PS më pranë dakordësisë me opozitën parlamentare, Hyseni: Ndryshimi i sistemit nuk është tabu për ne

30 Qershor 2020, 08:56Politika TEMA

Prej disa ditësh në korridoret e politikës dhe medias diskutimet rreth Kodit Zgjedhor vazhdojnë, e ndërsa ngërçi i çështjes qëndron tek zgjedhjet me lista të hapura.

Por Partia Socialiste ka dhënë dje sinjale se ajo është gatshme për rënien në dakordësi dhe se për ta ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk është tabu.

Ka qenë deputeti i PS, Alket Hyseni, i cili ditën e djeshme gjatë një interviste televizive, theksoi se mazhoranca nuk sheh me fobi këtë çështje.

Sipas tij, e rëndësishme është të fitosh besimin e njerëzve dhe zgjidhja e përbashkët do të gjendet. “Ne nuk e kemi parë kurrë me fobi dhe as nuk e shohim me fobi.

Çështja e sistemit, ka të bëjë me formatin se si i paraqitesh zgjedhësve dhe se si përkthehet vullneti i tyre në mandate.

Për ne ka qenë e rëndësishme të marrim besimin e njerëzve. Në çdo formulë tjetër po e ke besimin e njerëzve, besoj se je fitues. Rëndësi ka programi, idetë dhe njerëzit që ofron.

Them që duhet ta gjejmë akordin, dhe besoj do ta gjejmë akordin që edhe këtë ta kapërcejmë. Janë në të drejtën e tyre dhe opozitarët parlamentarë.

Besoj se duhet dhe do ta gjejmë një ekuilibër dhe një konsensus për këtë çështje”, deklaroi ai.

Më tej, deputeti Hyseni tha se në 30 qershor Komisioni i Ligjeve do ta shqyrtojë këtë draft dhe do të shikojë cilësinë e tij.

Më pas, ai shtoi se komisioni do e çojë draftin në seancën plenare, nga ku do të vendoset përfundimisht nëse do jetë Kodi i ri Zgjedhor.

“Komisioni nuk e ka ezauruar draftin e tij. Ka një draft të Këshillit Politik i cili i është dorëzuar komisionit. Komisioni do të shqyrtojë këtë draft, kuptohet që është ai faza institucionale e filtrimit.

Besojmë që është një draft i dakordësuar i subjekteve politike dhe ne si Parti Socialiste, si nga historiku ashtu edhe nga parimet që kemi, i qëndrojmë marrëveshjeve dhe do të jetë një draft që do të mbështetet nga ana jonë.

Por tek e fundit, është komisioni që gjatë diskutimeve do të shkojë cilësinë e draftit përveç zgjidhjeve politike, por edhe gjuhën teknike, ligjore të përdorur, formulimet e sakta dhe do ia përcjelli seancës plenare, e cila ka tagrin për të vendosur përfundimisht nëse ky draft do të përkthehet nesër në Kodin e ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, nënvizoi deputeti i PS, Alket Hyseni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje