Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke lënë të kuptohet se në ditët në vijim do të zhvillojë bisedime me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 42.92% të votave, duke mbetur forca e parë politike në vend. Megjithatë, rezultati paraqet një rënie krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur partia fitoi mbi 51% të votave.
Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 21.06%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.18% të votave, ndërsa Lista Serbe 6.17%. Edhe këto parti kanë shënuar lëvizje në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare.
Pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulët se në zgjedhjet e kaluara, duke arritur rreth 35%, nga afro 45% që ishte në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, procesi zgjedhor është zhvilluar qetësisht dhe pa incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e votimit.
Pak para mesnatës, Kurti doli para mbështetësve të tij në Prishtinë, ku e cilësoi rezultatin si një tjetër fitore të rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai theksoi se kjo është fitorja e 5-të e partisë në zgjedhjet parlamentare gjatë 7 viteve të fundit, duke përmendur fitoret e viteve 2019, 2021, dy proceset zgjedhore të vitit 2025 dhe zgjedhjet e këtij viti.
Kurti e konsideroi rezultatin si një konfirmim të mbështetjes qytetare për qeverisjen e Vetëvendosjes, ndërsa falënderoi aktivistët dhe mbështetësit për angazhimin e tyre gjatë fushatës.
“Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, deklaroi ai para simpatizantëve.
Kreu i LVV-së tha se qytetarët e shohin partinë e tij si garanci për mirëqeverisje dhe shtoi se Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën në drejtimin e vendit. Në fund të fjalimit, Kurti nënvizoi se legjislatura e 11-të duhet të nisë sa më shpejt, ndërsa paralajmëroi takime dhe konsultime me të gjitha partitë politike për të mundësuar formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Nēse ka zgjedhje tē tjera kētē vit nē Kosov., ministri Hoxha dhe Presidenti Begaj, tē largojn pērgjithmon ambasadorin ton nga Prishtina se ēshtē turp kombetar.Nē 1999 e boshatisēn Kosovēn nga frika, sot hiqen si mbret dhe mbretresh tē Kosovēs kurti dhe osmani