Dhimbja e tre brezave dhe një fjalor politik që nuk mjafton më

7 Korrik 2026, 21:00Blog Bjorn Runa

Qysh prej ditës së dielë, në rrjet qarkullon një video e cila paraqet në pak sekonda, jo vetëm momentin aktual të ‘Revolucionit Flamingo,’ por edhe një problem shumë më të thellë të politikës shqiptare të pas viteve ’90-të.

Në video shihet N.Q., një prej protestuesve të arrestuar gjatë protestës së të enjtes para Kuvendit, i cili teksa del nga oborri i komisariatit shpërthen në një thirrje të dëshpëruar: “Gjyshin ma kanë varur në litar. Babain ma shfrytëzuan nëpër miniera. Mua më pitë gjakun prej 36 vitesh. Djalin ma detyruat që të hipë në gomone në moshën 15-vjeçare për të ikur në Londër! Poshtë…” Në momentin më kulmor të thirrjes, ai ndalet për pak sekonda para se ta përmbyllë frazën me “poshtë sistemi komunist!”

Mund të themi, në një sens Zizekian, se ky është momenti kur flet ideologjia, pikërisht në atë hapësirë-heshtje mes dhimbjes dhe gjuhës. N.Q. e di më së miri se diçka e ka shtypur familjen e tij përgjatë disa brezave, duke marrë kohën e gjyshit të tij, të të atit, të atij vetë, e madje rrezikon të marrë edhe kohën e fëmijëve të tij. Por, teksa përpiqet ta emërtojë këtë “diçka”, fjala e gatshme dhe më afërt është “komunizmi.” Kjo, sepse fjalori që i ka mbetur, apo i është lënë në dispozicion, është një fjalor i rremë. Me fjalë të tjera, ajo që ai quan “komunizëm” nuk është domosdoshmërisht komunizmi si sistem historik, por emri i vetëm që i ka mbetur për një rend të tërë padrejtësish që kanë vazhduar edhe pas rënies së tij.

Për më shumë se tri dekada, shqiptarëve iu është rrëfyer e njëjta fabul, se diktatura ra dhe pas saj erdhi liria me tregjet dhe demokracinë, ndërsa Europa pret si destinacioni ynë i fundmë. Nëse ka patur gjëra që s’kanë shkuar siç duhet gjatë kësaj kohe, kjo ka ndodhur për shkak të disa politikanëve të korruptuar, jo rrallëherë të etiketuar si mbetje të komunizmit. Nga ana tjetër, ka patur gjithmonë një lloj ngurrimi për ta quajtur “sistem” rendin e ri të pas ’90-ës, çka e bën edhe më të rëndë klithmën e N.Q. në dalje të komisariatit, pasi aty shihet se si ai, dhe më heshturazi të gjithë ne, përpiqemi të denoncojmë të tashmen me gjuhën e të shkuarës.

Revolucioni Flamingo e ka ekspozuar mjaft qartë këtë kontradiktë ku, ndërsa nga njëra anë e ka vënë gishtin në plagë të vërteta sociale, në anën tjetër duket se e ka të vështirë të gjejë një gjuhë të re, duke rënë shpesh “pre” e sloganeve të vjetra që cilido që është rritur pas viteve ’90-të i ka dëgjuar me mijëra herë: “Qeveri e krimit”; “Parlament i krimit”; “Poshtë komunizmi”, që ndonëse askush nuk jua vë dot në dyshim vërtetësinë, mbeten gjithsesi të zhveshura nga domethënia për shkak të mbipërdorimit dhe keqpërdorimit ndër vite. Janë slogane që nuk i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se përse e njëjta logjikë vetëriprodhohet nën qeveri të ndryshme.

Kjo është ndoshta edhe një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot lëvizja e Revolucionit Flamingo. A mundet ajo të prodhojë një gjuhë dhe imagjinatë politike të re dhe krejt të sajën?

Sot ne jemi në gjendje t’i denoncojmë politikanët duke i quajtur “hajdutë” dhe “kriminelë”, dhe duhet pranuar se përjeton edhe një lloj kënaqësie njeriu kur iu drejtohet atyre me fraza të tilla, por ato mbeten fraza të stërpërdorura nga çdo parti e vjetër, sa herë kanë qenë në opozitë, duke ju hequr çdo domethënie me kalimin e viteve. Kështu, ofendimi i vetëm që na mbetet në majë të gjuhës është ta quajmë tjetrin, apo edhe sistemin, “komunist,” duke e shndërruar atë në fjalën që përshkruan jo vetëm diktaturën, por edhe çdo formë shtypjeje që ka pasuar me rënien e saj, nga korrupsioni te padrejtësia dhe arroganca e institucioneve. Mund të duket si diçka që ndodh natyrshëm, por është e gjitha mjaft e dobishme politikisht, pasi lejon që rendi aktual t’i shpëtojë gjykimit sepse gjuha me të cilën do duhej të gjykohej, shtyhet gjithmonë drejt të shkuarës.

Këtu ndoshta protesta has edhe në kufijtë e saj. Ajo e ka gjetur deri tani emrin e armikut të saj kryesor politik tek emri i kryeministrit dhe është e kuptueshme kur sheh kohën e gjatë të qëndrimit në pushtet, por edhe përçmimin dhe arrogancën që shumë prej institucioneve shtetërore shfaqin ndaj qytetarëve, problemet e të cilëve shihen jo më shumë se sa si bezdi.

Dhe kjo është edhe sfida e vërtetë e momentit në të cilin ndodhemi, ku lëvizja rrezikon të kapet (dhe ka dhënë shenjat e para të kësaj) nga fjalori i vjetër i partive politike që çdo plagë sociale e shfrytëzojnë si armë ndaj kundërshtarit të momentit; nga nacioanlizmi që për autorin e padrejtësive e sheh gjithnjë tek tradhëtarët, apo teoritë konspirative që kërjojnë t’i japin zgjidhje të thjeshta problemeve komplekse.

Ajo pauzë e shkurtër mes fjalëve “sistem” dhe “komunist” vlen shumë më tepër se sa moria e fjalimeve qesharake që mbahen ]do mbrëmje para Kryeministrisë dhe vlen akoma më shumë se fjalimet e gjata të politikanëve tanë që shpesh duket sikur nuk e dinë as vete se ]’thonë. Ai hezitim tregon një shoqëri që e kupton se në tri dekada është shtypur, grabitur dhe poshtëruar, por që ende nuk ka gjetur fjalët për ta emërtuar rendin që ia ka prodhuar këtë dhimbje. Ndoshta sfida më e madhe për ne sot është pikërisht kjo, nëse mund të krijojmë një imagjinatë të re politike dhe nëse mund të gjejmë gjuhën e nevojshme për të.

2 Komente

  1. O
    One

    Shkrim i bukur.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Napoi

      Leshi......keshtu thone te gjithe dembelet DHE injorantet QE nuk vajten ne shkolle dhe duan NJE Pune zyre si te gjithe.....)NJE shock i imi feminjerie keshtu ankohet QE me prishjen e sistemit.....Ty te cuan ne shkolle se kishe biografia te mire me THOTE,,,POR e verrete eshte krejt ndyshe ....>Une shkova ne shkolle 7vjevare 3 km larg DHE nuk nungova NJE dite ,ne shi e bresher zbathur ngre e e pangrene ne vitt 57 DERI ne 64 ,kurse ky ndenji ne shtepi DHE tani vazhdon te njejtin muhabet EDHE se eshte pensionist. ..Keta kujtijne se po te ime EDI RAMA keta fillojne Pune nekryeministri ,POR genjejne vehte.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje