Dosjet ende të mbyllura të diktaturës janë një nga plagët e tranzicionit shqiptar. Një çështje që politika nuk e zgjidhi kurrë, por e mbajti pezull, duke e përdorur herë si armë për sulme politike, herë si mjet shantazhi ndaj kundërshtarit. Çdo përpjekje për ta trajtuar seriozisht u përplas me interesat politike të kohës, ndërsa viktimat e diktaturës mbetën sërish në pritje të drejtësisë.
Një nga debatet më të ashpra u zhvillua në vitin 2009, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e lustracionit të hartuar nga Partia Demokratike, duke kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias për shkak të disa dispozitave që ngjallnin dyshime për përputhshmërinë me të drejtat themelore të njeriut.
Vendimi ndezi një përplasje të fortë politike. Demokratët akuzuan jo vetëm drejtuesit e Partisë Socialiste, por edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se shumica e tyre kishin shërbyer në sistemin e drejtësisë gjatë diktaturës komuniste si hetues, prokurorë apo gjyqtarë. Pikërisht këta funksionarë, sipas demokratëve, kishin qenë pjesë e proceseve politike, torturave dhe vendimeve me dënime kapitale ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Megjithatë, për socialistët, ligji i lustracionit nuk ishte një përpjekje për t'u përballur me të kaluarën, por një instrument politik i ngritur për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë dhe për të goditur kundërshtarët. Debati në Kuvend u shndërrua në një shkëmbim të ashpër akuzash për përgjegjësitë e së shkuarës: demokratët akuzonin socialistët për trashëgiminë kriminale të Partisë së Punës, ndërsa socialistët kundërpërgjigjeshin duke i etiketuar kundërshtarët si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Në këtë debat spikati replika mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ish-kryeministrit Pandeli Majko. Topalli argumentoi se lustracioni duhej të largonte nga institucionet e larta funksionarët e diktaturës që kishin qenë pjesë e represionit komunist. Ndërsa Majko e quajti gjithë nismën një "blof", duke akuzuar qeverinë se po përdorte të përndjekurit politikë vetëm si propagandë, ndërkohë që gjatë katër viteve të qeverisjes nuk kishte bërë asgjë për ta, pavarësisht se ata përbënin një nga bazat tradicionale elektorale të Partisë Demokratike.
Jozefina Topalli – Atëherë, ndryshimi i madh midis pjesës së majtë dhe asaj të djathtë në lidhje me ligjin e lustracionit është se të djathtët kërkojnë që këto dosje të funksionojnë për ata që janë në këtë sallë, për ata që do të jenë në këtë sallë, për ata që janë titullarë dhe për ata që janë në majat më të larta të pushteteve kryesore, ndërsa ju kërkoni që të krijoni probleme në shoqërinë shqiptare.
Jo, zotërinj! Ne kërkojmë të bëjmë atë që kërkon standardi. Ne nuk merremi me qytetarin e thjeshtë, nuk merremi me punonjësin e thjeshtë. Ne kërkojmë standardet vetëm për nivelet më të larta, që janë: titullarët, deputetët, anëtarët e Gjykatës së Lartë, prokurorët të cilët kanë varur njerëz dhe u kanë tërhequr trupat zvarrë, edhe në vitin ’89, në qytetet kryesore, si në Shkodër, në Sarandë.
(U drejtohet deputetëve të opozitës që flasin nga vendi.)
A keni fëmijë ju, apo jo? Imagjinoni se çfarë do të thotë të tërheqësh zvarrë trupin e vdekur! Si mund të qeshni, more?
A e imagjinoni dot ju që të vritet në kufi një fëmijë 16-vjeçar, në ’89-ën dhe trupi i tij të tërhiqet zvarrë në të gjithë qendrën e qytetit?
A keni ndjenja ju, apo jo? Jeni prindër ju, apo jo? Si mund të pranoni që këta njerëz të jenë në krye të institucioneve? Jo, zotërinj! Këtu ndahemi ne me njëri-tjetrin.
Zoti Bode, urdhëroni!
(Deputeti Braçe ngrihet dhe insiston të flasë përsëri në podium.)
