Irani përgatitet për përgjigje të ashpër nga Izraeli

3 Tetor 2024, 12:15Bota TEMA
Irani përgatitet për përgjigje të ashpër nga Izraeli

Irani hodhi gati 200 raketa balistike drejt Izraelit, duke e kryer sulmin më të madh si kurrë ndonjëherë ndaj armikut të vet të përbetuar.

Sulmi i 1 tetorit ishte më i madh dhe më i guximshëm se sulmet e papritura të Iranit kundër Izraelit në prill. Këtë herë, Teherani gjithashtu përdori raketa më të përparuara dhe nuk dha paralajmërime të dukshme para kryerjes së sulmit.

Dëmet e përgjithshme dhe viktimat që sulmi raketor i Iranit i ka shkaktuar ende janë të paqarta. Por, Izraeli është zotuar se do të përgjigjet shumë ashpër.

Ekspertët kanë thënë se hakmarrja e Izraelit me gjasë do të jetë më e fuqishme seç ishte në prill, kur u përgjigj kryesisht butësisht, duke e ditur se sa i madh ishte sulmi më i fundit nga Irani.

“Izraeli natyrisht se do t’ia japë një goditje shumë më të rëndë Iranit”, tha Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Rreziku i nxitjes së hakmarrjes nga Izraeli

Irani e përshkroi sulmin e tij të 1 tetorit si hakmarrje ndaj Izraelit për ofensivën në Liban dhe për luftën shkatërruese njëvjeçare në Rripin e Gazës, si dhe për vrasjen rishtazi të aleatëve kryesorë të Teheranit në rajon.

Forcat izraelite e nisën ofensivën tokësore në Libanin jugor më 1 tetor, pas një jave bombardimesh të pareshtura dhe shkatërruese.

Sulmet ajrore izraelite në Bejrut më 27 shtator e vranë Hassan Nasrallahun, liderin e Hezbollahut, grupit të armatosur dhe partisë politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe që mbështetet nga Irani.

Izraeli e ka asgjësuar lidershipin dhe i ka shkatërruar aftësitë luftarake të Hezbollahut, aleatit më të afërt dhe kyç të Iranit në strategjinë e Teheranit për ta luftuar Izraelin.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Ndërkohë, Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE, u vra nga një sulm i dyshuar izraelit në Teheran, në korrik.

Ekspertët kanë thënë se trysnia e brendshme për t’iu përgjigjur Izraelit dhe pozita e dobësuar e Iranit në rajon, e detyruan Teheranin të veprojë.

"Irani duket se ka arritur në përfundimin se kostoja e mosveprimit ishte më e madhe sesa rreziqet e ndërmarrjes së veprimeve", tha Vaez.

"Nuk ka dyshim se Teherani është i vetëdijshëm për rreziqet, jo vetëm duke e përsëritur, por duke e zgjeruar sulmin raketor kundër Izraelit, duke nxitur kështu një hakmarrje izraelite që duket se sigurt do të ndodhë", shtoi ai.

Sulm i madh, përgjigje e ashpër

Sulmi i Iranit me raketa dhe dronë ndaj Izraelit në prill, i parë i drejtpërdrejtë ndonjëherë ndaj armikut të tij, ishte shumë i parashikuar. Irani gjithashtu përdori dronë me rreze të gjatë veprimi dhe raketat më të vjetra në atë sulm.

Nëse krahasohet me sulmin e atëhershëm, sulmi i Iranit më 1 tetor ishte “shumë substancial”, tha Fabian Hinz, hulumtues nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

Dëshmitë fillestare sugjerojnë se Irani përdori raketat balistike, të cilat arritën në Izrael brenda disa minutash, tha ai për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.

Qëllimi i mundshëm, tha Hinz, ishte t’i jepte Izraelit kohë të kufizuar për t'u përgatitur.

Në prill, Izraeli iu përgjigj sulmit të Iranit duke goditur një sistem radari të mbrojtës ajror në qytetin qendror iranian, Isfahan.

Por, ekspertët paralajmërojnë se hakmarrja izraelite këtë herë pritet të jetë shumë më e ashpër.

