
Studiuesi Irakli Koçollari, i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, ka kundërshtuar fort tezën se dështimi i operacioneve të shërbimeve perëndimore në Shqipëri lidhet me tradhtinë e agjentit britanik Kim Philby.
Sipas tij, operacionet e CIA-s dhe shërbimeve britanike në Shqipëri kanë dështuar për arsye strukturore dhe operative, jo për shkak të rrjedhjes së informacionit nga Philby. Koçollari theksoi se Philby u përjashtua nga shërbimi britanik në fund të vitit 1949, ndërsa operacionet në Shqipëri vijuan për vite më pas, duke nisur që nga viti 1950 deri në mesin e viteve ’50.
“Grupet e para u kapën përpara se informacioni i tij të kishte ndikim real në terren,” u shpreh ai, duke shtuar se dokumentet tregojnë se strukturat shqiptare kishin arritur të dekonspironin lëvizjet e diversantëve përmes dëshmive, përgjimeve dhe analizës së komunikimeve radio.
Koçollari argumentoi gjithashtu se oficerët e shërbimeve shqiptare nuk ishin “amatorë”, siç shpesh është pretenduar, por kishin formim ushtarak dhe arsimim në vende të ndryshme, përfshirë Itali dhe Bashkimin Sovjetik.
Ai solli si shembull edhe përdorimin e kodeve radio dhe kapjen e transmetimeve të grupeve të infiltruar, të cilat sipas tij u deshifruan nga strukturat shqiptare, duke çuar në neutralizimin e operacioneve.
Studiuesi theksoi se historia e këtyre ngjarjeve duhet të bazohet vetëm në dokumente arkivore dhe jo në mite të krijuara ndër vite, duke vënë në dyshim interpretimet që i atribuojnë gjithë dështimin një figure të vetme si Kim Philby./dritare.net
Kim Philby dha doreheqjen nga MI6 ne 1951 jo me 1949. Ai mbajti lidhjet me MI6 edhe pas doreheqjes. Ne 1955 ai u shpall i pafajshem nga MI6. Ai u aratis ne Moske ne 1963. Pra Kryespiuni i Shqiperise i ka datat dhe per pasoje konkluzionet gabim Pak lexim ne Google dhe do ta gjeni kete.