Situata e reshjeve, probleme me përmbytjet dhe rrugët nga jugu në veri

8 Janar 2021, 11:32Sociale TEMA

Reshjet me intensitet të lartë të ditëve të fundit kanë filluar të japin probleme thuajse në të gjithë vendin, nga jugu në veri.

Lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati mëngjesin e kësaj të premte, duke filluar përmbytjen e tokave përreth. Prurjet që vazhdojnë të rriten nuk favorizohen me shkarkimin në det, pasi drejtimi i erës në drejtimin jug-perëndim frenon derdhjen normale të lumit në det. Vetë prefekti i Vlorës ka shkuar në Novoselë, ku ka ndjekur nga afër situatën e krijuar.

Ndërkohë, gjatë natës, shirat e rënë kanë shkaktuar rrëshqitjen e njërit kah të rrugës nacionale Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Borsh. Kjo rrugë u rikonstruktua verën e kaluar. Aktualisht, qarkullimi bëhet vetëm në njërin kah dhe pritet studimi i rrëshqitjes për të realizuar riparimin.

Problematike paraqitet situata edhe në veri të vendit, ku reshjet e shiut në zonën e Shkodrës dhe ato të borës në Qarkun e Kukësit, kanë krijuar problem.

Në Shkodër, zona e Obotit, Muriqanit, Velipojës, Zadrimës dhe Kallmetit kanë qindra hektarë tokë nën ujë. Prurjet e lumit Buna dhe Drin janë rritur ndjeshëm. Hidrocentrali i Shkopetit është detyruar të fillojë shkarkimin e ujrave.

Ndërsa në fshatrat e Kukësit, reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar bllokime të rrugëve si dhe rrëshqitje të dherave dhe inerteve. Strukturat lokale janë në terren dhe situata po monitorohet orë pas ore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje