Nga Parajsa në Ferr: Historitë e pabesueshme të miliarderëve që mbetën trokë

25 Shtator 2021, 14:15Lifestyle TEMA

Dihet se në këtë botë gjërat ndryshojnë me kalimin e kohës. Nuk ka rëndësi se sa i pasur apo i varfër mund të jesh në një moment të caktuar. Situata mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Ne kemi parë jo pak fatlumë, që kanë punuar shumë, duke arritur ta ndryshojnë statusin e tyre financiar, por edhe shumë manjatë të biznesit që e shkatërruan perandorinë falë stilit të jetës, apo vendimeve të gabuara. Ja cilët janë disa prej tyre.

1. Xhoslin Uajlldenshtein

E njohur edhe si “Catwoman”, Xhoslin Uajldenshtein, shpenzonte çdo muaj 1 milion dollarë për blerje luksoze, dhe paguante 5.000 dollarë vetëm për faturat e telefonit. Ajo ishte e fiksuar pas operacioneve plastike, dhe donte patjetër që të kishte tiparet e fytyrës së maces. Në majin e vitit 2018, ajo paraqiti pranë organeve tatimore formularin e falimentimin, duke pretenduar se kishte 0 dollarë në llogarinë e saj bankare.

Në dosje thuhet se 77 vjeçarja nga Manhatani fiton jo më shumë se 900 dollarë në muaj, në formën e asistencën nga sigurimet shoqërore. Ajo pretendon se disa nga shpenzimet e saj paguhen tani nga miqtë dhe familja e saj. Dikur ajo zotëronte shumë prona, mes të cilave 3 apartamente në katin 51 të Kullës Trump, me një vlerë të përbashkët prej 11.75 milion dollarësh.

2. Berni Medof

Bernard Medof ngriti skemën më të madhe piramidale në histori, duke mashtruar mijëra investitorë për një shumë prej miliarda dollarë, gjatë një periudhe prej të paktën 17 vjetësh. Në vitin 2009, ai u dënua me 150 vite burg. Meqë ai ishte një financier me një reputacion të mirë; disa investitorë ia besuan atij paratë e tyre.

Medof u premtoi në këmbim fitime të qëndrueshme. Por në fund investitorët humbën në total 65 miliardë dollarë, dhe mashtrimi i tij mbeti i pazbuluar për dekada të tëra. Deri vitin e kaluar, vetëm 3.2 miliardë dollarë u ishin rikthyer viktimave të Medof nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Medof ngriti që në vitin 1960 kompaninë e tij, e cila luajti një rol udhëheqës në fillimin e bursës së Nju Jorkut, NASDAQ. Përveç kësaj, ai ishte pjesë e bordit të Shoqatës Kombëtare të Tregtarëve të Letrave me Vlerë. Prandaj, shumë njerëzit besuan se ajo që po bënte ishte e drejtë. Por gjërat filluan të marrin tatëpjetën kur investitorët e tij kërkuan një pagesë totale prej 7.5 miliardë dollarësh, në një kohë që ai kishte gati vetëm 200-300 milion dollarë.

3. Elizabet Holms

Elizabet Holms kishte dikur një pasuri neto prej 5 miliardë dollarësh, dhe ishte një figurë

e shquar e Silicon Valley. Ajo zotëronte një laborator të madh të analizave të gjakut, “Theranos”, me vlerë 9 miliardë dollarë. Më vonë, u zbulua se testet e gjakut të “Theranos” ishin shumë të pasakta.

Në qershorin e vitit 2018, ajo u akuzua për mashtrim, teksa “Forbes” e uli në gati zero vlerësimin e pasurisë së saj. Afro 50 për qind e pasurisë së Holms vinte nga “Theranos”, të cilën ajo e themeloi në vitin 2003 për të revolucionarizuar testet diagnostikuese.

Sot aksionet e “Theranos” nuk tregtohen në asnjë bursë. Ato u blenë nga investitorët në vitin 2014 me një çmim të fryrë, që nënkuptonte një vlerësim prej 9 miliardë dollarësh për kompaninë.

Por kur u akuzua për kryerjen e testeve të pasakta, dhe u vendos nën hetim nga një sërë agjencish federale, “Forbes” bëri një vlerësim të ri, sipas së cilit të ardhurat e “Theranos” janë më pak se 100 milion dollarë.

4. Björgólfur Gudmundsson

Gudmundsson ishte dikur njeriu i dytë më i pasur i Islandës, me shumë aksione në bankën “Landsbanki”. Por banka e tij falimentoi gjatë krizës financiare të vitit 2008, dhe u ble në fund të atij viti nga qeveria Islandeze.

Deri në marsin e atij viti, Gudmundsson kishte një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh në, por “Landsbanki” dështoi vetëm pas 7 muajsh. Ish-miliarderi Islandez kishte pasur një karrierë të gjatë, si drejtues në një kompani birre dhe si pronar i një ekipi futbolli. Ai nisi të kishte probleme me drejtësinë që në mesin e viteve 1980 kur kompania e tij, Hafskip, falimentoi dhe ai u dënua me 1 vit e gjysmë burg për zhvatje.

Pas daljes nga burgu ai shkoi në Rusi për të rimarrë pasurinë e tij. Ai dhe i biri blenë një kompani të prodhimit të pijeve freskuese, të cilën e shndërruan në një fabrikë birre, duke pasur sërish sukses. Gudmundsson u bë sërish një miliarder. Por në dhjetor 2008, pasuria e tij ishte zhdukur. Në gushtin e vitit 2009, ai paraqiti formularin e falimentimit, duke deklaruar më shumë se 500 milion dollarë borxhe.

5. Eike Batista

Në vitin 2012, biznesmeni brazilian ishte njeriu i shtatë më i pasur në botë, dhe njeriu më i pasur në Brazil. Ai kishte një pasuri neto prej 35 miliardë dollarësh. Por në vitin 2014, ai e  humbi të gjithë pasurinë e tij, dhe madje kishte një borxh bankar prej 1.2 miliardë dollarësh.

Batista u bë i pasur nga minierat që zotëronte babait të tij, duke qenë milioner që në moshën 23 vjeçare.

Më vonë, ai ngriti kompaninë e tij të minierave të arit, që çoi në krijimin e “EBX Group”.

Në vitin 2000, ai kishte një pasuri neto prej 20 miliardë dollarësh, duke pasur në pronësi 8  miniera ari në Kanada dhe Brazil, dhe një minierë argjendi në Kili.

Ai ngriti 5 kompani të tjera, “MPX” në energjitikë, “MMX” në miniera, “LLX“ në logjistikë, “OGX” në naftë dhe “OSX” për industrinë e parajsave fiskale. Të gjitha kompanitë e tij lulëzuan, duke e çuar pasurinë e tij në 35 miliardë dollarë në vitin 2012.

Por prodhimi i naftës në zonat e blera prej tij, ishte shumë më i vogël nga sa ishte parashikuar. Kjo e zbehu  besimin e investitorëve, dhe ia vështirësoi financimet e mëtejshme. Në vitin 2013, kompania kishte 5.1 miliardë dollarë borxhe. Sot Brazili ka konfiskuar të gjitha pasuritë e Batistas, dhe ky i fundit është dënuar me 13 vite burg./ unbelievable-facts.com

1 komente në “Nga Parajsa në Ferr: Historitë e pabesueshme të miliarderëve që mbetën trokë”

  1. Asd says:

    Shenoni edhe berishet tek ljo liste.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje