Ish-kreu i Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, është takuar me disa nga kampionët e sportit në njësinë 10 të cilët i ofruan mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 25 prillit.
Duke bashkëbiseduar lidhur me vizionin e tij sa i përket mandatit të tretë, Xhafaj ka zgjedhur t’i përgjigjet pyetjeve të drejtpërdrejta të sportistëve por edhe qytetarëve që shkruanin njëkohësisht në rrjetet sociale.
I shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, deputeti socialist Xhafaj është ndalur tek lufta ndaj korrupsionit, fuqizimi i SPAK, ambicia e tij për të çuar deri në fund betejat e nisura si dhe në disa momente personale ku bashkëbiseduesit e kanë pyetur mes emocioneve të të qenit gjysh dhe politikan.
Për të shprehur mbështetje ndaj Xhafajt, në takim ishin Luiza Gega atletja që do përfaqësojë për një tjetër rekord Shqipërinë në Lojërat Olimpike Tokio 2021, Izmir Smajlaj, kampion europe dhe 5 herë fitues i ballkaniadave, Blendi Nallbani, drejtues i klubit Studenti kampion kombëtar me Tiranën e partizanin, Kristina Hanxhara, kampione e sportit të qitjes, Elona Allmuça, kampione e mundjes te ekipi i Partizanit, Emiljana Ciko, kampione rekordmene në hedhjen e çekiçit, e disa sportistë të tjerë.
Më poshtë po përcjellim disa momente nga bashkëbisedimi:
A ka shpresë që Shqipëria t`i shpëtojë korrupsionit?
Unë besoj që po. Korrupsioni te ne nuk është një perceptim por është një realitet. Është një ndër të këqijat e mëdha, një ndër barrikadat që ne kemi sot për të pasur një demokraci funksionale, një shtet të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha një ekonomi të shëndetshme. Janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në këto vite, sidomos me një sërë masash rregullatore që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj qytetarëve. Janë bërë hapa të konsiderueshëm për ta ngushtuar mundësinë e korrupsionit në zyrat e shtetit. Ky është një hap pozitiv, por është i pamjaftueshëm. Ka një korrupsion të vogël që ne e quajmë “korrupsioni i xhepit” dhe ka një korrupsion që është edhe më i keqi, që unë e quaj ndryshe “korrupsioni i kravatave” i cili ka të bëjë me ne, me politikën. Prandaj është shumë e rëndësishme lufta kundër korrupsionit dhe në mënyrë të veçantë lufta ndaj pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivele të larta. Është bërë shumë, por duhet bërë edhe më shumë prandaj ne, Partia Socialiste, ishim lokomotiva e një reformë të rëndësishme siç është reforma në drejtësi. Përmes saj mundësohet reformimi i sistemit për të dhënë drejtësi dhe për t’i konsideruar të gjithë të barabartë para ligjit, përkthyer rrjedhimisht edhe në një instrument të fortë për luftën kundër korrupsionit. Unë jam shpresëplotë që me bërjen efiçente të sistemit të ri të drejtësisë, pandëshkueshmëria do të vijë duke u ngushtuar. Njëkohësisht me masa të tjera shoqëruese që qeveria ka nisur dhe që besoj do t’i intensifikojë në mandatin që vjen, do të bëjë të mundur që të ndërpriten ato ura ose mundësi të korrupsionit në shoqëri. Sigurisht korrupsioni nuk është një fenomen që gdhihesh në mëngjes dhe thua nuk ekziston më, është një proces, një luftë që i bëjnë edhe shoqëritë më të përparuara. E rëndësishme është që të kesh instrumente të forta, të qëndrueshme që të përballen me këtë fenomen që e kanë të gjitha shoqëritë sot.
A keni ndonjë ambicie që nuk është përmbushur akoma?
Në jetë njerëzit kanë shumë ambicie dhe shumë dëshira. Në moshën time ka dhe më pak. Për fat të mirë unë kam qenë i fokusuar në ambiciet e mia dhe ka pasur një dhe vetëm një kryesore që lidhej me reformën në drejtësi. Them se kam arritur të bëj diçka për shkak se ka qenë jo një projekt i disa muajve, jo i disa viteve, por një projekt që ka zgjatur 1 dekadë, jo thjesht në mendjen time, por në punën e përditshme, për ta ideuar, dizenjuar , për të ardhur deri këtu ku jemi sot dhe jo me pak vështirësi dhe sakrifica është përballur gjithë ky projekt.
