Shahu në distancë Rama-Basha: Ku mund të zihet mat mazhoranca?

29 Shtator 2020, 19:51Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Ngërçi që është si rend dite në Këshillin Politik ishte parashikuar. Jemi në një pikë ku realisht Edi Rama e ka mbajtur protagonismin e lëvizjes, pasi ka edhe votat në Kuvend dhe është në pushtet.

Thelbi i çështjes apo dilema hamletiane e zgjedhjeve të 25 prillit janë ose listat e hapura, ose koalicionet. Duke luajtur me dy porta, edhe me opozitën në Parlament, dhe me PD-në e LSI-në, Edi Rama tashmë pritej se do të vihej në “qosh” që të zgjedhë.

Sepse në fund të fundit është mazhoranca që ka mekanizmat e duhura për të marrë vendime.

Deri më sot, Rama, pas marrëveshjes së 5 qershorit, kur e futi PD-në në sistem, duke i dhënë atë çka donte ajo për administrimin: pra skemën e vjetër të KQZ-së dhe numërimit, një skemë politike, tashmë kryeministri tentoi të provokojë Bashën me çështjen e listave të hapura, duke e bërë fakt të kryer me ndryshimet kushtetuese jo vetëm hapjen e listave, por edhe heqjen e koalicionit-tren duke vendosur koalicionin me listë të përbashkët.

Siç dhe pritej, ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në rangje të ndryshme; SHBA, BE dhe Partia Popullore Europiane, që i vendosën ultimatum Edi Ramës, që nuk mund të bëjë ndryshime në Kodin Zgjedhor pa konsensusin e PD-së.

E pikërisht, në këtë moment, opozita rimori kundë-ofensivën, duke dërguar në tryezë hapjen e listave 100% dhe rikthimin e koalicionit-tren. Një lëvizje mjaft e fortë dhe duhet thënë inteligjente e PD-së, pasi ka deklaruar qartë, hapur dhe në disa rangje se, sido që të të jetë, opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet, por do të garojë më 25 prill.

Lëvizja e PD-së, për herë të parë i kanë dhënë asaj një epërsi: ka siguruar një përbashkim jo vetëm me opozitën parlamentare për çështjen e listave të hapura, por edhe në opinionin publik.

Ka dy ditë që PS është e vetmja forcë që kërkon hapjen e listave me komandim, kurse të gjithë të tjerët janë për hapjen totale.

Një lëvizje që mazhoranca edhe e mban, pasi jo më kot është forcë në pushtet, sepse në fund të fundit ka mekanizmat për të vepruar.

I duhet PS-së që të tërhiqet, e çdo hap prapa nuk se i shkon në favor, pasi merr logjikën se e ka bërë nga presioni i opozitës dhe opinionit publik.

Por edhe këtu ka një kleçkë; nëse Edi Rama tërhiqet për listat, pra i hap 100% siç kërkon PD, edhe pse me hap prapa nuk humb shumë, ama nëse i jep PD-së edhe koalicionet sipas skemës së vjetër, atëherë reputacioni i mazhorancës do të pësonte ulje të ndjeshme.

Pasi i bie që PD, edhe pse dogji mandatet për të rrëzuar qeverinë në tavolinë, edhe pse bojkotoi zgjedhjet vendore, u rikthye në sistem duke marrë atë që donte.

Gjasat janë që Rama nuk do të bëjë hap prapa për koalicionet, pasi nëse e bën, këtu do të jetë problemi për të.

3 komente në “Shahu në distancë Rama-Basha: Ku mund të zihet mat mazhoranca?”

  1. Populli says:

    Tani e dhjeve…EDI RAMA FITON EDHE KET RRADHE!!

  2. Arvanites says:

    Shahun e lu Rama, kta te tjeret lujn dam.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje