Shkenca shpjegon Omicron-in: Dëmton më pak sepse nuk arrin në mushkëri

1 Janar 2022, 09:28Bota TEMA

Disa studime të reja shpjegojnë se pse varianti Omicron është më i lehtë se versionet e mëparshme të koronavirusit. Eksperimentet e kryera me minjtë treguan se Omicron prodhon infeksione më pak të dëmshme, që shpesh kufizohen kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes: hundë, fyt dhe grykë. Varianti i ri dëmton më pak mushkëritë, të cilat ishin shënjestër e varianteve të mëparshme.

“Është e drejtë të thuhet se po shfaqet ideja e një sëmundjeje që manifestohet kryesisht në sistemin e sipërm të frymëmarrjes”, citon New York Times Roland Eils, biolog në Institutin e Shëndetit në Berlin, i cili ka studiuar se si koronaviruset infektojnë rrugët e frymëmarrjes.

Në nëntor, kur varianti u shfaq për herë të parë në Afrikën e Jugut, shkencëtarët vunë re menjëherë se ai sillej ndryshe nga format e mëparshme të virusit. Por gjithçka ata arritën të mësonin ishte se varianti në fjalë kishte një kombinim alarmues prej më shumë se 50 mutacionesh gjenetike.

Hulumtimet e mëparshme kishin treguar se disa nga këto mutacione u mundësonin koronaviruseve të kapeshin më fort mbi qelizat. Të tjerë lejonin që virusi të shmangte antitrupat, të cilët shërbejnë si një linjë e hershme e mbrojtjes kundër infeksionit. Por nuk mori përgjigje pyetja si varianti i ri mund të sillet brenda trupit.

Gjatë muajit të kaluar, Ravindra Gupta, virologe në Universitetin e Kembrixhit, dhe ekipi i saj e kanë vëzhguar patogjenin e ri në laborator. Ndërsa ata punonin, Omicron u përhap në gjithë planetin, duke infektuar me lehtësi edhe njerëzit që ishin vaksinuar ose ishin shëruar nga forma të mëparshme.

Por ndërsa rastet u rritën, shtrimet në spital patën rritje modeste. Studimet e hershme të pacientëve sugjeruan se Omicron kishte më pak gjasa të shkaktonte sëmundje të rënda sesa variantet e tjera, veçanërisht te njerëzit e vaksinuar.

Disa eksperimente të bëra publike ditët e fundit, të gjitha arrijnë në të njëjtin përfundim: Omicron është më i butë se Delta dhe versionet e tjera të mëparshme të virusit.

Të mërkurën, një konsorcium i madh shkencëtarësh japonezë dhe amerikanë publikuan një raport mbi minjtë e infektuar ose me Omicron ose me një nga disa variantet e mëparshme. Ata të infektuar me Omicron kishin më pak dëmtime në mushkëri, humbën më pak peshë dhe kishin më pak gjasa për fatalitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje