Pazari i Vjetër i Korçës u mbush me tingujt e fuqishëm të muzikës rock, teksa Frank Band solli një koncert energjik që tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve. Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot jetë, mes arkitekturës tradicionale dhe ritmit modern të rock-ut, grupi performoi disa nga këngët më të njohura, duke krijuar një bashkëpunim të veçantë me publikun që ndaloi për të shijuar muzikën live në mes të ditës.
“Zgjedhje e duhur për Korçën dhe për ne si band që performojmë muzikë të mirë dhe të luajmë ashtu si dhe ne kemi dëshirë. Kemi ardhur dhe herë të tjera në Korçë dhe e kemi shumë qejf por kur kemi performuar kemi vene re që mbështetja është shumë e bukur dhe janë dashamirës korçarët ndaj muzikës rock siç e luajmë ne”, u shpreh këngëtari Frank Ibrahimi.
Koncerti ishte pjesë e një nisme kulturore të titulluar Festivali i Pranverës që synon të sjellë më shumë aktivitete artistike në hapësira publike dhe të afrojë artin me komunitetin. Frank Band, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe mesazhet e fuqishme në tekstet muzikore, solli një frymë ndryshe në zemër të qytetit.
Performanca u prit me entuziazëm nga të pranishmit, ndërsa shumë prej tyre e ndanë përvojën në rrjetet sociale, duke e vlerësuar koncertin si një moment të bukur dhe të papritur në rutinën e përditshme.
/RTSH/
Lini një Përgjigje