Kanë përfunduar restaurimet në Urën e Niçës në Pogradec, një monument kulture me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, i cili deri para ndërhyrjes ishte pjesë e listës së objekteve më të rrezikuara për shkak të degradimit të avancuar strukturor.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale pamje nga ura e restauruar, teksa bëri të ditur se ndërhyrja garantoi stabilitetin e saj afatgjatë.
“Ndërhyrja restauruese e vitit 2025 e shpëtoi monumentin nga rrënimi, duke garantuar stabilitetin e tij dhe ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore”, u shpreh ministri Gonxhja.
Sipas ministrit, restaurimi u fokusua në konsolidimin strukturor të urës, restaurimin e elementëve karakteristikë arkitektonikë dhe përdorimin e materialeve tradicionale, në përputhje me standardet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
E vendosur në fshatin Niçë, në bashkinë Pogradec, Ura e Niçës gëzon një ndjeshmëri të veçantë në komunitetin vendas, pasi konsiderohet pjesë e identitetit kulturor të zonës dhe një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë historike lokale.
Përfundimi i restaurimit i jep monumentit një rol të ri jo vetëm në ruajtjen e vlerave kulturore, por edhe në promovimin e turizmit kulturor në rajonin e Pogradecit, duke e kthyer Urën e Niçës në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. A.K./TemA
Lini një Përgjigje