Jozefina Topalli – Seanca ndërpritet.
Pandeli Majko – Zonja Kryetare e Kuvendit,
E kërkova fjalën jo vetëm për të replikuar me kolegun tim të respektuar dhe anëtar të Komisionit të Ligjeve, por, mbi të gjitha, për të shprehur shqetësimin për gjuhën që po përdoret sot për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, në thelb, nuk e ka rrëzuar ligjin për lustracionin, por thjesht e ka pezulluar atë dhe ka kërkuar një mendim. Sipas deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, ky është një mendim nga Komisioni i Venecias. Në qoftë se edhe Komisioni i Venecias ka të infiltruar komunistë, kjo është një histori tjetër.
Të dashur kolegë,
Sot të gjithë ne bashkë mendoj se duhet të skuqemi. Kam parasysh fjalën e Aldos kur tha se u drejtohem 5 mijë familjeve të përndjekura, u drejtohem atyre që janë pushkatuar pa gjyq e kështu me radhë. E gjithë ajo që u bë këtu doli një blof fund e krye. Ky blof duhet thënë kështu siç është, sepse ligji i lustracionit nuk është ligj për të dënuar, por është thjesht një ligj për të hequr nga puna disa që kanë mbetur, që nuk kanë dalë ende në pension. E thënë më troç është për të pastruar disa njerëz që i kanë nxjerrë probleme kësaj Qeverie në sistemin e drejtësisë. Ky është ligji i lustracionit. Nga Partia Socialiste nuk preket njeri me ligjin e lustracionit. Këtë e dini shumë mirë.
Ne sot po rrezikohemi që edhe në zgjedhjet e ardhshme, në punimet e Parlamentit të ardhshëm të kemi përsëri në diskutim ish-agjentët e sigurimit të shtetit. Kjo është përgjegjësia juaj! Kur t’u drejtoheni familjeve të të pushkatuarve pa gjyq, kur t’u drejtoheni familjarëve që kanë qenë të dënuar nga sistemi komunist, duhet të shtroni një pyetje: Çfarë keni bërë për ata në këto 4 vjet? Edhe shtëpitë që kanë marrë në vitin 1992 do t’i futen në kompensim.
Një anëtar i Partisë Komuniste, duke filluar nga im atë, shtëpinë e vet e ka marrë me çmimin e vitit 1992, kurse sot një të përndjekuri do t’ia hiqni nga vlera e kompensimit që ka nga vitet e burgut dhe do t‘ia llogarisni me çmimin e ditëve të sotme. Kjo është e vërteta!
Jozefina Topalli – Ju mbaroi koha, zoti Majko.
Pandeli Majko – Zonjë, unë po flas për një çështje që, në fakt, ka të bëjë edhe me ju. Ju vini këtu dhe na fyeni. Mendoj se kur flisni për shtresat tuaja, për pronarët dhe për të përndjekurit, duhet të bëni një pyetje të thjeshtë: Çfarë keni bërë për ata? Po jua them unë, një zero, asgjë tjetër!
Jozefina Topalli – Fjalën e ka zoti Xhaferri.
Ferdinand Xhaferri – Unë do t’i thosha kolegut Majko, i cili ka qenë dy herë kryeministër i këtij vendi, se i takon të flasë në mënyrë institucionale.
Zoti Majko e di mirë se si i ka marrë shtëpitë babai i tij dhe e gjithë kategoria që ishin rreshtuar në atë drejtim. Se çfarë është bërë për të përndjekurit politikë dhe për ish-pronarët, nuk i takon të ndërhyjë. Kjo Qeveri në vitin 1992 i mori të gjithë të përndjekurit politikë, të cilët ishin me 8 klasë shkollë, sepse ashtu i la sistemi i baballarëve tuaj, dhe i çoi në universitete.
Edhe paketa prej 30 milionë dollarësh, që po përgatitet, tregon se çfarë po bën kjo Qeveri për të përndjekurit politikë. Mbani qëndrim institucional dhe thoni këtu se çfarë keni bërë, që nga amnistia që i dhatë Ramiz Alisë e deri te baballarët tuaj! Kategorinë tjetër na e lër neve.
Lini një Përgjigje