"Po bëni hesapet si të kontrolloni votën", ishte akuza që i adresohej dy partive të mëdha në vend PS dhe PD pranverën e vitit 2005. Në prag të zgjehdjeve parlamentare të 3 kortrikut, një komision bip[artisan po pregatishte rformën zgjedhorte që do të zbatohej në atë process zgjedhor dhe partitë e vogla nuk ishin dakord me çfarë po pregatitej në marrëveshje mes dy partive të mëdha. Një debat që nuk ndalon aty por përsëritet në çdo prag zgjedhjesh kur dhe dy partitë e mëdha organizohen në komisone bipartizane për të bërë pazarin e radhës me votën. Para se të hynte në fuqi një tjetër Kod Zgjedhor, deputetët e Kuvendit në pranverën e vitit 2005 përsëritën të njëjtin debat që Shqipëria do ta dëgjonte edhe në vitet që pasuan. Të gjithë flisnin për standarde, për votën e lirë, për rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe për nevojën e një reforme. Por, mes rreshtave të fjalimeve, lexohej diçka tjetër: frika se kush do t'i numëronte votat dhe si do të ndërtohej një sistem që favorizonte palët e mëdha. Ishte një reformë që, edhe një herë, nuk synonte të zgjidhte problemin e zgjedhjeve, por të rregullonte ekuilibrat politikë të momentit.
Prej vityit 1990 e këtyej, Shqipëria ka prodhuar shumë reforma zgjedhore. Thuajse para çdo procesi elektoral është ngritur një komision i ri, janë ndryshuar nenet e kodit, janë bërë marrëveshje politike dhe janë premtuar standarde europiane. Megjithatë, në fund të çdo cikli, rikthehet i njëjti refren: zgjedhjet nuk ishin të lira, vota u deformua, administrimi u politizua dhe reforma duhet bërë sërish. Kjo histori përsëritej edhe në seancën parlamentare të vitit 2005, kur Kuvendi diskutonte ndryshimet në Kodin Zgjedhor pak muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Ilir Meta, në atë kohë kryetar i LSI-së, një parti që kishte vetëm një vit që ishte themeluar, e cilësoi marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike si një pakt që nuk sillte më shumë transparencë, por vetëm realizonte interesat elektorale të dy partive të mëdha. Sipas tij, reforma po bëhej sërish në prag të zgjedhjeve, duke përjashtuar forcat e tjera politike dhe duke cenuar konkurrencën. Edhe aleati i atëhershëm i socialistëve, Lufter Xhuveli, pranoi se zgjedhjet në Shqipëri kishin qenë vazhdimisht problematike. Ai identifikoi dy plagë që përsëriteshin në çdo proces: manipulimin gjatë numërimit të votave dhe mungesën e përfaqësimit të të gjitha partive në administrimin zgjedhor. Sipas tij, Kodi i ri nuk i zgjidhte këto probleme, sepse vazhdonte t'ua linte kontrollin e procesit vetëm disa forcave politike. "Nuk është normale që votat e një partie t'i numërojë konkurrenti tjetër", u shpreh ai, duke kërkuar që çdo subjekt pjesëmarrës të kishte njerëzit e vet në numërim.
Më i drejtpërdrejtë ishte Dashamir Shehi. Ai e quajti reformën "një arnim të Kodit të vjetër" të bërë vetëm për interesat e dy partive të mëdha. Sipas tij, sistemi i ri nuk kishte as moral politik, sepse votat e një force politike do të numëroheshin nga rivalët e saj. Madje, Shehi e cilësoi draftin si "principin e vjedhjeve që në fillim", duke akuzuar se pas argumenteve teknike fshihej synimi për të kontrolluar rezultatin zgjedhor. "Pse s'doni ta bëni këtë? Sepse që në princip, që në kokë jeni duke bërë hesapet se si mund ta kontrolloni procesin zgjedhor", deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit.
Dy dekada më vonë, leximi i këtij debati krijon një ndjesi të fortë déjà vu-je. Fjalët ndryshojnë pak, protagonistët shpesh ndërrojnë krahët politikë, por thelbi mbetet i njëjtë. Edhe sot, pas çdo zgjedhjeje, politika rikthehet te reforma zgjedhore. Ngrihen komisione të posaçme, zhvillohen negociata, përfshihen ekspertë ndërkombëtarë dhe premtohet një Kod i ri. Megjithatë, në fund, ajo që ndryshon më shpesh është mënyra se si ndahen komisionerët dhe si balancohen interesat e partive, jo garancitë që vota e qytetarëve të jetë e lirë dhe e paprekshme. Aktualisht në parlament po funksionon nëj komision bipartisan PS-PD, me bashkëkryetarë Damian Gjiknuri i8 PS-së dhe Oerd Bylykbashi I PD-së. duket njësoj si 20 vite më parë. Tema sjell pjesë nga debati në parlament pranverën e vitit 2005, për reformën zgjedhore.
Ilir Meta – I nderuar zoti Kryetar, të nderuar kolegë deputetë,
Besoj se kjo është një seancë shumë e rëndësishme, pavarësisht nga ajo çfarë duket deri tani, që dy partitë kryesore aktualisht në Kuvend kanë vendosur të respektojnë marrëveshjen e tyre, e cila nuk sjell aspak më shumë transparencë, besim dhe klimë më të mirë për zgjedhjet e ardhshme, nuk siguron aspak standarde më të larta të zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend, por thjesht realizon interesat e tyre të ngushta elektorale. Ndaj propozimet e Lëvizjes Socialiate për Integrim dhe amendamentet që ajo ka paraqitur, synojnë për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme, jo thjesht në interes të kësaj Lëvizjeje, por në interes të të gjithë procesit dhe të integrimit europian të vendit.
Ne kemi kërkuar që të gjitha forcat politike parlamentare të kenë përfaqësues në komisionet zgjedhore. Në qoftë se bëhet kjo reformë zgjedhore, e cila kryhet gjithmonë në prag të zgjedhjeve, ajo bëhet për të reflektuar realitetin e ri politik në vend. Këmbëngulja e dy partive aktualisht të mëdha në këtë Kuvend për të barazuar forcat e reja politike parlamentare me parti të cilat vetëm janë regjistruar në gjykatë, tregon përpjekjen e tyre për të mos njohur këtë realitet politik dhe për të diskriminuar konkurrencën e lirë e të ndershme në zgjedhjet e ardhshme dhe për të cenuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.
Po kështu, ne kemi bërë disa propozime që synojnë të sjellin disa masa sigurie, që do t’u heqë mundësinë komisionerëve të administrojnë në mënyrë të kundërligjshme procesin zgjedhor në të gjitha frazat e tij: në votim, në transport dhe në numërim. Këtu përfshihen kërkesa që kanë të bëjnë me firmosjen e fletëve të votimit nga të gjithë anëtarët dhe vëzhguesit në qendrën e votimit, me mënyrën që fleta të ketë elemente sigurie shtesë dhe të kontrollueshme, gjë që garanton mbërritjen e tyre në qendrën e numërimit pa rrezikuar ndërrimin e tyre gjatë transportimit.
Gjithashtu, ne kemi kërkuar që transportimi i kutisë së votimti të jetë i sigurt, nën mbikëqyrjen e komisionerëve dhe të vëzhguesve të komisioneve të qendrave të votimit, por jashtë kontrollit të tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, kutia dhe rezultati i zgjedhjeve mbeten në ndërgjegjen e 7 komisionerëve, të cilët kanë të drejtën e transportimit të saj. Një propozim i tillë vë në rrezik të gjithë procesin, pasi janë vetëm këta 7 persona që do të kenë kontroll të plotë mbi kutinë e votimit dhe në këtë mënyrë do të jenë edhe në qendër të përpjekjeve për të manipuluar rezultatin zgjedhor nëpërmjet ndërrimit të fletëve të votimit në kuti.
Një propozim tjetër yni ka qenë që dorëzimi i kopjeve të perocesverbaleve edhe për vëzhguesit e të gjitha niveleve të jetë një e drejtë themelore, për t’u kontrolluar formalisht procesi zgjedhor nga të gjithë pjesëmarrësit në të. Dhe kjo është pranuar nga Komisioni i Ligjeve.
Ne mendojmë se është tërësisht absurde dhe një element që vë në diskutim tërë procesin e numërimit të votave që një parti të ketë vetëm një vëzhgues për 5 tryezat ku do të bëhet numërimi i fletëve të votimit njëkohësisht. Kjo është gjëja më absurde dhe absolutisht është një hap prapa në raport me Kodin Zgjedhor ekzistues dhe me të gjitha proceset zgjedhore që janë bërë më përpara në vend. Në këtë mënyrë, këto vetëm zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të jenë
Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë, edhe nëpërmjet amendamentit të paraqitur sot, të paraqitur njëkohësisht edhe në Komisionin e Ligjeve para dsa ditësh, realizimin e të drejtës së votës për të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri, në mënyrë që ata ta ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese kudo që banojnë.
Së fundi, unë dua t’ju siguroj të gjithëve se këto kërkesa që ne kemi bërë, nuk kanë të bëjnë thjesht me LSI-në. Dua t’u bëj të qartë të dy palëve këtu se ne nuk kemi dalë në jetën politike dhe as nuk hyjmë në zgjedhjet e ardhshme me shpresën dhe me iluzionin se ju do të numëroni votat tona. Do t’ju ftoj ta merrni në konsideratë faktin që po shkatërroni procesin zgjedhor në Shqipëri, që këtë lloj kodi askush nuk mund ta pranojë si një hap përpara për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, që po tensiononi e do të tensiononi klimën politike në vend, kur i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme. Votat e qytetarëve shqiptarë që do të jenë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ju siguroj juve dhe të gjithëve që do t’i numërojë dhe do t’i mbrojë vetë Lëvizja Socialiste për Integrim. Do ta mbani përgjegjësinë ju, në qoftë se nuk do të merrni në konsideratë propozimet që bëjmë ne.
Lufter Xhuveli – I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Siç dihet, zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht problematike, dhe kjo ka rrjedhur, nga njëra anë, për defektet e kodeve elektorale që kemi miratuar e jemi përpjekur t’i zbatojmë, dhe nga ana tjetër, për shkeljen e atyre kodeve, mbi bazën e të cilave është ndërtuar procesi i votimit.
Tani jemi sërish në një fazë të re, kur po shqyrtojmë përmirësimet e Kodit Zgjedhor, mbi bazën e vërejtjeve dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, si dhe të zgjedhësve shqiptarë e të përfaqësuesve të tyre politikë.
Tashmë është një fakt i njohur që zgjedhjet në Shqipëri janë deformuar në përfundim, kryesisht gjatë procesit të numërimit të votave, gjatë procesit të regjistrimit të tyre dhe të hedhjes në tabelat përfundimtare. Po ashtu, një pjesë e shkeljeve kanë rrjedhur për faktin se jo të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje kanë pasur përfaqësuesit e tyre në komisionet zgjedhore. Këto kanë qenë çështjet themelore, të cilat ky kod do të duhej t’i përmirësonte, dhe këto kanë qenë edhe dy çështjet për të cilat ne kemi këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme që të përmirësohen, si para se të fillonte nga puna komisioni bipartizan, ashtu edhe në procesin e punës të tij.
Tani del problemi: a janë përmirësuar këto? Mendoj që nuk janë përmirësuar potësisht. Ka njëfarë reflektimi për faktin që numërimi i votave nuk do të bëhet më në qendrat e votimit, pra mundësia e manipulimit të votave zvogëlohet. Konkretisht, nga rreth 5 mijë qendra votimi që janë në Shqipëri, do të jenë rreth 100 qendra numërimi. Por, nga ana tjetër, nuk është zgjidhur peroblemi i përfaqësuesve që do të kontrollojinë procesin e numërimit. Dhe kjo më duket se bie ndesh me atë parim demokratik që secila parti duhet t’i numërojë votat me përfaqësuesit e vet. Nuk është normale që votat e një partie t’i numërojë konkurrenti tjetër. Dhe kjo ka qenë një çështje, për të cilën ne kemi debatuar, por që nuk është pranuar deri tani.
Unë mendoj që nuk është normale të ruajmë një statukuo, e cila mund të konsiderohet e dështuar. Nuk është normale që zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë të dëgjojnë vazhdimisht të njëjtën muzikë, por do të duhet që të jemi më realistë dhe neni 34 të përmirësohet, duke parashikuar në të që të gjitha partitë që marrin pjesë në procesin e votimit me lista shumemërore në të 100 zonat ose në zona të caktuara, të kenë përfaqësuesit e tyre për të numëruar votat e për të marrë përgjegjësinë e numërimit të tyre.
Në përfundim, unë do të doja edhe një herë t’u bëja thirrje deputetëve të pranishëm këtu që të reflektojnë mbi këtë çështje thelbësore dhe të mos ta injorojnë, sepse do të jetë me pasoja për demokracinë në Shqipëri, do të jetë me pasoja për pasqyrimin e procesit të integrimit në këtë fazë të rëndësishme që jemi, do të jetë me pasoja edhe për qeverisjen pas këtyre zgjedhjeve, nga ku do të dalin edhe strukturat qeverisëse dhe drejtuese të Kuvendit dhe të Qeverisë shqiptare.
Falemnderit!
Dashamir Shehi – Zoti Kryetar,
Të nderuar kolegë,
Ndejtëm me shpresë dy-tre muaj me radhë që ky debat kaq i gjatë për Kodin Zgjedhor do të përfundonte në një rezultat normal e logjik, ku të gjitha palët të ishin të përfaqësuara dhe ku për herë të parë, pas shumë vjetësh, fatkeqësisht, procesi zgjedhor të konsiderohej i besueshëm. Në fakt, nuk kemi asgjë më tepër, vetëm se një arnim të Kodit të vjetër Zgjedhor për hir të interesave të dy partive të mëdha. Këtu, përveç një elementi të numërimit të votave në qendrat e numërimit, nuk ka absolutisht asnjë gjë të re. Dhe jo vetëm që s’ka ndonjë gjë të re, por këtu ka një kthim prapa shumë të rrezikshëm, siç e thanë edhe disa parafolës, që partitë parlamentare, por edhe atyre që mund të mos jenë, sepse çdo zgjedhje elektorale është një histori më vete, që fillon nga e para, nuk kanë anëtarë jo vetëm në komisionet e votimit në zona dhe në qendrat e votimit, por tashmë nuk kanë më as vëzhgues. Dhe unë nuk e di se si mund të quhet përparim kjo gjë, kur një njeri i vetëm do t’i duhet të bëjë luftë me 35 të tjerë, që janë nga krahu tjetër.
E dyta, këtij lloj kodi i mungon një esencë morale. Si do t’i numërojë votat e mia një njeri që është kundërshtari im, rivali im? Do të mjaftonte vetëm kjo për ta bërë të pamoralshëm këtë kod.
Të nderuar deputetë që jeni në këtë sallë dhe që pas 6 muajve mund të mos jetë gjysma juaj,
Mos merrni përsipër këtë lloj aventure të kotë, këto arnime pa asnjë lloj vlere, pa anjë lloj morali dhe që edhe nga ana praktike do të jenë të vështira për t’u zbatuar! Mos mendoni që ky kod shpëton ndonjë cep xhakete deputeti këtu! Kryetarët e partive tuaja e kanë bërë gati listën se kush do të iki e kush do të qëndrojë në këtë mes. Edhe ky kod nuk bën gjë tjetër, vetëm se u jep kryetarëve tuaj edhe një pushtet tjetër.
Zoti Kryetar,
Ne këtu nuk bëjmë marrëveshje mbi partitë, këtu duhet të jemi të barabartë, se kam dëgjuar një koleg opozitar të thotë që nuk mund të barazohet një parti e madhe me një të vogël. Përpara votës së lirë qytetarët janë të gjithë njëlloj. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjit, nuk ka rëndësi të jenë të barabartë përpara partive. Partitë sot janë të mëdha, nesër bëhen të vogla, historia e ka treguar këtë punë.
Në qoftë se ju këtë e quani Kod Zgjedhor, unë po ju them që kjo është principi i vjedhjeve që në fillim. Dhe më vjen keq edhe për ata të komunitetit ndërkombëtar, që hiqen si ekspertë, se nuk merrkan fare vesh nga kjo punë dhe aq më pak merrkan vesh nga Shqipëria! Ky ishte një lloj sebepi, që të arnoheshin ose të rregulloheshin disa gjëra në këtë kod dhe ai të bëhej i pranueshëm minimalisht 90 %. Dhe kjo nevojë urgjente për të rregulluar gjërat është kaq e dukshme, sa këtu, para një muaji, ngritëm një komision ad-hoc dhe u tha që, kur të bëhen zgjedhjet e reja, të rishikohet i gjithë sistemi zgjedhor. Ndërsa këtu nuk marrim përsipër të rregullojmë absolutisht asgjë, edhe ato që janë gjërat më elementare fare.
Prandaj e vetmja gjë që mund të bëhet sot në këtë kod, kështu siç e kanë bërë, është që t’u shtohet partive parlamentare ose partive që mund të vënë deputetë në 70-80 zona, mundësinë e komisionerit. Ka gjë më të thjeshtë, më elementare, më të moralshme sesa kjo? Domethënë, unë të kërkoj një njeri që të ruajë, të numërojë votën time, kaq, asgjë më tepër. E ç’ju prish kjo juve? Se këtu po na dalin lloj-lloj elementesh teknike: jo po do të bëhen 70 veta në tryezat e numërimit e të tjera, e të tjera. Në qoftë se bëhen 70 veta, le ta bëjnë sallën pak më të madhe. Ka më të thjeshtë sesa kaq, një minimum, që po kërkohet?
Pse s’doni ta bëni këtë? Sepse që në princip, që në kokë jeni duke bërë hesapet se si mund ta kontrolloni procesin zgjedhor. Më duken qesharakë disa këtu që i hyjnë një pazari të pistë, për interes të ca të tjerëve, që mund të mos jenë fare në këtë sallë. Prandaj ju bëj thirrje që të mos bëheni pis me një diçka që nuk keni as për ta futur në xhep, gjysma juaj që jeni këtu.
TemA
Lini një Përgjigje