Rriten ndjeshëm blerjet e makinave në vend, për 9 muaj regjistrohen më shumë se gjithë viti 2020

8 Nëntor 2021, 09:43Sociale TEMA

Shqiptarët këtë vit po blejnë më shumë makina. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), për nëntë muajt e parë janë regjistruar 52 357 automjete të reja.

Kjo shifër është afërsisht e barabartë me regjistrimet e reja të kryera për të gjithë vitin 2020. Në mënyrë specifike, numri i autoveturave është në rritje që në fund të 9-mujorit. Sipas DPSHTRR, për nëntë muaj janë regjistruar 44 427 autovetura, në rritje me 1.75% krahasuar me vitin e plotë 2020.

Po ta bëjmë krahasimin mbështetur në mesataren mujore, këtë vit rezulton se janë regjistruar çdo muaj 4936 autovetura, në rritje me 35.7% krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar. Autoveturat përbëjnë rreth 85% të mjeteve të reja të regjistruara.

Afërsisht 39% e mjeteve të regjistruara i takojnë drejtorisë rajonale të Tiranës, me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2020, kur në Tiranë ishin regjistruar rreth 39.5% e mjeteve të reja.

Numri i automjeteve në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta. Kështu, vitin e kaluar u regjistruan rreth 52 mijë automjete të reja, ndërsa u çregjistruan në mënyrë të përhershme vetëm rreth 3200 të tilla. Deri në mesin e këtij viti, në Shqipëri raportoheshin 711 359 automjete aktive ose të çregjistruara përkohësisht. Që nga fillimi i vitit e deri në fund të qershorit, numri i mjeteve që qarkullojnë është rritur me afërsisht 35 mijë mjete ose rreth 5.1%.

Duke qenë se automjetet janë të përqendruara kryesisht në qendrat e mëdha urbane, shtimi i numrit të tyre shton problematikat e lidhura me trafikun, parkimin dhe me ndotjen e mjedisit. Statistikat tregojnë se në pjesën dërrmuese mjetet e regjistruara në Shqipëri janë më të vjetra se 12 vjet. Sipas DPSHTRR, 70% e mjeteve aktive në Shqipëri në mesin e këtij viti ishin të prodhuara para vitit 2009, ndërsa pothuajse gjysma e numrit total ishin të prodhuara para vitit 2005. Regjistrimi i mjeteve elektrike apo hibride në Shqipëri është ende në nivele krejt të papërfillshme dhe kryesisht ato përdoren nga bizneset.

Megjithë rritjen e shpejtë, statistikat e fundit tregojnë se Shqipëria është ende larg niveleve të Bashkimit Europian për sa i takon zotërimit dhe përdorimit të automjeteve. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria kishte rreth 192 automjetesh për 1000 banorë mbështetur në numrin e mjeteve që paguan taksën vjetore ose rreth 250 mjete për 100 mijë banorë mbështetur në numrin e mjeteve aktive.

Me këto shifra, Shqipëria është larg vendeve më pak të motorizuara të BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2019 Rumania ( e fundit në renditje) kishte 357 automjete pasagjerësh për 1000 banorë, e ndjekur nga Letonia me 381 automjete për 1000 banorë dhe Hungaria me 390 automjete për 1000 banorë. Në BE, shtete me nivelin më të lartë të motorizimit e ka Luksemburgu, me 681 automjete për 100 banorë, i ndjekur nga Italia me 663 automjete dhe Qiproja me 645 automjete.(Monitor)

1 komente në “Rriten ndjeshëm blerjet e makinave në vend, për 9 muaj regjistrohen më shumë se gjithë viti 2020”

  1. Hasoni says:

    Ca flisni perralla jeni be si studio aperto ne kohen e Berluskës, që thoshte taljont kan nga 2 tel shkojme 2 here. E jave be restorant e bla bla.
    Ishte karantinë vjet nuk shiten makinat është shumë e thjeshtë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje