Studentë të Kolegjit të Evropës kanë ndërmarrë një udhëtim studimor nga veriu në jug të Shqipërisë.
Gjatë këtij udhëtimi të rinjtë zbuluan kulturën, trashëgiminë dhe ndikimin që kanë projektet e Bashkimit Evropian në komunitetet lokale. Ata u takuan me të rinj nga Shqipëria, shkëmbyen ide, ndanë këshilla dhe folën për mundësitë që ofron BE për të ardhmen e tyre.
Gjatë vizitës në liqenin e Shkodrës, një studente e re nga Suedia, që aktualisht studion në Kolegjin e Evropës në Shqipëri, nxjerr në pah dy momente nga kjo vizitë.
“E para ishte të shihje se si Bashkimi Evropian është i pranishëm shumë përtej kryeqytetit, duke financuar projekte në të gjithë vendin. E dyta ishte angazhimi me të rinj nga Rrësheni dhe Lezha, duke u treguar atyre më shumë për kolegjin dhe duke ndarë këshilla dhe truke se si të aplikojnë në të ardhmen”, thotë Arzu Karimzade, njëra nga rreth 20 studentët që vizituan Rrëshenin, Lezhën, Razmën, Shkodrën, Gjirokastrën, Sarandën dhe Ksamilin.
Qëllimi i këtij udhëtimi studimor ishte përfshirja e studentëve nga Kolegji i Evropës në diskutime rreth komunikimit, sfidave dhe mundësive arsimore për të rinjtë, duke u ofruar atyre një mundësi të vlefshme për të eksploruar vendet kulturore dhe për të mësuar rreth projekteve dhe ndërhyrjeve të financuara nga BE-ja në rajone: nga kishat, kështjellat dhe muzetë deri te rrugët, iniciativat mjedisore, projektet turistike, etj.
/atsh/
Lini një Përgjigje