Fotografitë dukej se ishin të destinuara për t’u ruajtur në arkivat shtetërore të Izraelit për brezat e ardhshëm
Në këto imazhe, kryeministri Benjamin Netanyahu shfaqet së bashku me bashkëshorten e tij, Sara, me ambasadorin amerikan Mike Huckabee dhe një grup ushtarësh izraelitë, teksa ndezin qirinjtë e Hanukës pranë Murit Perëndimor, vendi më i shenjtë i lutjeve për hebrenjtë. Udhëheqësit shkëmbejnë vështrime triumfuese.
Por diçka nuk shkon.
Lëkura e Sara Netanyahut duket pa pore, sytë ngjajnë tepër të theksuar dhe flokët të krehura në mënyrë perfekte — një pamje për të cilën zyrtarët pranojnë se është rezultat i retushimit të rëndë.
Kritikët thonë se problemi nuk qëndron tek përdorimi i programeve të editimit të fotografive, të cilat e zakonshme në llogaritë në rrjetet sociale të personazheve të famshëm dhe figurave publike. Sipas tyre, problemi është qarkullimi i këtyre imazheve në njoftime zyrtare qeveritare, çka shtrembëron realitetin, shkel kodet etike dhe rrezikon të komprometojë përpjekjet për arkivim dhe ruajtje të dokumentacionit zyrtar.
“Të gjitha fotografitë që deri më sot ndodhen në arkivat e Izraelit janë fotografi autentike të realitetit, ashtu siç janë kapur nga lentet e kamerave të fotografëve që nga themelimi i shtetit,” tha Shabi Gatenio, gazetari veteran politik që e zbuloi historinë në The Seventh Eye, një faqe izraelite që mbulon mediat vendase. “Këto imazhe, nëse futen në databazë, do ta infektojnë përgjithmonë atë me një realitet virtual që nuk ka ekzistuar kurrë.”
Që nga zbulimi i manipulimit të imazheve, qeveria ka ndërmarrë hapin e paprecedentë të kreditimit të Sara Netanyahut në njoftimet ku përfshihen imazhe të manipuluara. Dhe nuk është e qartë nëse arkivi zyrtar do të përfshijë fotografi të saj të marra gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, kur, sipas Gatenios, duket se ka nisur editimi i tyre.
Zëdhënësi personal i zonjës Netanyahu nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ndërkaq, Nitzan Chen, drejtori i Zyrës së Shtypit të Qeverisë, i tha Associated Press se imazhet e kryeministrit nuk manipulohen kurrë dhe se zyra e tij nuk do të ngarkojë asnjë fotografi të retushuar në arkivin zyrtar.
Photoshop-it hyn në sferën politike
Sara Netanyahu, 67 vjeçe, prej kohësh ka përdorur programe për retushimin e fotografive të saj. Llogaria e saj në rrjetet sociale është e mbushur me imazhe ku fytyra e saj duket e retushuar rëndë.
Por dyshime lindën në momentin kur ky zakon vetjak i saj hyri në dokumentacionin publik.
Gatenio tha se e vuri re për herë të parë këtë gjë në korrik, kur çifti vizitoi presidentin Donald Trump në Uashington, dhe sërish në shtator, kur Sara Netanyahu iu bashkua bashkëshortit të saj në pistë, përpara një udhëtimi drejt Nju Jorkut ku ai do të merrte pjesë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në atë kohë, zyra e kryeministrit publikoi një video nga momenti i nisjes, së bashku me një fotografi, të shkrepur nga Avi Ohayon, fotograf zyrtar qeveritar.
Duke krahasuar fotografinë me videon e papërpunuar, Hany Farid, ekspert i forensikës digjitale në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tha se imazhi ishte përpunuar pas prodhimit, duke shfaqur manipulime lokale për të zbutur lëkurën dhe për të hequr rrudhat.
Që atëherë, edhe fotografitë që tregojnë zonjën Netanyahu duke u takuar me zëvendëspresidentin JD Vance dhe bashkëshorten e tij, Usha, në Uashington, duket se janë retushuar, tha Farid.
“Ka pasur disa ndërhyrje me Photoshop për ta — le ta themi — ‘zbukuruar’, ndriçuar, zbutur fytyrën,” tha Farid.
“A është keqdashëse? Jo. A është problem? Po. Kjo ka të bëjë me diçka më të madhe sesa ‘ajo përdori Photoshop për t’u dukur më e re’. Kjo ka të bëjë me besimin. Pse duhet t’i besoj çdo fotografie zyrtare që del nga ajo administratë?”
Chen, kreu i Zyrës së Shtypit të Qeverisë, tha se juristët e zyrës po përpiqen të përcaktojnë se si të trajtohen dhe të identifikohen siç duhet fotografitë “e përpunuara nga persona të tjerë përveç fotografëve të GPO-së”.
Ai tha se edhe Ministria e Drejtësisë po shqyrton “kriteret, kufizimet dhe mundësitë” e imazheve të redaktuara, megjithëse theksoi se nuk ka asgjë të paligjshme në retushimin e fotografive. Problemi, sipas tij, është transparenca kur bëhen këto ndryshime.
Për momentin, zyra e tij ka vendosur të shtojë emrin e Sara Netanyahut në njoftimet për shtyp që përfshijnë imazhe të retushuara. Që nga nëntori, njoftimet për shtyp që shfaqin fotografi të saj duke buzëqeshur pranë Trumpit dhe familjes së pengut të fundit në Gaza në Uashington, duke vizituar një sinagogë në Miami dhe duke marrë pjesë në një funeral të një kryetari bashkie izraelit, e kanë përfshirë këtë shënim.
Të paktën një media, Times of Israel, ka thënë se nuk do të publikojë më fotografi zyrtare shtetërore që duken se janë manipuluar. Associated Press nuk publikon imazhe që duken të retushuara ose të manipuluara digjitalisht.
Një fenomen më i gjerë
Chen tha se kryeministri nuk editohet kurrë: “Asnjë Photoshop, asnjë korrigjim, asnjë ngjyrë. Asgjë.”
Edhe pse fytyra e tij mund të mos jetë retushuar, llogaria zyrtare e kryeministrit në Instagram tregon një histori tjetër.
Faqja ka publikuar një sasi të madhe përmbajtjeje që duket se është redaktuar ose gjeneruar me inteligjencë artificiale, përfshirë një fotografi të çiftit me Trumpin dhe zonjën e parë Melania Trump, duke festuar Vitin e Ri në Uashington.
Fotografia ngjalli dyshime në Izrael sepse tregon Sara Netanyahun të veshur me një fustan të zi, i cili mungon në fotografitë e tjera të të njëjtit event, ku ajo mbante një fustan të kuq të errët. Në qiell, mbi çiftet, shfaqen fishekzjarre shumëngjyrëshe dhe flamuj amerikanë dhe izraelitë, të cilët Farid tha se “pothuajse me siguri” janë gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Tani fotografia mban një etiketë në Instagram që tregon se mund të jetë ndryshuar ose gjeneruar duke përdorur AI. Nuk është e qartë se kur u shtua kjo etiketë dhe nga kush.
Netanyahu nuk është i vetëm. Shumë figura botërore, përfshirë Trumpin, përdorin shpesh manipulimin e imazheve të gjeneruara nga AI në daljet e tyre publike.
Tehilla Shëartz Altshuler, e cila drejton “Programin për Demokracinë në Epokën Digjitale” në Institutin Izraelit për Demokraci, një institut kërkimor në Jerusalem, e quajti këtë “pjesë të manualit populist” dhe tha se “nuk ka asnjë dyshim” që Netanyahu po imiton mënyrën se si Trump e përdor këtë teknologji.
Instagrami zyrtar i Netanyahut ka publikuar edhe një video të Trumpit dhe Netanyahut në një bombardues B-2, që duket plotësisht e gjeneruar nga AI. Ajo shoqërohet me mbishkrimin “në xhiron tonë të fitores”, duke iu referuar sulmeve të përbashkëta Izrael–SHBA ndaj Iranit vitin e kaluar.
“Kjo është pikërisht ajo që Netanyahu dhe rrethi i tij përreth janë përpjekur të bëjnë për shumë vite,” tha ajo. “Ta paraqesin veten si një superheronj, bashkëshorten e tij si një supermodele, familjen e tyre si një familje super besnike. Edhe kur nuk ishte kështu, edhe në kurriz të punës reale politike, administrative dhe sociale.”
Ajo tha se Izraeli ka arritur një pikë kritike në arkivimin zyrtar dhe komunikimin qeveritar.
“Çështja e arkivimit të së vërtetës, e arkivimit të historisë, do të jetë një nga pyetjet e kohës sonë.” / Associated Press
Lini një Përgjigje