pushtet, ai ka alternuar mes funksioneve të presidentit dhe kryeministrit.
Sipas një modeli të ngjashëm ka qeverisur edhe Gjukanoviq. Ai për tri dekada ishte lider i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila atëherë ishte në pushtet, disa herë kryeministër dhe në dy raste president i Malit të Zi.
Spasojeviq thotë se kjo nuk është praktikë e zakonshme në demokracitë e zhvilluara evropiane.
“Mendoj se kjo është megjithatë pjesë e një tradite serbo-malazeze-ruse, e cila thotë se fuqia shkon me liderin, e jo me funksionin”, shton ai.
Nëse jep dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, shpallja e zgjedhjeve parlamentare nuk është e domosdoshme që Vuçiq të bëhet kryeministër i ri.
SNS-ja e Vuçiqit aktualisht ka shumicën në Kuvendin e Serbisë - 136 nga gjithsej 250 deputetë.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, kryeministri zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të presidentit të shtetit.
Kushtetuta e Serbisë nuk kërkon që kryeministri të zgjidhet vetëm pas zgjedhjeve.
Në rast të dorëheqjes së kryeministrit aktual, Gjuro Macut, ose të votimit të mosbesimit ndaj kabinetit të tij, përbërja aktuale parlamentare mund të votojë për një kryeministër të ri dhe për një qeveri të re.
Kjo do të thotë se, nëse jep dorëheqje siç ka paralajmëruar, Vuçiq mund të vijë në krye të Qeverisë së Serbisë.
Në pyetjen nëse një skenar i tillë po shqyrtohet, partia në pushtet, SNS, nuk u përgjigj.
Nëse Vuçiq jep dorëheqje siç ka paralajmëruar, sipas ligjit, kryetarja e Kuvendit automatikisht bëhet ushtruese e detyrës së presidentit dhe këtë funksion mund ta ushtrojë më së shumti tre muaj.
Në këtë rast, kjo do të ishte Ana Bërnabiq, e cila në tri mandate ka qenë edhe kryeministre e Serbisë.
Ajo është e detyruar t’i shpallë zgjedhjet presidenciale në mënyrë që ato të mbahen jo më vonë se tre muaj nga dorëheqja.
“Kjo do të thoshte, hipotetikisht, se nëse Vuçiq do të jepte dorëheqje deri në fund të korrikut, zgjedhjet presidenciale do t’i kishim diku në tetor”, thotë Dushan Spasojeviq.
REL nuk mori përgjigje as nga kabineti i Vuçiqit, as nga subjekti i tij SNS, në pyetjet nëse dhe kur mund të priten zgjedhje të parakohshme presidenciale.
Fatkeqesi e madhe eshte nese diktatore si vucic dhe rama do te vazhdojne te jene kryeminister. A e kuptoni qe me largimin e vucicit, i vetmi kryeminister diktator ne europe ngelet rama
Ballkanit nuk i ndahen diktatoret. Rama dhe vucici jane 2 te fundit. Do ishte vertet rilindje per rajonin nese keta shkojne atje ku kane vendin dhe shoket e qeverise, n burg