Por për fatin e mirë dhe për shkak të mbështetjes së gjerë të qytetarëve në këtë projekt ne sot e kemi këtë projekt jo vetëm një gjë në letër, por një realitet konkret dhe sot nuk po flasim për një drejtësi në projekt, por për një drejtësi në zhvillim. Ky ka qenë projekti kryesor i jetës sime dhe mund të them që është ende i papërmbushur për aq kohë sa ende nuk është bërë funksional i gjithë sistemi, për aq kohë sa nuk është realizuar ende ajo pritshmëri që kemi ne, që kanë qytetarët, që kanë partnerët ndërkombëtarë për ta parë këtë drejtësi në veprim, funksionale, dhe me efekte konkrete në dhënien e drejtësisë dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.
Dhe nëse mund të quhet ende e papërmbushur, si e tillë mbetet në pritshmëritë dhe ambicien time për ta parë të përfunduar. Do ta konsideroja sukses, se erdha në politikë, bëra diçka të rëndësishme dhe po iki i qetë se shërbeva. Jam shumë i lumtur nëse kam shërbyer për një gjë të mirë siç është reforma në drejtësi dhe që i shërben interesit të qytetarëve të vendit tim. Ja vlen të jesh në politikë për një gjë të tillë. Shpresoj për këtë të më vlerësojnë dhe njerëzit.
Pse nuk është futur njeri në burg?
Nuk është tamam kështu. Ka pasur disa raste dënimesh edhe në fushën e korrupsionit në mënyrë të veçantë gjatë këtyre dy viteve të fundit, sepse ka ndërgjegjësim dhe një rol më proaktiv të sistemit të hetimit dhe gjykimit të drejtësisë penale. Me ngritjen e strukturave të SPAK dhe me ngritjen e BKH, unë besoj se do të shohim gjithmonë edhe më shumë raste konkrete, të ndëshkimit, hetimit dhe gjykimit të rasteve korruptive jo vetëm në nivelet e ulëta, por edhe në nivelet e larta. Por të mos harrojmë që e gjithë ky nuk është një proces i lehte. Ne shpesh here e mendojmë këtë si një gjë të zakonshme. Të hetosh nuk është një gjë e lehtë. Duhen muaj punë, investigim, duhen prova, duhen fakte për ta ndëshkuar dikë, pasi kemi të bëjmë me një jetë njeriu dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. E gjithë kjo do një punë hetimi, gjykimi që zgjat në kohë dhe sapo janë ngritur strukturat e reja të SPAK. Nga ana tjetër duhet kuptuar që të gjitha këto struktura janë në një presion të madh . Të mos harrojmë që sot flasin për drejtësinë, njerëz që i kanë shpëtuar drejtësisë me raporte mjekësore, njerëz që shkuan deri te dera e gjykatës dhe u kthyen mbrapsht për shkak të alibisë me raportin mjekësor, për shkak se gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar e mundësuan një gjë të tillë dhe ishin po këta prokurorë dhe gjyqtarë që u promovuan se ishte sistemi i tillë, pasi i promovonte politika. Politika i promovonte, ata i shërbenin dhe e shpërblenin kundrejt një raporti mjekësor. Dhe sot flasin për drejtësinë , pasi e kanë penguar me muaj të tërë që të bëhej kjo drejtësi. Pak kohë përpara ne kishim një rast të pastër korrupsioni për një drejtues lokal lidhur me pronat në bregdet dhe shkoi policia, bëri investigimet, prokuroria e çoi për masë sigurie, gjykata vendosi arrestin. Kjo opozitë që kërkon të vijë sot në pushtet shkoi e gjithë u transferua në Lezhë për të mbrojtur përfaqësuesin e saj përballë drejtësisë. Nuk është e lehtë për një polic, një prokuror, një gjyqtar në këtë presion. Që ta bëjë këtë gjë duhet të ketë integritet vetë, të jetë profesionist i zoti. Më parë nuk e kishim sistemin të përbërë nga njerëz të tillë. Ndaj u desh që të bëhej vettingu dhe të ndërtoheshin këto institucione të reja, në mënyrë që të ketë brenda njerëz me integritet që t’ju qëndrojnë presioneve dhe që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, qoftë ky një qytetar i thjeshtë apo një politikan si puna,ime.
