Pas një pune të kujdesshme restauruese, kisha e Shën Mërisë në fshatin Bishqethëm (Lushnjë), ka rifituar pamjen dhe dinjitetin e saj historik.
Monumenti i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore është tashmë gati të mirëpresë vizitorë dhe banorë, si një dëshmi e gjallë e historisë dhe shpirtit të zonës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjete sociale pamje nga kisha e Shën Mërisë në Bishqethëm, e restauruar, që është objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII, shkruan atsh.
Gonxhja theksoi rëndësinë e këtij projekti, teksa bëri të ditur se, punimet restauruese përfshinë: Konsolidimin e strukturës së kishës; restaurimin e elementëve arkitektonikë dhe sistemimin e territorit përreth.
“Të gjitha ndërhyrjet u kryen nën mbikëqyrjen e specialistëve të IKTK-së, duke respektuar vlerat historike e arkitektonike të objektit. Pas një pune të kujdesshme restauruese, ky monument i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore ka rifituar pamjen dhe dinjitetin e tij historik”, shkroi Gonxhja.
Sot, kisha e Shën Mërisë rrezaton sërish si një qendër e gjallë e historisë, kulturës dhe identitetit shpirtëror të komunitetit lokal, një burim kujtese dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Pikturat e kishës janë realizuar nga Johani, i cili i përket familjes së Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798. Disa prej tyre ruhen në gjendje të mirë dhe përbëjnë destinacion të rëndësishëm kulturor për t’u vizituar.
THESARE TE TRASHEGIMIS SE ORTHODHOKSEVE ,,KULTURA BIZANTINE QE RUAJNE DHE TRASHEGOJNE ,,