Zyrtarë izraelitë janë cituar nga mediat duke thënë se Izraeli mund të godasë zona strategjike brenda Iranit, duke përfshirë objektet energjetike.

Një sulm i mundshëm izraelit ndaj ndonjë objekti nafte ose gazi në Iranin e pasur me energji, do të ishte spektakolar për t’u parë, por i padëmshëm nga pikëpamja strategjike, tha Farzin Nadimi, hulumtues në Institutin e Uashingtonit për Studime të Lindjes së Mesme.

Sulmi ndaj ndonjë objekti bërthamor do të sillte më shumë rreziqe dhe do të duhej të ishte shumë i madh, duke marrë parasysh se infrastruktura kryesore bërthamore e Iranit ndodhet thellë nën tokë, tha ai.

Sulmet që synojnë objektet bërthamore të Iranit, të cilat Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thuhet se i kanë ushtruar, mund ta detyrojnë Teheranin të armatosë programin e vet bërthamor, kanë paralajmëruar ekspertët.

“Pa marrë parasysh se cili është synimi [i Izraelit], një goditje e tillë është e destinuar ta detyrojë Teheranin të hakmerret, duke nxitur sulme me raketa balistike që mund ta shtyjnë tërë rajonin drejt humnerës”, tha Vaez./ REL 

5 Komente

  1. L
    Liria

    Perpara se te sulmoje, Irani duhet te liroje pengjet izraelite te rrembyer nga Hamasi, pastaj flasim.

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kutuzovi

      Ligjin e bene vetem i forti. OKB dhe kshilli i sigurimit jan dy institucionet me te medha ne bote qe stabilizojn qetesin dhe sigurin e njerzeve ne mbare boten. Por kur vjen puna ato nuk i pyet as Izraeli qe eshte nje shtet me 9 miljon banor vetem se eshte i fuqishem ushtarakisht. Netanjahu, para dy ditesh shpalli non grata Antonio Guterres se nuk tha asnje fjale per Iranin qe goditi Izraelin. Po keshtu edhe Amerika nuk pyet fare per Keshill sigurimi dhe as per OKB-n. E ndjen veten se, ai eshte i fuqishem ushtarkisht dhe do behet ashtu si thot ai dhe jo dy organizmat me te medha KS dhe OKB qe jane zgjedhur me voten e gjithe popujve te botes.Amerika dhe Izraeli nuk pyesin per rregullat e OKB,ligjet e miratuara.Pra ligjin e bene i forti dhe KS me OKB jane kote fare. Nuk i degjohen,nuk i pranohen urdherat dhe vendimet qe marin ata.

      Përgjigjjuni
      1. V
        Vranakonti

        Izraeli, eshte nje shtet terrorist, se po ushtron vazhdimisht terror ne vendet e rajonit te lindjes se mesme, sidomos ka persekutuar popullin martir Palestinez. U ka mohuar atyre identiteti si komb dhe ka qellim t'a zhduk ate. Edhee Palestina ka te drejten e saj te kete shtet. Izraelin e perkrahin ato shtete qe jane mbeshtetes te Amerikes ku, midis tyre eshte dhe shqiperia.Izraeli nuk duhet te mbeshtetet,por te sulmohet,te goditet rende se po bene nje lufte te padrejte. Po vrete njerez,civil te pafajshem.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Trapajane hesapi

          Shkoni beni bisedime me Hamasin per kete ceshtjen ,Jo me Iranin.Populli thote :-" ku me ha e ku ma Ve".

          Përgjigjjuni
          1. a
            astrit

            Sulmi i Iranet para disa ditesh ishte me i sakte e me i sofistikuar se sa sulmi me drone qe ju be izraelit para disa muajsh. Iranianet ose nuk kane aftesine e duhura qe te jene sa ma preçiz ne goditjet e tyre ose nuk deshirojne te bejne dem te madh ne Izrael. Te njejten perfomance kane dhe grupi Ezbolla. Ndersa Izraeli ka nje saktesi goditese te frikeshme dhe nuk mer ne konsiderate pasojat anesore qe japin keto goditje mbi popullsine civile. Eshte mire qe palet te ulen e te bisedojne, kjo lufte nuk ka fitues por ka vetem humbesa!

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje