Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vijon mbështetjen e saj për krijimtarinë letrare për fëmijë përmes Fondit “Libri për Fëmijë”, një projekt i rëndësishëm që synon të nxisë autorët shqiptarë dhe të kontribuojë në pasurimin e letërsisë për lexuesit e vegjël.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku, ka vlerësuar rëndësinë e këtij fondi si një mundësi të çmuar për të mbështetur autorët që i kushtohen letërsisë për fëmijë. Sipas saj, përkrahja e kësaj krijimtarie është thelbësore për të nxitur shkrimin, botimin dhe afrimin e fëmijëve me librin, duke krijuar ura të reja mes autorëve shqiptarë dhe brezave të rinj të lexuesve.
Pas një procesi vlerësimi nga juria e përbërë nga Flori Kasaj (kryetar), Rovena Rrozhani dhe Rudina Çupi, nga 16 dorëshkrimet që kaluan fazën e shqyrtimit u përzgjodhën 5 finalistë: Adelina Mamaqi, Aldo Mustafa, Fatmir Gjestila, Teuta Toska dhe Xhahid Bushati. Në përfundim të procesit, juria shpalli tre fituesit e këtij edicioni.
Teuta Toska – “Na quajnë Motrat Qiriazi”
Motivacioni: Për rrëfimin emocionues dhe bashkëkohor, që i njeh lexuesit me jetën, misionin dhe sfidat e motrave Qiriazi në shërbim të arsimit, gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
Xhahid Bushati – “Plaku me akullore”
Motivacioni: Për vlerat artistike të poezive dhe përrallave në vargje, që ndërthurin natyrën, fantazinë dhe botën emocionale të lexuesve, duke nxitur imagjinatën dhe dashurinë për leximin.
Adelina Mamaqi – “Tregimet e Kalendarit”
Motivacioni: Për tregimet plot humor dhe origjinalitet, që i shndërrojnë ditët e kalendarit në rrëfime argëtuese dhe edukative, duke nxitur kureshtjen e lexuesve.
Urime fituesve dhe finalistëve për kontributin e tyre në pasurimin e letërsisë shqipe për fëmijë!
A.K./TemA
Lini një Përgjigje