Dossier/ Dy çekiçët e Arbnorit, fjalimi që mbylli legjislaturën 1992-1996 dhe batuta e fundit: Unë në jetën time njoh kundërshtarë, jo armiq

12 Korrik 2026, 12:55Dossier TEMA
Dossier/ Dy çekiçët e Arbnorit, fjalimi që mbylli

I prerë në bindjet e tij, por i qetë në komunikim, gjithaq i vendosur në mbrojtje të rregullit parlamentar, por gjithnjë me humorin e hollë që zbuste tensionet. I tillë ishte Pjetër Arbnori, kryetar i Parlamentit në legjislaturën 1992-1996. Në mbyllje të kësaj legjislature ai do të mbante një fjalim mjaft interesant. "Deputetët xanxarë", i cilësonte disa prej tyre dhe, me humor, rrëfente historinë e dy çekiçëve, një dhuratë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe tjetri nga Presidenti i Parlamentit Evropian, ndërsa u kujtonte deputetëve se vendi i përplasjes ishte salla e Kuvendit dhe jo sheshi. "Mos u zini me kryetarin, ai është arbitër", u thoshte me buzëqeshje, duke i mbyllur debatet me autoritet, por pa e humbur kurrë etikën.

Ai mbeti në kujtesën politike si "Mandela i Ballkanit", jo vetëm për 28 vitet e burgut që nuk ia thyen bindjet, por edhe për mënyrën se si e ushtroi pushtetin kur doli prej qelisë. Pjetër Arbnori nuk e solli në Parlament logjikën e hakmarrjes së të përndjekurit, por kulturën e debatit të njeriut të lirë. Në një kohë kur politika shqiptare po mësonte demokracinë mes krizash, përplasjesh dhe pasionesh, ai u përpoq ta kthente Kuvendin në vendin ku konfliktet zgjidheshin me fjalë dhe jo në rrugë.

Kryetar i Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e vitit 1992, Arbnori drejtoi një legjislaturë që hodhi themelet juridike të shtetit të ri demokratik. Gjatë katër viteve u miratuan 558 ligje, kode dhe ndryshime ligjore, të cilat ndërtuan institucionet e ekonomisë së tregut, pronës private dhe rendit demokratik. Por, përtej shifrave, ajo që e bëri Arbnorin një figurë të veçantë ishte mënyra se si e konceptonte politikën në komunikim paqësor të përhershëm me bashkëpunëtorë e kundërshtarë.

Fjalimi i tij në mbyllje të legjislaturës, në pranverën e vitit 1996, është një nga dëshmitë më domethënëse të këtij profili. Ai falënderon njësoj shumicën dhe opozitën, pranon gabimet, kërkon ndjesë për çdo keqkuptim dhe lë një frazë që sot tingëllon pothuajse e pamundur në politikën shqiptare: "Unë në jetën time njoh kundërshtarë, por nuk njoh armiq."

Në fund të mandatit të parë pluralist, Arbnori nuk foli si fitues mbi kundërshtarët, por si kryetar i të gjithë Parlamentit. Ishte një mbyllje që pasqyronte karakterin e tij: një ish-i burgosur politik që kishte mësuar ta vlerësonte lirinë jo si privilegj të fitimtarëve, por si të drejtë të të gjithëve.

Pjetër Arbnori, prill 1996

            Të nderuara deputete, të nderuar deputetë! Sot qe seanca e fundit e legjislaturës së 13-të. Edhe numërimi është i gabuar. Ne numërojmë 11 legjislatura për ato kohë kur nuk ka pasur as zgjedhje të lira, as pluralizëm, as Parlament demokratik dhe nuk numërojmë ato legjislatura të Parlamentit që fillojnë pas Kongresit të Lushnjës dhe shquhen për pluralizëm dhe luftë të gjallë politike.

            Këto 4 vjet përfaqësojnë përvojë të re, punë të rëndë, keqardhje për gabimet, gëzim për sukseset e merituara që arritëm së bashku.

            Janë 558 kode, ligje, ndryshime ligjesh dhe dekretesh të miratuara, përveç vendimeve, interpelancave dhe seancave të pyetjeve.

            Falënderoj të gjithë deputetët, të pozitës dhe të opozitës, të të gjitha partive, si dhe deputetët e pavarur për ndihmesën që kanë dhënë për t'ia arritur deri në fund kësaj legjislature, për larminë që i dhanë këtij kuvendi.

            Falënderoj grupin parlamentar të shumicës, sepse mbi supet e tij ka rënë pesha e madhe e punëve dhe e përgjegjësive. Nuk është gjë e vogël të mbash një qeveri të qëndrueshme për 4 vjet, kur në legjislaturën e mëparshme qeveritë ndërroheshin çdo 3 muaj.

            Është meritë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që duke ndjekur një program bashkëkohor reformash themelore institucionale, juridike dhe ekonomike e futi Shqipërinë përfundimisht në rrugën e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut.

            Për të parën herë, në sajë të punës së Parlamentit dhe të qeverisë, Shqipëria zuri denjësisht vendin që i takonte në Evropë, duke dalë përfundimisht nga izolimi komunist.

            Për 4 vjet rresht Parlamenti dhe Qeveria, guxuan dhe arritën të sensibilizonin diplomacinë evropiane dhe botërore se ka një çështje shqiptare dhe sot po rritet opinioni se nuk mund të ketë paqe në mbeturinat e Jugosllavisë pa zgjidhur çështjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të Kosovës, mbi bazën e parimeve të Helsinkit.

            Rruga e lirisë është e vështirë dhe e gjatë, por fitojnë patjetër ata që këmbëngulin në të drejtat e tyre. Gjatë 4 vjetëve në Shqipëri ka pasur stabilitet, ngritje reale ekonomike, por edhe probleme të shtruara për zgjidhje. Kryesorja është se, me ligjet tona, ndihmuan krijimin e shtresës së pronarëve të lirë dhe të biznesmenëve në fshat dhe qytet.

            Mendoj se është lufta e lirë në Parlament, debati i gjallë dhe shpesh i ashpër, i zhvilluar në seancat tona, i cili ka dhënë ndihmesën që ndeshjet të zhvilloheshin në sallën parlamentare dhe të mos kalonin në rrugë.

            Ndonjë thirrje për të pushtuar sheshet pati një zgjidhje gazmore. Ato i pushtuan djemtë dhe vajzat e reja të kapur dorë për dorë, duke na thënë ne që i afrohemi pragut të pleqërisë: thirrini mendjes, mund të keni ndonjë vend në këto sheshe, vetëm po qe se vini me frymën e demokracisë.

            Gjatë këtyre 4 vjetëve u rrit edhe përvoja jonë. Krahasoni fillimet dhe fundin e legjislaturës. Me përjashtime të rralla, diskutojmë dhe debatojmë me pjekuri, kursejmë kohën, kemi rritur rolin e komisioneve si bërthama bazë ku përgatitet realisht miratimi i projektligjeve, amendamenteve dhe hedhja poshtë e tyre.

            Do të falënderoj sinqerisht edhe grupet parlamentare të opozitës dhe deputetët e pavarur të partive të ndryshme, nuk është falënderim për të larë gojë, se pa ekzistencën e tyre nuk do të kishte Parlament demokratik. Kundërshtimi sjell debatin, debati të bën të mendohesh dhe të nxjerrësh konkluzione dhe jo njëherë Kuvendi ka arritur në përfundime pozitive pas ndeshjes së mendimeve. Do të thosha se ulja e tensioneve i rrit konkluzionet e pjekura, kurse tensionet artificiale nxisin sedrën artificiale.

            Mos harroni se komisionet janë si parlamente të vogla ku është diskutuar lirshëm. Fakti që ata kanë punuar pa praninë e masmediave i ka ndihmuar shpeshherë që të merren vesh, sado që aty bëjnë pjesë edhe deputetë të partive të ndryshme.

            Të gjitha seancat e Kuvendit Popullor kanë qenë të hapura për organet e shtypit dhe publikun. Do të dëshiroja që në kuvendin e ardhshëm të ketë vizita të organizuara nga studentët e universiteteve, të shkollave të mesme dhe të institucioneve për të dëgjuar seancat tona. Ne mësohemi me praninë e publikut, publiku familjarizohet me politikën e hapur.

            Para se të ndahemi do t'i kërkoja ndjesë të gjithë deputetëve të pozitës dhe të opozitës për çdo keqkuptim që mund të kemi pasur, edhe për ndonjë acarim të veçantë.

            Unë në jetën time njoh kundërshtarë, por nuk njoh armiq. Mund të numërohen me gishtat e dorës ata që nuk më flasin, ndërsa unë u flas të gjithëve.

            Do t'u bëja një kritikë dashamirësve deputetëve xanxarë, që mund të kenë fatin të zgjidhen në Kuvendin e ardhshëm. Mos u zini me kryetarin, ai është zgjedhur për të qenë arbitër, aq sa mund të jetë një njëri që i përket një partie, por që ka marrë edhe votat e shumicës dërrmuese të deputetëve të opozitës.

            Këta deputetë xanxarë më kanë detyruar që të bëhem palë dhe të përgjigjem, por në të vërtetë palë janë grupet parlamentare. Në ato duhet të luftoni, të ndesheni, të fishkëlleni, të thërrisni, t'u trokisni tryezave, të duartrokisni dhe kur kryetari t'i bjerë çekiçit, kam 2, njëri prej druri është dhuratë e kryetarit të dhomës së përfaqësuesve të SHBA-së, ma ka dhuruar që në fillim të vitit 1993, tjetri është prej bronzi, e kam nga kryetari i Parlamentit Evropian, salla duhet të pushojë dhe t'i vihet punës.

             Uroj që kryetarin e ardhshëm të mos e detyroni të përgjigjet për gjëra që nuk i përkasin. Me këtë shpresë unë nuk do t'ia lë trashëgim as çekiçin e drurit, as çekiçin e bronzit.

            Shpresoj që pas kësaj pune të lodhshme, të gjithë deputetët pa përjashtim dhe stafi i parlamentit që ka punuar shumë, njëlloj si ne, të vijnë në koktejin që jepet me rastin e përfundimit të punimeve të këtij Kuvendi të shquar, nesër në orën 12:00.

            Tashti përpara mbylljes së Kuvendit do t'ju lexoj mesazhin që Presidenti i Republikës i ka dërguar Kuvendit Popullor.

TemA

1 Komente

  1. S
    Sidoqoftë burrë i urtë

    Megjithëse i dënuar me burg nga regjimi enverist, Arbnori ishte shumë më i matur dhe i pjekur se sa ai komunisti i gërxheve, Saleh Berisha. Shqipëria do të ecte më mirë me president Arbnorin, sesa me atë të çmendurin nga Viçidoli.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje