Dy ditë pasi Këshilli i Mandateve votoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që kërkon autorizim për arrestimin e Sali Berishës, janë zbardhur edhe dy raportet të hartuara për t’ia dorëzuar seancës plenare, e cila do t’i votojë ditën e nesërme (21 dhjetor).
Njëri prej tyre është raporti i mazhorancës, kurse raporti tjetër është i deputetit Enkelejt Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet kërkojnë dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
“Konkretisht nga hetimi vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se personi nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore që shtrihet që nga viti 2005 e në vijim, ka kryer veprime konkrete, aktive, me miratim ligjesh, apo akte nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin si troje ndërtimore të territoreve ku janë shtrirë ish-Klubi shumësportësh “Partizani” dhe ish-Klubi i Futbollit “Partizani”, ku përfitues i drejtpërdrejte ndër të tjerë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
Sipas organit të akuzës, nga ana e shtetasit Sali Berisha janë kryer veprime aktive, në cilësinë si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e kontrolleve administrative me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin përfundimin e procesit të privatizimit, në favor, ndër të tjera, të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij”, thuhet ne raportin e shumicës në Këshillin e Mandateve.
Lini një Përgjigje