Rutina e 'kilometrit të fundit'

7 Korrik 2026, 18:30Blog Eduard Zaloshnja

Nga Eduard Zaloshnja

Në janar Berisha filloi ciklin e N-të të protestave bulevardore të PD-së, me premtimin se ato do ta detyronin Ramën të jepte dorëheqjen, për t'i hapur rrugën krijimit të një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme.

Çdo 10 ditë Berisha i thërriste përkrahësit e tij në bulevard, duke u dhënë shpresë se kishte mbetur vetëm "kilometri i fundit" në marshimin drejt rrëzimit të qeverisë Rama. Por pas çdo 10 ditësh, protesta tkurrej në numra dhe rritej në dhunë (në formën e molotovëve dhe flakadanëve).

Rutinën e "Kilometrit të fundit" Berisha e vazhdoi deri në mes të majit, kur u bë qesharak vazhdimi i mëtejshëm - po dukej më shumë si kilometri i fundit i vetë Berishës, se sa Ramës që e përqeshte atë nga Kryeministria.

Një rutinë të ngjashme, por me përmasa më të mëdha, po përsërisin organizatorët e protestave bulevardore aktuale. Çdo javë ata bëjnë thirrje për grumbullim masiv të protestuesve të shtunave (nga brenda e jashtë vendit), duke krijuar shpresën se të shtunën e radhës turma protestuese do të jetë aq e madhe sa do ta detyrojë Ramën të japë dorëheqjen. Por turmat nga e shtuna në të shtunë vetëm zvogëlohen...

Për më tepër, organizatorët e protestave nuk e kanë bërë të qartë publikisht se çdo të ndodhë, edhe sikur Rama të japë dorëheqjen. Deri tani ata kanë demonstruar se dinë të organizojnë radhën e dhënies së mikrofonit protestuesve që duan të flasin apo itenerarin e marshimit pas përfundimit të protestës, por jo një rrugë kushtetuese për kurorëzimin e objektivit të tyre final.

Nikol Pashinijan, fjala vjen, e nisi në Armeni "Revolucionin e Kadifenjtë" me 100 protestues pas tij, dhe eventualisht në shesh u mblodhën mbi 100 mijë. E gjithë kjo zgjati nga 31 marsi 2018 deri më 8 maj 2018, kur Nikol Pashinijan u zgjodh kryeministër me pothuaj 60% të votave në parlament, megjithëse partia e tij kishte vetëm 10% të mandateve.

Kurse protestuesit bulevardorë në Tiranë nuk kanë as lider dhe as numrat në shesh për të realizuar atë që protestuesit armenë realizuan para gjashtë vjetësh. Këta tanët thjesht po vazhdojnë rutinën e "Kilometrit të Fundit"…

Blog Tema