Gjyqet morale po zëvendësojnë protestën politike

13 Korrik 2026, 22:40Blog Bjorn Runa

Një nga zhvillimet më kurioze të protestës që sot hyri në ditën e saj të 44-t është “lufta” që ajo i shpalli politikës në ditët e para, duke u përpjekur të theksonte me çdo kusht se ishte një lëvizje qytetare që refuzonte kategorikisht emërtimin “protestë politike,” ndonëse të gjitha çështjet që ngriti ato ditë të para ishin shumë më politike se spektakli folklorik që u shpalos më pas. 

Në retrospektivë, edhe vetë gjuha e përdorur ditët e para e reflektonte këtë mënyrë si protesta e shihte veten. Duke u përshkruar vazhdimisht si e bukur, vetë bukuria u shndërrua në një lloj virtyti politik. Rinia e protestës, spontaniteti dhe humori ishin jo vetëm tiparet tërheqëse të saj, por shërbenin edhe si provë e legjitimitetit. Po a mjafton bukuria si kategori politike? Lëvizjet politike gjykohen edhe për kreativitetin dhe aftësitë e tyre frymëzuese, por kjo nuk do të thotë që një protestë e bukur s'mund të ndjekë ide të tmerrshme, sikurse një tjetër më pak estetike të mbrojë parime të admirueshme. Në fakt, përgjatë historisë disa nga lëvizjet më të bukura estetikisht kanë mbrojtur ide tejet reaksionare, ndërsa të tjera më demokratike kanë qenë kaotike në pamje dhe shumë larg të qenit “të bukura.”

Ndërkaq, me kalimin e javëve diçka ndryshoi. Teksa kërkesat u zgjeruan drejt dorëheqjes së qeverisë dhe premtimit për “Shqipërinë e Re,” organizatorët, në daljet e tyre publike, nisën të argumentonin se protesta ishte në fakt politike. Ironikisht ky ishte edhe momenti kur gjuha e saj u zhvendos nga gramatika e bukurisë, drejt asaj të virtytit, me fjalimet që nisën të përqëndrohen gjithnjë e më shpesh tek “turpi.” Metoda e turpërimit u përdor fillimisht ndaj medias, e më pas ndaj biznesit dhe kujtdo që nuk bie dakort me çdo deklaratë të protestës. Më së fundi, opearcioni goditi edhe pjesëmarrësit në koncertin e Kanye West të dielën.

Tani, ti mund të jesh ose jo dakort me pjesëmarrjen në atë koncert. Është një muzikant e shkuara të cilit t’i ofron me bollëk arsyet për të mos e pëlqyer dhe për ta kritikuar, që nga antisemitizmi i tij tek komentet justifikuese ndaj skllavërisë dhe denigruese ndaj grave. Secili nga ne është i lirë të shfaqë protestën e vet kundër koncertit, madje edhe ta bojkotojë apo të kritikojë organizatorët, por ka një kufi mes të mos qenit dakort me një koncert dhe përpjekjes për të vendosur se si argëtohen të tjerët.

Në kritikën e tij ndaj Cancel Culture, Zizek argumenton se ajo në fakt nuk përbën një politikë radikale. Përkundrazi, shërben për t’i zëvendësuar ato. Në vend që të përballet me institucionet dhe strukturat e pushtetit, energjia politike derdhet drejt gjykimit të individëve dhe policimit të sjelljes së tyre për t’i ndarë në të pranueshëm dhe të kompromentuar moralisht.

A po shohim diçka të ngjashme edhe në rastin tonë? A ka kaluar protesta gradualisht nga çështje politike si mjedisi, pabarazia dhe modeli zhvillimor tek të gjykuarit se kush meriton dënime publike? A po shohim zëvendësimin e politikës me ekzaminime morale?

Nëse po, atëherë kjo ndoshta shpjegon një tipar që e bën atë disi të frikshme. Javët e fundit, disa parti politike dhe organizata që prezantohen si shoqëri civile, kanë hezituar çuditërisht të distancohen apo të kritikojnë retorikën agresive që po lind nga protesta. Kemi parë sulme individuale ndaj gazetarëve dhe fushata sulmi kolektiv ndaj biznesit. Ndoshta është heshtje taktike ose dakordësi e sinqertë, ose ndoshta gjërat kanë shkuar në atë pikë sa që shumëkush nga brenda protestës trembet ta kritikojë atë sepse do të perceptohet automatikisht si mbrojtës i qeverisë. Sidoqoftë ajo tregon se ruajtja e dobisë politike të protestës, për shumë prej njerëzve brenda saj, është bërë më e rëndësishme se parimet që pretendojnë se mbrojnë.

Për të perifrazuar sërish Zizek-un, kryqëzatat morale të ditëve tona shesh na “zgjojnë” vetëm e vetëm  që të na mbajnë në gjumë në lidhje me problemet më të thella politike. Ndoshta ky është problemi edhe në rastin tonë se, teksa protesta shpenzon gjithnjë e më shumë energji me gjyqe morale, i mbeten më pak rezerva për t’u përballur me problemet që i nxorrën njerëzit në rrugë.

Lini një Përgjigje