“Unë e bëra”, ish-këshilltari i Trump pranon fajësinë për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara, John Bolton pritet të përballet me burg dhe miliona dollarë gjobë

27 Qershor 2026, 09:40Bota TEMA
“Unë e bëra”, ish-këshilltari i Trump pranon

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, John Bolton, është deklaruar fajtor për mbajtje të paligjshme të informacionit të klasifikuar, që lidhej me shënime personale të përdorura për një libër që ai kishte përgatitur. Ai përballet me deri në pesë vjet burg dhe gjoba prej 2.25 milionë dollarësh.

Bolton pranoi në gjykatë një akuzë të vetme, pasi fillimisht ishte përballur me 18 akuza për trajtim të papërshtatshëm të materialeve të klasifikuara. Dokumentet përfshinin shënime ditari me informacione të mbrojtjes kombëtare, disa prej të cilave të klasifikuara si tepër sekrete.

Sipas marrëveshjes me prokurorinë, ai ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij dhe do të dënohet më 28 tetor. Përveç gjobës, Bolton do të kryejë 100 orë shërbim komunitar dhe do të informojë autoritetet e sigurisë kombëtare mbi materialet që ka mbajtur në mënyrë të paligjshme.

Në seancën gjyqësore, Bolton konfirmoi se akuzat ishin të sakta dhe shprehu keqardhje për veprimet e tij. “Unë e bëra,” tha ai në gjykatë.

Prokurorët thanë se Bolton kishte njohuri të plotë mbi rregullat e trajtimit të informacionit të klasifikuar dhe se veprimet e tij kishin rrezikuar sigurinë kombëtare. Sipas Prokurores amerikane Kelly Hayes, ai kishte ndarë dhe ruajtur informacion të ndjeshëm në mënyrë të papërshtatshme, përfshirë edhe dërgimin e disa shënimeve familjarëve të tij.

Avokati i Boltonit, Abbe Lowell, deklaroi se klienti i tij mori përgjegjësi për një gabim dhe se marrëveshja shmangu një proces më të gjatë gjyqësor që mund të kishte ekspozuar më shumë materiale të ndjeshme. Ai gjithashtu kritikoi trajtimin e çështjeve të ngjashme në administratën e mëparshme amerikane.

Presidenti Donald Trump reagoi në rrjetet sociale duke thënë se shpresonte që Bolton “të trajtohej ashpër”, ndërsa më herët e ka quajtur atë një “mashtrues”.

Bolton ka qenë një figurë e njohur kritike ndaj Trump që pas largimit të tij nga administrata në vitin 2019, duke e përshkruar më pas përvojën e tij në librin “Dhoma ku ndodhi”, i cili u bë objekt hetimesh mbi përdorimin e informacionit të klasifikuar.

Lini një Përgjigje