Në vitet e para të tranzicionit, kur Shqipëria po përpiqej të shkëputej nga sistemi i vjetër dhe të ndërtonte një rend të ri ligjor, një nga sfidat më të mëdha ishte rishpërndarja e fondit të banesave shtetërore. Ndërsa mijëra familje prisnin prej vitesh për strehim, qeveria dhe parlamenti po hartonin ligje që synonin të rregullonin mënyrën e përdorimit të sipërfaqeve të banimit dhe privilegjet që kishin trashëguar kategori të ndryshme nga periudha komuniste.
Mes projektligjeve të asaj kohe ishte edhe një nismë e veçantë për kategori të caktuara të artistëve. Drafti i përgatitur nga specialistët e administratës parashikonte që piktorët dhe skulptorët të kishin të drejtën e një dhome shtesë, e cila do të shërbente si studio pune. Paralelisht, po diskutoheshin edhe vendime për lirimin e vilave të ish-Bllokut komunist nga ish-udhëheqja e regjimit, ndërsa shteti kërkonte të rikthente në administrim sipërfaqe të konsideruara të tepërta.
Debati mori një kthesë interesante në Parlamentin e vitit 1993, kur u vu re se projektligji favorizonte piktorët dhe skulptorët, por nuk përfshinte shkrimtarët. Kryetari i grupit parlamentar socialist të kohës, Namik Dokle, ndërhyri duke argumentuar se edhe shkrimtarët kishin nevojë për një dhomë pune për krijimtarinë e tyre. Si shembull ai përmendi shkrimtarin Ismail Kadare, duke pretenduar se Bashkia e Tiranës po kërkonte t'i hiqte dhomën shtesë që ai e përdorte si studio, një privilegj që e kishte gëzuar gjatë diktaturës.
Procesverbali i këtij debati sjell jo vetëm diskutimin për privilegjet e artistëve, por edhe një panoramë të dilemave që shoqëruan reformën e strehimit në fillim të viteve '90. Në të trajtohen çështje që do të shndërroheshin më pas në problematika madhore të tranzicionit: marrja e sipërfaqeve të tepërta, banesat e ish-udhëheqjes komuniste, zënia arbitrare e banesave shtetërore, si edhe e drejta e qytetarëve për të ndërtuar banesa private krahas atyre shtetërore. Pikërisht në këto diskutime mund të gjenden fillesat e debatit mbi ndërtimet pa leje, një fenomen që në vitet pasuese do të merrte përmasa masive dhe do të çonte në miratimin e ligjeve të posaçme për legalizimet. Tema sjell pjesë nga debate parlamentar ku deputetët pyesin specialistin që po mbronte në seancë projektligjin
Specialisti- Sa është sipërfaqja që do të merret nga ish-banesat e bllokmenëve? Nuk e di. Nuk mund të përgjigjem.
Si do të bëhet marrja e sipërfaqeve të tepërta në Tiranë, sepse Tirana është e ndarë me lagje dhe problemin do ta zgjidhë rajoni?
Ashtu është e vërtetë që Tirana është e ndarë me lagje, siç janë dhe rrethet e tjera, se nuk është vetëm Tirana, po lagjet kanë banesat që kanë dhe administrimin e tyre aty në ndjekje aty dhe natyrisht janë të lidhura me rajonin, në bazë të informacionit që do të japi rajoni dhe rajoni do të nxjerri urdhrin administrativ i cili propozohet t'i jepet në kompetencë rajonit për të vendosur dhe kështu do të bëhet koordinimi midis lagjeve dhe rajonit.
Gjatë një viti janë zënë shumë apartamente. Sipas këtij ligji çfarë do të bëhet me ata persona që kanë zënë këto apartamente në mënyrë arbitrare. Do t'i nxjerrin apo do të bëhet studim tjetër?
Problemi i zënies arbitrare të apartamenteve nuk është objekt i këtij projektligji. Ai është një problem tjetër. Ndoshta i nxitur nga rrethana të pakëndshme, por është objekt i një ligji tjetër që kërkon zbatim dhe hartim të një ligji të ri.
Sa apartamente tre e një kuzhinë ka në Tiranë dhe si do të banojnë personat e tjerë?
Nuk e di sa apartamente tre e një kuzhinë kanë Tiranë. Ndoshta duhet të përgjigjen organet ekzekutive.
Tomor Malasi - T'ia kërkojmë Komitetit Ekzekutiv, ta bëjmë me shkrim dhe ai të përgjigjet.
Specialisti - Janë bërë shtëpi private gjatë një viti. Këtu a do të ketë sipërfaqe të tepërta, a do t'i shtrijë efektet si ligj?
Jo, unë e thashë që në fillim. Një nga të metat e nenit ekzistues të Kodit Civil është se e shtrin efektin edhe për banesat private që është një absurditet, sot për sot. (Me juristen Karmen Qineti, diskutojnë ngadalë për nuancën e një pyetjeje).
Është një pyetje e mundshme që kërkon një mendim më të specializuar, më të rrahur dhe me kolegë të tjerë, por mendoj se një përgjigje e mundshme, me aktivitetin privat të banesave nuk mund ta pengojmë dot. Çdo shtetas, në qoftë se ka mundësi ekonomike mund të ndërtojë. Atij i verifikohet banesa shtetërore, pasi ky ligj ka si objekt banesën shtetërore. Atij do t'i verifikohet nëse ka banesë të tepërt ose jo. Çdo shtetas është i lirë të ndërtojë, në qoftë se ka mundësi apo jo, në qoftë se merr lejen përkatëse.
Pse pengohet dalja e bllokmenëve?
Nuk mund të përgjigjen dot për këtë. Ky është një problem që nuk më përket mua.
Çfarë udhëzimesh mund të dalin nga Qeveria?
Deri tani udhëzime të veçanta nuk janë përgatitur i dëgjova dhe vërejtjet këtu, mendoj se kjo urdhëresë që citova ka nevojë për përmirësime. Një nga detyrat më të ngutshme të Qeverisë do të jetë pikërisht rishikimi i kësaj urdhërese, sepse kjo nuk ka vetëm problemet që u prekën këtu, të metat, por ka dhe të tjera si: në kompetencat e organeve të pushtetit lokal që i referohet organeve aktuale. Ligji "Për organet e reja të pushtetit lokal” u miratua. Ka gjithashtu dhe probleme të tjera që i përkasin planifikimit etj. Pra, akti i parë që duhet verifikuar është urdhëresa. Ndoshta del nevoja dhe për udhëzime të tjera, por kjo do të shikohet rast pas rasti.
A e ka shfuqizuar Qeveria dispozitën që në një hyrje të banojnë dy familje? Ky paragraf ende nuk është shfuqizuar, por projektligji që miraton detyrimisht e shfuqizon atë paragraf dhe detyrimisht duhen harmonizuar pas daljes të këtij projektligji. Pra, duhet shfuqizuar pas daljes së këtij p/ligji. E thashë edhe njëherë që kjo urdhëresë duhet parë.
A ka studim se sa përqind e strehimit do të zgjidhet me këtë projektligj?
E thashë që, unë nuk e di këtë problem.
Këto ishin pyetjet që unë mendova t'i përgjigjem me modesti dhe t'ju falënderoj. Për ato probleme që nuk më përkisnin mua, unë s'munda t'i përgjigjem.
Tomor Malasi - Deputeti Alfred Paloka.
Alfred Paloka - Unë me këto përgjigje më shumë u ngatërrova se sa u sqarova. Prandaj...(Të qeshura në sallë). Me gjithë mend e kam. Do t'i them auditorit përse. Për shembull, me ato përgjigje që u dha: kur një ka banesë shtetërore, ndërton dhe private dhe thuhet që ai mund ta mbajë. Çfarë mund ta bëjë ai ndërtesën shtetërore ose private? Do ta japi me qira në dollarë dhe të ndërtojë prapë ai në kurriz të shtetit, sa të bëjmë edhe spekulime. Në qoftë se ai nuk është në gjendje të përgjigjet, më mirë të thotë me sinqeritet: unë s'përgjigjem dot dhe të vijë njeriu kompetent nga Qeveria dhe të na sqarojë. Pastaj, se si do ta bëjnë në ligjin, atëherë të ngarkojmë një grup nga Parlamenti ta bëjë ligjin. Po e bëri Qeveria, ta bëjë si duhet. Faleminderit!
Namik Dokle - Në dekretin e Presidentit vihen në pozita të privilegjuara skulptorët e piktorët dhe mirë bëhet, e kuptojmë arsyen, sepse edhe ata kanë nevojë për studio për të punuar. Po shkrimtarët, që janë artistë po aq të vlefshëm për shoqërinë, nuk duhet të kenë studio që t'u falen? Se unë kam dëgjuar, për shembull, këto ditët e fundit që Bashkia e Tiranës i ka dërguar familjes së Ismail Kadaresë një shkresë që të dorëzojë dhomën e tepërt. Si do të bëhet në këtë rast? Sepse ne e dimë që edhe shkrimtarët janë pasuri e kombit. Madje shkrimtarët tanë janë më të shquar dhe më të njohur në botë sesa artistët e sferave të tjera.
Nuk e di nëse ky projektligj për heqjen e dhomave të punës së shkrimtarëve është bërë vetëm në Tiranë. Kam patur edhe unë një dhomë pune dhe askush nuk më erdhi të më paralajmëronte se duhej ta ktheja..