Profesori i filozofisë nga Kosova, Blerim Latifi, i ka bërë një analizë fashizmit shqiptar që po shfaqet në protestat në Tiranë, në formën e dhunës së organizuar kundër çdo kundërshtari të tyre.
Në një postim në Facebook, profesor Latifi thotë se fashizmi i sotëm, fashizmi digjital, e ka kthyer komunikimin publik në një arenë ku kundërshtari nuk trajtohet më si bartës i një ideje tjetër, por si armik që duhet sulmuar dhe nxjerrë jashtë skenës politike dhe sferës publike.
Ai thotë se, nëse fashizmi historik çoi në shkatërrimin institucional të demokracisë, fashizmi digjital po e zbraz demokracinë nga kuptimi i saj etik dhe politik.

Postimi i plotë:
Fashistët në Itali dhe nazistët në Gjermani kishin skuadrat e tyre të posaçme të dhunës politike, të cilat i përdornin për t’i sulmuar, rrahur dhe frikësuar kundërshtarët e tyre në rrugë.
Këmishëzinjtë fashistë dhe këmishëkafenjtë nazistë nuk ishin grupe të dhunshme spontane, por formacione të organizuara për presion politik dhe eliminimin e kundërshtarëve nga sfera publike.
Sot, në një formë të re dhe në një terren tjetër, shkopinjtë e dhunës fizike në rrugë janë zëvendësuar nga “shkopinjtë” e rrugëve të rrjeteve sociale.
Në hapësirën online, 24 orë pa ndërprerje, veprojnë skuadra digjitale që sulmojnë dhe përpiqen të delegjitimojnë kundërshtarët e liderëve dhe partive të tyre.
Në vend të dhunës fizike, sot veprojnë këmishëzinjtë e komenteve fyese, poshtëruese, linçuese dhe presioni i vazhdueshëm psikologjik i tyre.
Ky është, pra, fashizmi i sotëm, fashizmi digjital, i cili e ka kthyer komunikimin publik në një arenë ku kundërshtari nuk trajtohet më si bartës i një ideje tjetër, por si armik që duhet sulmuar dhe nxjerrë jashtë skenës politike dhe sferës publike.
Nëse fashizmi historik çoi në shkatërrimin institucional të demokracisë, fashizmi digjital po e zbraz demokracinë nga kuptimi i saj etik dhe politik.
Dhe një gjë tjetër: derisa fashistët dhe nazistët po varrosnin demokracinë, në gojën e tyre mbanin emrin e popullit. Sot, fashistët digjitalë po e shkatërrojnë idenë e demokracisë duke bërë të njëjtën gjë. Shumë prej tyre e bëjnë këtë duke mos e kuptuar, por, siç thotë Umberto Eco, fashisti më i keq është ai që nuk e di se është fashist.
Lini një Përgjigje