Më mirë gjysh apo politikan?
Është një pyetje që ka shumë emocion kjo. Të jesh gjysh është një gjë e bukur, jashtëzakonisht e bukur. Kush e ka provuar këtë ndjesi duhet të më besojë, nuk ka gjë më të bukur se sa të qenurit gjysh i një nipi apo i një mbese. Në rastin konkret unë jam gjysh i një mbese të bukur si askush siç themi ne për nipat dhe mbesat tona. Është një ndjesi që të krijon një gjë të veçantë dhe ditët që nuk e shoh Lorën, kështu quhet mbesa ime e bukur, janë ditë që më mungon diçka në jetë. Kur je gjysh dhe politikan është një gjë shumë e madhe, sepse je shumëfish i përgjegjshëm për detyrimet që ke ndaj shoqërisë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Teksa shikon mbesën tënde që përpiqesh ti krijosh çdo të mirë dhe shpesh here edhe gjëra të ekzagjeruara duhet të mendosh se sa fëmijë kanë nevojë për përkujdese në këtë shoqëri. Mbesat, nipat, fëmijët tanë i kanë më të lehtë disa gjëra duhet të jemi të realist, por kanë shumë njerëz që flasin për mbijetesën, ka fëmijë që kanë nevojë për ushqimin e tyre të përditshëm, për një rritje të shëndetshme. Kjo është përgjegjësia e një politikani dhe sidomos kur politikani është prind apo gjysh si në rastin tim, qenia gjysh duhet ta bëjë një politikan më të kujdesshëm, më njerëzor. Mos merrni rastet e veçanta të çmendurisë. Ka edhe njerëz të çmendur që mund të jenë gjyshër dhe të përdorin një fjalor banal, që nuk ta merr mendja, por këta janë specie që duhen përbuzur. Nuk mund të jesh gjysh dhe ti hysh tjetrit me libër shtëpie, nuk mund ta kesh ndjesinë e shpirtit të gjyshit apo të nënës, të babës, kur ke një sjellje të tillë. Por midis gjyshit dhe politikës zgjedh gjyshin, por e dëshiroj politikën që të ketë zemrën e një gjyshi, zemrën e një nëne, zemrën e një babe.
Nje socialist punetor me rezultate. Suksese zoti Xhafaj ne punen tuaj, zeri juaj nuk duhet t’i mungoje parlamentit kurresesi. Nder te vetmit qe ka pranuar te marre cdo kosto dhe me vjen keq per kete.
Ndër politikanët më të ndershëm dhe me integritet profesional.
Të tillë duhen parlamentit dhe jo zagarë që lehin në parlament dhe xhvatin e kafshojnë në terren.
Keqardhje që është poshtë në listë por ai gëzon simpatinë e qytetarëve të ndershëm dhe kam besim se do e kemi në parlament; së paku deri sa të jetësohet REFORMA NË DREJTËSI.
Z. Xhafaj njeri I zoti, ne profession, njeri me kemb ne tok, pavaresishte futjes te te rinj eve ne politik po njeres si ju I duhet akoma kuvendit e meriton I ne radhe te pare si njeri I ndershem por edhe kopetente per problemet e ndryshe. urime ne sfiden tuaj Respekte per person in tuaj.
Zoti Xhafaj ndoshta eshte zgjedhja me e mire per socialistet e Tiranes.
I “keqtrajtuar” ne fund te listes nga Rama, ai ne se do te shkoje ne Parlament nuk shkon si i perzgjedhur i Rames, por si i perzgjedhuri i socialisteve te Tiranes. Me kete tager jam i bindur qe do ti sherbej siç duhet PS, jo si kapadai kapricoz e mllefexhi, por si alternative me kulture e me dinjitet.
Une mendoj se ky eshte pikerisht momenti.