Edi Rama kujton arkitektin: Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë! Hijen e tij e kam para syve qyshse ai vdiq

31 Gusht 2020, 10:44Sociale TEMA

Kryeministri Edi rama ka kujtuar sot ditelindjen e 85 te arkitektit Maks Velo, i cili u nda nga jeta gati nje vit me pare.

Kreu i qeverise thote se ai nuk e duronte mungesen e lirise dhe per kete pagoi ne kohen e diktatures komuniste!

Postimi i kryeministrit:

HOMAZH

MAKS VELO u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq. Ishin si dy dashnorë xhelozë, që e donin njëri-tjetrin me gjithsej e që grindeshin sa herë dikush hynte në jetën e Maksit apo jeta e tij sillte diçka të re.

Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre!

Kur Maksi vdiq nuk arrija dot t’i mbaja mend të qeshurën, as sot që përpiqem t’ia kujtoj nuk ia mbaj dot mend. Është e sigurtë që edhe kemi qeshur, por jo, duket sikur ai është kujdesur të fshijë me penelin e ujshëm çdo buzëqeshje nga akuareli i kujtesës sime për të.

Edhe nja dy miq që kam pyetur, nuk e mbajnë mend të qeshurën e Maksit. Hijen e tij po, e kam para syve dhe qyshse ai vdiq, ajo është e qartë dhe qartësisht shkaktarja e jetës vetmitare, e vuajtjeve të mëdha, e sherreve me miqtë, e xhirove natën nëpër qytet dhe e ikjeve të tij arratiake nëpër botë, e padiskutim është ajo frymëzuesja e artit dhe poezisë së tij. Edhe e shpërthimeve të tij publike, padyshim.

Maksi nuk ishte një talent si ata që e kanë artin në vena dhe ngjyrat, tingujt, fjalët u dalin si fryma që marrin. Kishte sforcim në artin e tij. Figurat e tij kanë një gjymtim sekëlldisës, ngjyrat e tij kanë një pengim lodhës, poezitë e tij kanë një ngërç sfilitës, opinionet e tij kanë një ton çjerrës.

Arti i tij është si një pasqyrë e sherrit të xhelozisë mes tij dhe hijes së vet. Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet.

Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli. Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur.

Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte. Sot, kur ai s’është më dhe ndjej mall për mikun tim të penguar, që mik s’më kishte dot, fryma më lehtësohet nga ideja që së paku ai është ndarë nga hija e vet dhe ka shpëtuar.

Nuk e di çfarë do të thotë historia e artit shqiptar për Maksin, po jam i bindur se kushdo do të ndeshet me pikturat e tij, do të pyesë: Kush ishte ky Maks Velo? Hija e tij do të jetë vërdallë, po nuk do të përgjigjet dhe Maksi do vazhdojë të jetojë përmes xhelozisë së saj.

#TëPAHARRUESHËM?

 

4 komente në “Edi Rama kujton arkitektin: Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë! Hijen e tij e kam para syve qyshse ai vdiq”

  1. Eduardi says:

    KY I KUJTON PAS.VDEKJES SE KUR JANE GJALLE I FUT NE LISTEN E TE HARRUARVE. HIPOKRIT, MASJTRUES, AKTOR ESHTE KY PALLA.

  2. pa vlere says:

    Po per stadiumin Qemal Stafa qe “e mbyti” totalisht kompleksin egzistues, kolonat, muzeun arkeologjik, etj etj.., te del hija e Mex Velos??

  3. Tepelena says:

    Ne perkujtimin e z.Maks Velo z.Edi Rama ka bere nje shkrim perkujtimor duke respektuar nje nga artistet me me ze qe jetoi dhe sic ndodh zakonisht ne jete u harrua nga masa per shkak te mjerimit mendor. Por nje dicka une personalisht kam per kete shkrim qe nuk eshte ashtu i plote edhe pse ka nje retorike publicisiste. Arti eshte sic shprehej i madhi Leonardo da Vinci nje mendim intelektual dhe nje ashpersi koke forte per arritjen e persosmerise se saj. Pa dyshim qe kryeministri eshte nje piktor edhe i mire ka qene edhe pedagog pikturat e tij kane dmth thenie talenti por ketu eshte kufiri. Maks Velo ishte njeriu i artit qe kerkonte lirine ne diktature arti i realizmit socialst ishte i gjymtuar nga cdo frymezim tjeter si stili i huaj arti modern dhe tentativat per te tejkaluar normat e ish shtetit totalitar. Ketu eshte edhe ndryshimi midis forces se madhe krijuese te Marks Velos dhe kryeministrit i cili ishte dhe eshte i frymezuar nga komunizmi ajo shikohet nga dobesia e analizes se tij pedagogjike. Ku Z.Edi Rama shpreh figurat e tij kishin nje gjymtim sekelldises ngjyrat nje pengim lodhes . Ketu duket qarte ideologjia e z.Edi Rama qe mban ne vetvete mesimet e ish komunismit si edhe te kritikes se artit socialist ndaj cdo rryme te huaj. Pikaso eshte ideatori i cili ka krijuar per here te pare artin modern ate te kubizmit. Kryevepra e tij eshte Les Demoiselles d’Avignon ku ne kete pikture paraqiten pese femra nudo me pamje te tmerrshme figurative. Kjo pikture nga analistet e kohes eshte bere nga autori per pese vjet dhe i gjithe arti afrikan okult eshte transformuar ne figurat e ketyre femrave te cilat perngjajne me ekspresione te magjise se figurave te cilat ngjallin frike. Puna eshte nje kryeveper ne bote sepse ajo ndau per here te pare artin realiste prespektiven ne art bukurine harmonine formen ne nje art tjeter te cuditshem pa formacion artistik por nje tjeter gje e cila quhet art modern. Dihet se maks Velo ka adhuruar Pikason dhe ka pasur nje studio jo private por shtepine e tij ku gjeje shume gjera te vjetra te cilat autori i madh si edhe arkitekt i shkelqyer i gjente neper vende te ndryshme dhe i rezervonte per imagjinaten e me tejshme te artit. Maks Velo ka qene nje artist i madh ai do te mbetet per njerezit te cilet e dashurojne artin dhe jetojne per artin.

  4. Maxi ishte i ralle , perendimor qe vuante shume qe kombi shqiptar po zhgaravitet akoma nen njollen islame. says:

    …si shkaktarja kryesore e prapambetjes shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje