
Detaje nga raporti i Avokatit të Popullit për rastin e vdekjes së Lear Kurtit, ku thuhet se policia nuk ka ndërhyrë në kohë për të shmangur ngjarjen e rëndë. Ngjarja ndodhi më 19 tetor ku i riu ndërroi jetë në duart e Policisë së Shtetit, në ambientet e komisariatit nr.3.
Në raport thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq. Duke iu referuar raportit, policët ishin të paqartë por dhe kontradiktorë se pse ishte shoqëruar ky shtetas.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, shkak i vdekjes së Kurtit është diagnoza Anatomo-Patologjike, e shkaktuar nga mbidozimi (helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Kujtojmë se familjarët e Lear Kurtit kanë hedhur akuza për policinë, ndërsa pohuan se i riu kishte shenja dhune në trup.
RAPORTI
Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla shërbimet e policisë, mund ta parandalonin këtë ngjarje, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin. Nisur nga këto deklarime si dhe duke iu referuar nenit 109 të ligjit të sipërcituar, rezulton se punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, sepse nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur vetëm në dyshime të pa arsyeshme.
Sipas dispozitës së cituar, dyshimet duhet të jenë të arsyeshme, për kryerjen e një krimi, për të parandaluar kryerjen e një vepre penale, ose për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit.
Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit. Bazuar në rregullat e shoqërimit të personave në ambientet e komisariatit duhet mbajtur procesverbali i dokumentimit të veprimeve të kryera me personin e shoqëruar pas kryerjes së veprimeve të verifikimit e sqarimit të rastit për personin, nga punonjësi i policisë, si dhe dokumentimi i të dhënave, gjeneraliteteve të shtetasit për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të lirisë.
Me shkresën nr.3858/3 Prot, datë 26.10.2022, kthim përgjigje nga Drejtoria e Përgjigje e Policisë së Shtetit përkatësisht, Departamenti për Sigurinë Publike ka dërguar pranë Institucionit të Avokatit të popullit DVD me pamjet filmike të kamerës së sigurisë të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë , në DVP Tiranë, për datën 19.10.2022, theksojmë se nga këqyrja e këtyre pamjeve ato nuk janë të plota në të gjitha ambientet e Komisariatit.
Lini një Përgjigje