Sot shënohet 35-vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënonte hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës. Deklarata u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Në këtë ditë historike, Kosova u shpall njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave. Kjo deklaratë i parapriu Kushtetutës së Kosovë e miratuar me 7 shtator 1990 në Kaçanik.
2 korriku 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut, e miratuar më 7 shtator 1990, përfaqësojnë dy momente historike që shënuan vulosjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall më 2008, dhe që përmenden edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e saj.
Ngjarja historike e 2 korrikut 1990 në Prishtinë ku u vunë themelet e shtetit të Kosovës ra nën hijen e ngjarjeve në Tiranë, ikjes masovike të shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja! Kush e organizoi ikjen e shqiptarëve në ambasada të huaja në Tiranë në të njëjtën ditë me ngjarjen në Prishtinë? Një grua, kusherirë e imja në këtë kohë ishte në Tiranë në vizitë te një axhë i saj që kishte ikur në Shqipëri në vitin 1953 dhe që nga atëherë nuk kishte ardhur në Kosovë. Kushërira thoshte se policia shqiptare i orientonte qytetarët drejt ambasadave. Atëherë nuk mund të besoja!