I vetëm në zgjedhjet 2025, Dashamir Shehi: Ja pikat që nuk puqem me opozitën

29 Maj 2024, 15:06Politika TEMA
I vetëm në zgjedhjet 2025, Dashamir Shehi: Ja pikat që nuk puqem

Raporti me drejtësisë e ndërkombëtarët dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor janë pikat që ndajnë Dashamir Shehin me kolegët e opozitës për të hyrë së bashku në zgjedhjet e vitit 2025.

Në studion e Ditarit me Denisa Pashollin në A2 CNN, ai tha se është për përmbysje të sistemit zgjedhor, hapjen e listave, votim elektronik, pa komisionerët e vjetër, që sipas tij pjesa tjetër e opozitës nuk e ka këtë dëshirë.

“Deri tani jemi vetëm, nëse ligji do të ndryshojë do ta shohim cilat janë mundësitë. Nëse pozicioni i kolegëve opozitarë do të ndryshojë, do ta shohim. Jemi vetëm se sot për sot nuk puqemi me opozitën në shumë pika; në raportin me drejtësinë, në raport me ndërkombëtarët, nuk puqemi për ndryshimet e ligjit zgjedhor dhe për pjesëmarrjen në parlament, që tani fatmirësisht kanë hyrë në parlament dhe unë kam frikë se kjo punë u bë vetëm për atë punë e dialogut.  

Unë jam përtej koalicioneve, për përmbysje të sistemit zgjedhor, të hapen listat të shtohen zonat elektorale, të hapen listat dhe mos votojnë vetëm flamurin e partisë por edhe fytyrën e deputetit. Kolegët opozitarë nuk kanë të njëjta dëshira me ne. Ne duam votim elektronik, ata duan komisionerët e vjetër. Nuk kam hiç fare besim te kolegët e opozitës dhe jo vetëm që vjedhin votat, por edhe shtetin shqiptar këta të nderuar komisionerë.

Sepse këto duan të vënë në punë nesër për shërbimin që i kanë bërë partisë. Janë të gjithë sekretarë të përgjithshëm e drejtorë, marrin shpërblimin për shërbimin. Bëje votimin elektronik dhe është shumë e thjeshtë. Se ata thonë unë kam ruajtur votat, kam mbrojtur votat. Kolegët e opozitës nuk e kanë këtë dëshirë. Janë interesa të korporatave, që nuk ka rëndësi se nga cili krah je. Ka ardhur dita për diçka që e përmbys këtë sistem dhe kolegët opozitarë nuk i kam në këtë betejë. Mendojmë ndryshe”, tha Shehi. 

 

Për Shehin, opozita duhet të përmbysë edhe raportin me ndërkombëtarët, të cilët kanë qenë aleatë të natyrshëm të saj.

“Opozita shqiptare ka qenë e lidhur në mënyrë të natyrshme me perëndimin, tani na dalin aleatë nipat e komunistëve kurse ne na shohin me dyshim. Duhet ta përmbysim këtë situatë”.

Edhe pse i vetëm, ai nuk i druhet garës elektorale dhe thotë se po humbi do të largohet nga politika dhe do të kushtohet librave.

“Këtë punën e garës unë e kam sajuar dhe e kam fituar përherë këtë garë. I ftoj të gjithë, dua të hapen listat. I vetëm kam qenë përherë unë. Hyj në qytetin tim dhe marr votat e mia. Ky sistem i ka vendosur në rresht të gjithë që presin natën e zgjedhjeve të shohin se çfarë liste ka kryetari natën e fudnit. Kjo është kohë e shëmtuar për demokracinë.

Dhe kështu nuk kanë kurajo të ngrenë dorën kundër së keqes dhe e keqja na dominon. Po humba iki, shkruaj edhe unë libra, po më vjen mosha e librave, jam 66 vjeç. Nëse shqiptarët nuk më votojnë, ora ime ka mbaruar. Mua nuk ka për të më thirrur SPAK ndonjëherë deri kur të më thërrasë ai sipër. Këta të tjerët i marrin nganjëherë, por kjo për Shqipërinë është diferencë e madhe”.

Shehi thotë se opozita e ka alternativën për të mundur Edi Ramën, por i duhet një projeksion i ri.

“Unë kundërshtar kam Edi Ramën, këta të tjerët i kam rivalë. Opozita i ka pasur 600 mijë vota se janë populli që nuk e do këtë qeverisje. Më shumë pakënaqësia ndaj këtij regjimi. Nuk kam pse bëj fushatë as ndaj Berishës, as kundër Metës, këta i quaj kolegë.

Unë fushatën e kam me Ramën atë që kam bërë gjithë jetën, këta bëjnë të kundërtën. Opozita e ka alternativën, po duhen edhe nja 100 mijë të tjera për të mundur Edi Ramën dhe këta nuk i bëjnë dot. Ata që bëjnë sikur s’kuptojnë gjë ose janë budallenj ose maskarenj. Të gjitha pas zgjedhjeve bëjmë projeksionin e ri. Ka ardhur dita që opozita ta bëjë këtë analizë”.

Ai mbështet votën e diasporës dhe shpreson se Rama mund t’i hapë rrugën kësaj çështjeje pas entuziazmit në Greqi e Milano.

“Unë e mbështes votën e diasporës dhe kam shpresë që në këtë populizmin e Ramës ky do të jetë më tolerant për ta hapur këtë rrugë. Në këtë entuziazëm që ka ai t’i hapë rrugën për të votuar. Shqiptarët e Diasporës duhet të votojnë se jam i bindur që do votojnë për pjesën më mirë, se në Shqipëri nuk i heq njeri prej pune, nuk ka patronazhistë, nuk i voton njeri dhe pjesa më e mirë është opozita”.

1 Komente

  1. B
    Bureto

    Demagogji! Kete ke bere tere jeten, here kenden d here andej. Pse nuk i kishe keto kushte para se te futeshe në listat PD te kandidateve per deputet? Ke 30 e kusur vjet qe kullot në 'bahçen' e Saliit. Tani qe ylli i tij perendoi se u 'dekorua' me damken "non grata", zotrote u bëre esnaf. Sa here je zgjedhur deputet me votat LZHK? Vallë a ekziston kjo?! Po! Epo nxirre njehere ta shohim.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje